Donika Omari: Për Nikollë Prendin e vogël

32
Sigal

/Telegraf.al/ Shkak për këtë shkrim u bë një shqetësim që, në fakt, duhet të na vërë të gjithëve në mendime. Një recitim i vogëlushit Nikoll Prendi, që, me një kujtesë fantastike, arrin të mbajë mend të gjitha vargjet e  Lahutës së malcis, nga fillimi deri në fund.

Këto ditë, në youtube  po prisja të dëgjoja me kënaqësi recitimin e të tjera vargjesh nga djali.  Por ç’i kanë dhënë për të recituar? Një poezi për torturat që ka pësuar në regjimin diktatorial martirja Marie Tuci.  Kjo figurë e jashtëzakonshme për qëndresën në mbrojtje të përkushtimit të saj fetar, adhurimit për Krishtin, e torturuar për këtë përkushtim në mënyrën më çnjerëzore  e më mesjetare, meriton më shumë sesa një poezi mediokre.

Poezia përmend me hollësi si e kanë futur vajzën në thes me një mace, si e gërvisht e ia copëton gjoksin e si ia nxjerr zorrët jashtë macja, e të tjera tortura që tmerrojnë edhe të rriturit e jo më një fëmijë.  Nuk lihen pa përmendur  emri i persekutorit të drejtpërdrejtë si edhe i diktatorit, urdhëruesit e frymëzuesit të persekutimeve, pra, një poezi me sfond politik.  Por, mendoj, si mundën gjermanët të kapërcejnë atë traumë të tmerrshme pas luftës së Dytë botërore, kur çdo gjerman mund t’i bëjë pyetjen vetes: Mos ka qenë im atë? Apo gjyshi im? Apo stërgjyshi im? – Mos vallë duke vazhduar pas lufte të helmonin ndërgjegjen shoqërore? Dhe, sidomos, zemrat e fëmijëve?

Në një udhëtim turistik në Bavari, befas shohim një pllakë sinjalistike rrugore: Dachau. Presim nga guida jonë të vazhdojë shpjegimin përkatësisht me vendin. Por ai e shmang çdo referim ndaj atij vendi të kobshëm.

Para disa vjetësh, një pediatre italiane, që kishte ardhur të ndihmonte në zonat e Veriut për problemet shëndetësore të fëmijëve, më thotë: Fëmijët i kanë sytë të shuar.

Tani, si mendojmë t’ua gjallërojmë sytë fëmijëve?  Duke i mbajtur larg  problemeve të të rriturve. Duke ua kursyer këta rrëfimin e vuajtjeve të tyre a të kohës që jetojnë. Familja, shkolla, institucionet, shoqëria, kanë në dorë përgatitjen e fëmijës për jetën. Që do të thotë t’i ngjallin dashuri për të bukurën, për muzikën, për natyrën, për kafshët e për bimët etj. Fëmija duhet të ketë shembuj frymëzues, që do ta bëjnë të ketë qëndrim pozitiv ndaj jetës, dhe mund të ketë pika referimi martirët e heronjtë e historisë sonë, duke ia shmangur rrëfime të hollësive të persekutimeve. Për tmerret e së shkuarës do të ketë kohë të mësojë kur të rritet.

Janë një shembull mençurie  prindërit e Lea Ypit dhe Myfarete Lazes. Prindër të kultivuar, me kujdes plot dhembshuri për mbrojtjen e fëmijëve të vet nga mbrapshtitë e kohës, i kanë mbajtur për vete të këqiat që i mundonin. Dhe këto fëmijë vetëm në moshë të rritur i kanë marrë vesh “njollat në biografi” të familjeve të tyre. Dhe, kështu, janë rritur si fëmijë të barabartë me bashkëmoshatarët. U janë kursyer traumat nga ndeshtrashat e zeza të kohës.

Le të kemi parasysh sa rëndon edhe mbi fëmijët situata e ndezur politike e vendit, sherret mes gjithfarë kategori individësh, kronika e zezë e medieve, gjendja e pasigurt e paqes në botë…Të mos na gënjejë mendja se fëmija nuk ndien e nuk regjistron ç’transmeton bota e të rriturve.

Një mësues më thotë se tridhjetë përqind e fëmijëve janë të dhunshëm. Një zotëri italian, që merret me edukimin e fëmijëve me vlera qytetëruese, më thotë se nuk kanë komunikim me  njëri-tjetrin, zemërohen edhe nga: Pse më sheh! – Sot, dëgjojmë për të rritur që vrasin tjetrin nga: Pse më sheh!

Nikolla i vogël sot duhet të recitojë vjershat e bukura edukative të atë Vinçenc Prenushit, të Mjedës, të Naim Frashërit, apo Princeshën Argjiro të Ismail Kadaresë e të tjerë autorë që kanë poezi të vërtetë.  Dhe, në jetën e tij ende kaq të re, duhet të kenë vend zbavitjet, lojërat, se edhe këto përgatisin për jetën, e jo dhimbjet, vuajtjet e trishtimet e të rriturve.

Të pikon në shpirt kur dëgjon Nikollën e vogël të recitojë vargje makabre.

E urojnë vogëlushin: Të rujt’ Zoti.

Duhet të shtojnë: Të rujt’ Zoti prej të rriturve.