Cafo Boga: Dita e diasporës

189

“Nisma e qeverisë shqiptare për diasporën ka mbetur vetëm një formalitet. Duhet të krijojnë institucionet e nevojshme për të zhvilluar në mënyrë më sistematike lidhje më të forta me diasporat shqiptare në mbarë botën.”

Sigal

Sipas një postimi të Kryeministrit Edi Rama në FB, sot në Tiranë u festua Dita e Diasporës dhe u mbajt mbledhja e Këshillit Koordinues. Për të kontribuar në festimin e kësaj dite, po postoj një artikull me titull “Diaspora Shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës” botuar në vitin 2019 në revistën “Turizmi Shqiptar”.

Në fakt, as që e dija që ka një datë të dedikuar si Dita e Diasporës, por m’u kujtuan menjëherë përpjekjet e Kryeministrit Edi Rama, nëpërmjet ish-ministrit të Diasporës, zotit Pandeli Majko, për të krijuar diçka që të forcojë marrëdhëniet ndërmjet diasporës dhe atdheut amë, një çështje thelbësisht e pazhvilluar dhe e pashfrytëzuar. Nga kjo nismë duket se ka dalë dhe Këshilli Koordinues. Çdo përpjekje në këtë drejtim është e mirëpritur dhe duhet përshëndetur, por duhet shtruar pyetja, a është bërë në mënyrë korrekte dhe a është mjaft gjithëpërfshirëse? Sipas të gjitha normave ndërkombëtare, Shqipëria, si shtet pritës (host state), ka për detyrë të kujdeset dhe të mbrojë të drejtat kombëtare të të gjithë shqiptarëve, që jetojnë në trojet e tyre historike, që kanë mbetur jashtë kufijve gjeografikë të Shqipërisë. Ky detyrim citohet edhe në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë ku, përveç kësaj, Shqipëria është e detyruar të mbrojë të drejtat e shqiptarëve me qëndrim të përkohshëm ose të përhershëm jashtë kufijve të saj, dhe në të njëjtën kohë të ndihmojë në ruajtjen e trashëgimisë së tyre kulturore. Shtrohet pyetja, duke qenë se mbrojtja e të drejtave kushtetuese i takon Presidentit të Republikës, atëherë e kujt është kjo detyrë, e Kryeministrit apo e Presidentit?

Por tani kemi edhe një shtet tjetër shqiptar – Kosovën, e cila gjithashtu ka një diasporë pothuajse aq sa Shqipëria. Në shtete të tjera ku shqiptarët jetojnë në trojet e tyre historike, situata nuk është e njëjtë, disa vende u kanë mundësuar të formojnë Këshillin (ët) Kombëtar (si Mali i Zi), për të mbrojtur dhe ruajtur trashëgiminë kombëtare të pakicave, duke përfshirë edhe gjuhën e tyre – ndërsa në disa të tjera (si në Greqi) minoritetet shqiptare as që guxojnë të flasin.

Sa i përket shqiptarëve që kanë emigruar jashtë, ata janë të vendosur në çdo cep të botës, prandaj kemi jo vetëm shumë diaspora brenda një vendi, por edhe shumë vende me diasporë shqiptare. Shqiptarët jashtë vendit, pavarësisht se nga vijnë, e ndiejnë veten si një komb. Prandaj, marrëdhëniet mes atdheut dhe diasporës, si dhe marrëdhëniet midis shtetit pritës të Shqipërisë dhe shqiptarëve jashtë vendit, janë një sfidë e ndërlikuar, për të cilën deri më tani është folur shumë pak dhe shumë më pak është bërë.

Përfundimi është se, për mendimin tim, nisma e qeverisë shqiptare në fillim nuk ishte e mjaftueshme, nuk ka evoluar dhe ka mbetur vetëm një formalitet. Shqiptarët duhet të bëjnë një qasje organizative shumë më të mirë, më gjithëpërfshirëse dhe duhet të krijojnë institucionet e nevojshme për të zhvilluar në mënyrë më sistematike lidhje më të forta me diasporat shqiptare në mbarë botën. Le të shpresojmë që gjeneratat e reja të politikanëve shqiptarë t’ia dalin dot këtij qëllimi!