Çfarë kërkoni ju, zoti Mullalli?!…

587
Sigal

Reagon SHKURSH, kundër bashkimit të ushtarakëve në parti politike

Lexuam, jo pa keqardhje, artikullin tuaj të datës 21 gusht në këtë gazetë, artikull, i cili me një ndryshim në pjesën e fundit të tij, iu ngjan artikujve të mëparshëm që ju keni shkruar. Ju shprehni pakënaqësinë tuaj se përse shoqatat e ushtarakëve, dhe kryesisht drejtuesit e tyre, nuk kanë reaguar ndaj ideve tuaja. Aty ju riformuloni më të zgjeruara dhe më hapur detyrat që shoqatat duhet të realizojnë. Në mbyllje ju kërcënoni me raportimin në CIOR (Konfederata Ndërkombëtare e Oficerëve Rezervë të NATO-s) dhe EUROMIL “për marrëdhëniet tona e më gjerë”. Që prej vitit të kaluar, ju keni marrë përsipër një mision për të cilin në takimin e vetëm që keni patur me drejtuesit e SHKURSH (Shoqata Kombëtare e Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë), keni marrë informacionin e duhur dhe përgjigjen e tyre. Ju, i pandalur në rrugën tuaj, vazhdoni jo më me takime direkte, por nëpërmjet shtypit me artikuj, që në këtë të fundit dolët hapur në qëllimin tuaj “dashamirës” për ushtarakët. Në këto kushte, duke bërë përjashtim për ju nga vendimet tona, pasi nuk jeni pjesëtar i shoqatës tjetër, jemi të detyruar t`ju sqarojmë publikisht në shtyp, por edhe lexuesit e problematikës tonë në këtë gazetë. Në asnjë nga artikujt tuaj nuk duket shqetësimi që ju paskeni për problemet që kanë ushtarakët e liruar, në rezervë dhe në pension dhe aq më pak për punën e bërë nga shoqatat dhe rrugët e ndjekura për zgjidhjen e problemeve që shqetësojnë shtresën tonë. Objekti juaj ka qenë drejtuesit dhe bashkimi i shoqatave, pengesë e të cilit janë të parët. Në asnjë rast nuk keni lënë pa përmendur emrat e drejtuesve. Përmendja e emrave të tyre si persona negativ, sipas vlerësimit tuaj, flet për atë që ju nuk njihni realitetin, njëkohësisht duke fyer të gjithë kolegët tuaj, anëtarë të shoqatave (ku ju nuk bëni pjesë), se ata gjoja nuk kanë ditur të zgjedhin, apo padrejtësisht mbajnë drejtuesit e tyre. Kjo mënyrë atakimi është praktikë provokative që nuk ju nderon. Keni marrë përsipër rolin e këshilltarit dhe të ideatorit, duke rekomanduar rrugët që duhet të ndjekin shoqatat dhe drejtuesit e tyre për të arritur objektivat që kërkoni ju apo ndonjë tjetër pas jush. Se kush jua ka dhënë këtë mision apo mandat, duke mos qenë as anëtar i thjeshtë i asnjë shoqate për të cilat ju “ha meraku”, këtë nuk e thoni. Në këtë artikull, ju tregoni se jeni sa indiferent për t`u informuar për problematikat që kanë shoqatat (të paktën për SHKURSH), aq edhe i painteresuar për atë që ato kanë bërë për të realizuar misionin e tyre, për të cilin janë krijuar. Shumë shkurt duhet t`ju rikujtojmë se SHKURSH ka 16 vjet që funksionon si një organizatë me shqetësime maksimale për shtresën që ajo përfaqëson, që me përkushtimin e saj, të anëtarësisë dhe të drejtuesve ndër vite, kur ju ishit rrogëtar dhe nuk donit t`ja dinit se çfarë ndodhte me kolegët tuaj të liruar dhe në pension, kanë ditur t`u imponohen qeveritarëve dhe parlamentarëve për të hartuar e miratuar ato ligje nga të cilat kolegët tanë përfitojnë pensionet që ju i dini mirë. Kjo është arritur me këmbëngulje dhe qartësi në atë që kërkonim, si në takimet institucionale e në përfaqësimin në hartimin e projektligjeve, ashtu edhe nëpërmjet imponimit me protesta të shumta e me gjyqe deri edhe në Gjykatën Kushtetuese. Përpjekjet për përmirësimin e ligjeve në favor të kolegëve tanë, anëtarë ose jo të shoqatës, vazhdojnë pa ndërprerje edhe sot. Gjithashtu, ndihma ndaj kolegëve tanë për të realizuar edhe individualisht përfitimet që ju jep ligji është i përditshëm. Për të realizuar më mirë misionin tonë si shoqatë, ligjërisht ne kemi edhe një akt marrëveshje trepalëshe me MM dhe Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë. Përpjekjet për tu jetësuar ky akt, nga ne nuk kanë ndalur. Duhet t`ju rikujtojmë se edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, SHKURSH ka arritje jo të pakta. Në vitin 2002 është bërë anëtare e asociuar e CIOR-it, në vitin 2005 kandidate për anëtar dhe në Gusht 2009 është pranuar anëtare me të drejta të plota, ku sot Presidenti i SHKURSH është edhe Zëvendës President i CIOR-it. SHKURSH sot është anëtare e Shoqatës së Oficerëve të Detit Adriatik si dhe anëtare e Shoqatës të Ushtarakëve në Rezervë të Vendeve te Ballkanit. Si anëtare e këtyre organizatave përveç pjesëmarrjes dhe kontributit aktiv që SHKURSH ka dhënë në veprimtaritë e tyre, në kuadrin e CIOR-it ka marrë përsipër dhe ka realizuar dy `Ëorkshop` (2007, 2011) me pjesëmarrjen e gjerë të shoqatave homologe të vendeve të NATO-s dhe jashtë saj, për të cilat ka marrë vlerësime maksimale. Të gjitha këto janë arritur vetëm nëpërmjet kolegjialitetit në marrjen e vendimeve dhe veprimit të përbashkët e jo si vepër e kryetarëve siç e konceptoni ju. Nëse nuk i dini apo nuk i vlerësoni këto, është puna juaj. Deri në vitin 2009, SHKURSH ka funksionuar shumë normalisht dhe ka qenë unike në ballë të problemeve qe kishte dhe ka shtresa e ushtarakëve. Krijimi i një tjetër shoqate ushtarakësh, nga disa anëtar të forumeve drejtuese të SHKURSH, për ne ishte një vendim i pamenduar mirë, i dëmshëm, me ndikim negativ për problemet e ushtarakëve dhe misionin e shoqatës. Arsyet dhe qëllimi i kësaj lëvizje nuk na bindi pasi si statuti ashtu edhe programi i asaj shoqate nuk ndryshon nga ai që u ndan. Në statutin dhe rregulloren e funksionimit të SHKURSH është i panjohur nocioni “përjashtim”. Çdokush është i lirë të jetë ose jo pjesë e përpjekjeve tona dhe e rrugëve që ne ndjekim për të mbrojtur të drejtat e ushtarakëve. Në realitetin e krijuar domosdoshmëria e bashkëpunimit lind nga statuti dhe programi i njëjtë i shoqatave tona, konkretizimi, nga vullneti i anëtarësisë. Përsa i përket bashkimit ai nuk mund të bëhet mekanik dhe me vullnetin apo rekomandimet e njerëzve që janë jashtë strukturave dhe anëtarësisë të shoqatave në fjalë. Në kushtet kur çdo shoqatë ka të njëjtin mision, bashkimi për ne është ai që u bë në prill të vitit 1996. Këto dy probleme, në masën që na ka shqetësuar, i kemi trajtuar në të gjitha shkallët e organizimit të shoqatës, në degë, në këshillat e degëve, në Këshillin Drejtues të Shoqatës, në Bordin Ekzekutiv dhe në Prill 2012 edhe në Asamblenë e SHKURSH. Në artikullin tuaj ju na kërcënoni se në rast se ne nuk veprojmë dhe zbatojmë dhjetë detyrat që na vini përpara, do t`i drejtoheni CIOR-it dhe EUROMIL-it në mënyrë që ato të ndërhyjnë për vendosjen e një “standardi të ri” “në përputhje me kërkesat që përcaktohen në statutet e CIOR-it dhe EUROMIL-it”. Ju kujtojmë se në një artikull të botuar para disa kohësh një gjë të tillë ja keni kërkuar Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, por nuk ke publikuar apo njoftuar përgjigjen që ke marrë. Me këtë kërcënim ju tregoni se jo vetëm nuk njihni misionin e çdo njërës nga këto organizata ndërkombëtare, por as strukturat, as statutet (kushtetutat) dhe as programet e tyre. Ju kujtojmë se ato janë organizata tërësisht të pavarura, aspak tutore dhe imponuese (siç keni ju konceptin). Njëra (CIOR) është në strukturën organizative të NATO-s, ndërsa tjetra, sindikatë jashtë strukturave të NATO-s. Ato nuk merren me problemet që keni ju. Një përpjekje të tillë para dy vjetësh ka bërë një koleg i yni i cili shkruan në shtyp ku së fundi nuk ka lënë fjalë të rëndë pa përdorur duke etiketuar me to kolegët e tij ushtarak të liruar e në pension. Ai atëherë mori një përgjigje. Provojeni edhe ju! Përgjigja e nënkuptuar (se e shkruara do të jetë fare e thjesht) nuk do të rëndoj vetëm ju, por mbi të gjithë ushtarakët e vendit tonë si njerëz të pa informuar dhe të paditur për misionet, qëllimet dhe përgjegjësitë që kanë këto organizata ndërkombëtare, ku ne aderojmë. Nga dhjetë detyrat që ju na kushtëzoni, gjashtë prej tyre synojnë në atë që ju më së fundi keni merakun më të madh dhe dilni hapur. Ju kërkoni të vini shoqatat e ushtarakëve nën sqetullën e partive politike apo (detyra e nëntë) t’i bëni ato pjesë të atyre partive ku kryetarët janë ushtarakë, mbase edhe shokët tuaj. Për këtë “material konfidencial”, siç e quani ju, jemi të detyruar të rishprehemi për t`ju risqaruar: -SHKURSH ka lindur si domosdoshmëri për të përfaqësuar një shtresë të caktuar të shoqërisë- ushtarakët. Ajo ka karakter kombëtar, është pluraliste dhe nuk ndjek qëllime përfitimi. Statuti i saj është në përputhje me kushtetutën e CIOR-it. Misioni i saj është të mbaj të bashkuar ushtarakët në rezervë dhe në pension, të ruaj traditat patriotike, përvojën dhe vlerat më të mira të LANC-it dhe FA, të përfshijë ushtarakët në shoqërinë civile dhe në familjen e ushtarakëve në rezervë të NATO-s si dhe të mbroj interesat social-ekonomike të anëtarëve të saj. Në kundërshtim me këtë mision, ju kërkoni që shoqatat e ushtarakëve, për hir të zgjedhjeve të vitit 2013, të ndërrojnë apo humbasin identitetin e tyre si dhe funksionin nën pelerinën e partive politike, madje sipas detyrës tuaj të nëntë, të humbasin edhe fizikisht ekzistencën. Për këtë problem ju jeni sa i painformuar aq edhe i vonuar në misionin që keni marrë përsipër. Për të qenë apo jo pjesë e një partie politike, për të krijuar apo jo një parti politike, është diskutuar prej vitesh më parë me anëtarësinë e shoqatës dhe forumet e saj. Kjo ide është vlerësuar si provokative dhe shumë e dëmshme për shoqatën tonë. Shoqata jonë duke qenë pluraliste nuk mund të pozicionohet politikisht duke orientuar anëtarët e saj në njërën ose tjetrën parti politike, pasi çdo njëri prej tyre është i përcaktuar politikisht ose është indiferent. Në programin e SHKURSH është përcaktuar që qenia e anëtarëve të saj në radhët e partive politike të shfrytëzohet prej tyre për t`i sensibilizuar ato dhe mbrojtur interesat e tyre në këto parti. Praktika e deritanishme ka treguar se ushtarakët, anëtarë të forumeve të partive politike, përfshi edhe deputetë, nuk kanë mundur t`u imponohen forumeve për zgjidhjen e problemeve te shtresës nga ata vijnë. Partitë kanë programet dhe objektivat e tyre, në radhë të parë politike. Deri tani partive u jemi imponuar duke qenë jashtë dhe pavarësisht prej tyre, me anë të qëndrimit të anëtarësisë dhe të forumeve tona. Shoqata e ushtarakëve është dhe do të jetë jashtë ndikimeve të partive politike përsa kohë të ketë ushtri dhe ushtarakë te liruar e në pension. Partitë politike hipin dhe bien nga pushteti, shoqata ushtarake e konsoliduar, si në të gjithë vendet demokratike të botës, i shfrytëzojnë ato për të realizuar misionin e tyre. Në këto kushte duke u pozicionuar politikisht shoqata humbet karakterin, misionin, funksionin dhe identitetin e saj, humbet mbështetjen e gjerë nga anëtarësia, por edhe lidhjet dhe përkrahjen ndërkombëtare. Nga ana tjetër, ne do të mbështesim dhe përkrahin ato parti të cilat premtojnë dhe punojnë për të na ndihmuar në realizimin e programit dhe misionit tonë. Zoti Mullalli, është më produktive që ju të aderoni në një nga shoqatat ku e shikoni veten më komod dhe që aty të merrni përgjegjësit që ju mendoni dhe kudo që të pozicionoheni mos ngatërroni shoqatën me partitë.

Vlash Bushi
Hekuran Bajrami
Thoma Konduri

Anëtarë të Bordit Ekzekutiv të SHKURSH