Çlirim HOXHA/Zhbërja e drejtësisë shqiptare në favor të krimit makabër

554
Sigal

Kudo në botë ndodhin krime makabre, aq sa veshët tanë janë bombarduar rëndë këto 22 vitet e fundit të kësaj demokracie pa demokraci. Shqiptarët si popull dhe si komb nuk ishin mësuar me kaq shumë krime të shëmtuara në të kaluarën dy dekadëshe dhe një ditë prej ditësh u lëshuan duke nxjerrë në skenën e qelbur të mëkateve poshtërsitë që mban brenda vetës qenia njerëzore. Në këto 22 vjet në Shqipëri i është lënë dorë e lirë krimit dhe korrupsionit, është deformuar në shkallën më sipërore drejtësia si një nga shtyllat e pushteteve vitale të një vendi. Rasti më i fundit i një maniaku seksual, i një pedofili të evidentuar më parë nga drejtësia, por të pa ndëshkuar, të falur për shkak të pendesës dhe të mos mbajtur nën mbikëqyrje të rreptë, tregon se në këtë vend ka gjëra që duhen shkulur me rrënjë nga memoria e kombit. Ajo që na dëgjuan veshët dy ditë më parë për pedofilin dhe krimet e tij makabre me të miturit, tregon se drejtësia shqiptare është bërë me dashje apo pa dashje pjesë e këtij makabriteti, duke lejuar deformimin e shoqërisë shqiptare në tersi. Pedofilia si një nga krimet më të shëmtuara të njerëzimit, është një vepër e rëndë penale e dënuar rreptësisht dhe e patolerueshme dhe kështu duhet të jetë për këdo që guxon.

Sot jemi dëshmitar të korrupsionit madhor që ka përfshirë pushtetin e drejtësisë në Shqipëri. Ka 22 vjet që drejtësia shqiptare ka shkaktuar një çorbë të qelbur me pronat në këtë vend, ka favorizuar dhe lehtësuar krime të shëmtuara, ka degjeneruar moralin e shumë njerëzve të ndershëm, por pa para e kapitale, dhe askush, as Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk ka ndërhyrë fuqishëm për të vënë në vend dinjitetin e drejtësisë. Është e pashpjegueshme që për një vend në KLD krijohen aq shumë ndërhyrje politike dhe jo vetëm dhe, qofsha i gabuar, por ato që dëgjojmë lartë e poshtë në popull për shuma marramendëse parash për të fituar një post të tillë si anëtar në vite, nuk mund të jenë zëra të vetmuar në shkretëtirë. “Ku ka zë, nuk është pa gjë”, thotë populli. Për të vazhduar më tej me ngjeshjen e bërrylave në shumë gjykata dhe prokurori të vendit për të zënë një vend, apo për tu klasifikuar më lartë. E kam thënë edhe në opinione të tjera, drejtësia shqiptare duhet reformuar që nga themelet dhe për të gjithë shkelësit dhe toleruesit e ligjit duhen shembuj ndëshkimor nga më shembullorët. Heqja e dënimit me vdekje në fillim të viteve ‘90, se ashtu e donte Europa, ishte sa i nxituar aq edhe i pa argumentuar për një shoqëri që sapo dilte nga izolimi dhe ku, ashtu si uthulla e izoluar që prish enën ku është mbajtur, muri që u rrëzua tregoi se poshtë gurëve të vjetër ishin fshehur shumëkëmbësh të rrezikshëm që duheshin djegur. Shumë prej tyre mësynë drejtë Europës dhe botës, duke shkarkuar atje veset e tyre të pështira, ku pjesa më e madhe mori atë që meritonte, paçka se ndaj shqiptarëve të ndershëm u hodh baltë për shkak të tyre. Hallakatja ligjore e shumë veprave penale u la dorë të lirë gjykatësve për të manovruar në favor të korrupsionit, çka solli një pasurim të tyre të rënë në sy te komshinjtë, te banorët e pallatit, të lagjes apo të qytetit, por jo në sytë e shtetit, jo në sytë e KLD-së, dhe as në sytë e politikës futë-hundëse?! Të gjitha këto e kanë bërë sot drejtësinë shqiptare si hallkën më të dobët të zinxhirit të pushteteve në Shqipëri, hallkë që duhet reformuar nga themelet. Çdo vendim gjykate duhet të kalojw në filtrin e Ministrisë së Drejtësisë dhe atje ku ka tolerime për veprat e rënda penale, duhen ndëshkime shembullore për cilindo që ka krijuar favorizime. Po shohim se si dënohen me nga 6 muaj, 9 muaj apo një vit vjedhës ordiner telefonash celular, kasetafonësh makinash, apo telash dhe kabllosh, për shkak të varfërisë dhe mungesës së bukës në shtëpi, vepra penale që mund të dënoheshim me gjoba apo punë edukuese, dhe, se si krijohen një mijë e një alibi për të lehtësuar kriminelët, pedofilët e gjithfarë qelbësirash që prodhon kjo tokë. Ministria e Drejtësisë duhet të kalojw në filtër të gjithë gjykatësit e këtij vendi, të shoh shkollimin e tyre, të marr dhe të analizojw vendimet e tyre të gjykimit, atje ku ka ankesa dhe të mos falw askënd që ka përfituar nga dhënia e një vendimi. Duhet t’i pritet dora çdo tentative që shkon sipas logjikës së fitimit për dhënien e një vendimi gjyqi. Ministria e Drejtësisë duhet të ketë të atashuar pranë gjykatave persona të kontrollit të brendshëm, ashtu si policia e shtetit, me qëllim që të goditen sekserët e gjykatësve dhe prokurorëve, disa herë edhe avokatë të veçantë me pazaret e tyre. Gijotina duhet të bjerë mbi të gjithë pedofilët dhe kriminelët atentator, apo të porositur, por edhe për të gjithë ata që kanë në dorë ndëshkimin e tyre dhe tolerojnë për shkak të shumave marramendëse që iu vihen në dispozicion, apo edhe të frikës që kanë nga dhënia e drejtësisë së vërtetë.

Rasti i pedofilit që ka masakruar 10 vjeçarin Çela dhe ka marrë peng një tjetër minoren, duhet të ngrejë në këmbë të madh dhe të vogël për të fshirë një herë e mirë nga faqja e dheut këtë fenomen të pandëshkueshëm, të një drejtësie të kalbur nga korrupsioni, frika dhe paaftësia. Duhet të kthehet urgjentisht dënimi me vdekje për të tilla vepra penale. Heqja e dënimit me vdekje në Shqipëri nuk duhet të ishte i realizueshëm 100%, por i kushtëzuar specifikisht, pasi ky mosndëshkim kapital i të tilla mostrave e përlyen keq shoqërinë shqiptare, nderin dhe virtytin e kombit tonë të lashtë. Në çdo vepër penale të rëndë që ndodh, gjithmonë shikohet precedenti penal i ligj shkelësit, por është bërë zakon në drejtësinë shqiptare të viteve të fundit, mungesa e hetimeve të thelluara, analizimi i jetës së secilit të akuzuar që nga lindja e tij e deri në momentin e akuzës. Duket qartë që në të tilla raste mungojnë hetimet e thelluara, ose ato kalohen përciptazi dhe mendja të shkon tek korrupsioni. Në këtë vend ka shumë gjëra që nuk shkojnë dhe që duhen ndryshuar apo ç’rrënjosur nga memoria e qytetarëve. Por duket që kjo mazhorancë që është sot në qeverisjen e vendin nuk ka vullnetin për të ndryshuar gjendjen kënetore ku vegjetojnë me mijëra specie regresive. Shpresa mbetet vetëm tek mazhoranca e pas 23 qershorit, e cila, siç duken bathët, do të jetë e majtë e fuqishme. Rilindja Shqiptare që përfaqësohet sot nga Edi Rama dhe PS po ndiqet me interes nga shumica e shqiptarëve, të cilët të mashtruar 22 vjet me radhë nga demokracia e deformuar dhe e korruptuar e Sali Berishës, kërkojnë një fillim të ri demokratik në jetën e tyre shqiptare. Të kërkosh sot të përfshish 16 vjeçarët në votimin e 23 janarit, është një tentativë emergjente e Sali Berishës për të mbajtur në këmbë një mazhorancë të degraduar në çdo qelizë të jetës shoqërore e morale, ku krimi dhe korrupsioni kanë deformuar jetën normale të shqiptarëve. Berisha është në panik këto kohët e fundit, pasi rivali i tij i djathtë Bamir Topi po i merr partinë. Kjo u pa qartë edhe në takimin e fundit që Topi bëri në Vlorë, ku shumica e të pranishmëve në Teatrin “Petro Marko” ishin themelues dhe anëtar të devotshëm të PD-së në vite, por të zhgënjyer dhe mashtruar.

Kjo e ka detyruar Berishën të kërkoi përfshirjen e 16 vjeçarëve në votime dhe për këtë ka nisur një lëvizje, që unë do ta quaja: “Lëvizja për shpëtim përmes 16 vjeçarëve”. Strukturat e PD-së kanë nisur listimin e 16 vjeçarëve dhe ngritjen e tyre në protesta për të kërkuar të drejtën e votës?! Kjo është parë nga PD dhe Berisha si alternativa e fundit shpresëdhënëse për të mbajtur pushtetin pas votimit të 23 janarit. Për mua kjo është një dështim dhe tentativë e pazbatueshme dhe një precedent që kërkohet më çdo kusht për mbajtjen e pushtetit. PS duhet të jetë kategorike në këtë drejtim dhe të mos guxojw t’i hedh Berishës ndonjë kamerdare “të vogël”, pasi kjo do ta komprometonte keq procesin. Asnjë referendum i stisur 3 muaj përpara zgjedhjeve nuk pi më ujë dhe nuk mund të pranohet. Kushtetuta e Shqipërisë nuk është letër bixhozi, të cilën mund ta kthesh dhe ndryshosh si të duash dhe kur të duash. Në fundin e saj Perandoria Turke nxori në skenë Xhon Turqit, të cilët u përpoqën ta mbanin ende gjallë të sëmurën e Bosforit, por ishte e kotë. Perandorisë i kishte marrë ferra uratën dhe u shkërmoq. 16 vjeçarët shqiptar janë një rini e pastër, por ende të gatshëm për tu përfshirë në vendimmarrje. Kushtetuta thotë: “Në Republikën e Shqipërisë çdo shtetas që ka mbushur moshën 18 vjeç, ka të drejtë të zgjedh dhe të zgjidhet”. Në rastin e 18 vjeçarëve duhet të ndryshojë Kushtetuta dhe ky atribut tu vishet 16 vjeçarëve, të cilët mund të jenë edhe deputet nesër?! Nuk duhet të shfrytëzojmë moshën e njomë në kohë paqe, për të arritur synimet politike. Vetëm në kohë luftë mund të mobilizohen 16, por edhe 14 vjeçarët, siç na ka treguar historia. Sidoqoftë, Shqipëria po kalon tani një periudhë shumë të vështirë, ku krimi dhe korrupsioni e kanë gjunjëzuar shtetin, por edhe ambiciet politike kanë dalë mbi interesat e qytetarëve të këtij vendi. Koha kërkon ndryshimin, kërkon rilindjen e shqiptarëve.