Bashkim Koçi/ Vaip Çepani, një legjendë

1087
Sigal

Bëmat e Vaip Lute Gogos, heroizmi dhe trimëritë e tij të demonstruara gjatë Luftës së Dytë Botërore për çlirimin e vendit nga nazifashistët, janë tashmë si një legjendë. Si një legjendë që të mahnit kur brenda saj shikon njeriun “e çmendur”, i cili, as më shumë e as më pak,  kërkonte  me çdo çmim drejtësi në Botë, i kërkonte “gjerman mavrisë” të largohej për në shtëpinë e vet, të kthehej pa një pa dy andej nga kishte ardhur. Dhe nuk i lutej të ikte me të mirë, me “bisedime diplomatike”,  por duke u ndeshur me të, duke i kërkuar hesap me luftë, “zjarr me zjarr”, ashtu si ia kishin mësuar  babai dhe gjyshi “ pushtuesi, biri im, largohet veçse me armë, duke i treguar me vepra e jo me fjalë që ky vend ka zot”.

U bënë 70 vjet. Është vërtet kohë e largët, goxha e largët kur bëjmë fjalë për Luftën Nacional-Çlirimtare, kur kujtojmë për të nderuar të gjithë ata që vunë “zemër e shpirt” në shërbim të saj.  Ajo, sigurisht, bën të sajën, e hedh pa kursim pjesën e pluhurit të harresës, por  nuk mund  të humb  apo zvogëlojë  dimensionin e ngjarjeve të mëdha, të cilat ashtu si dikur edhe sot u jepnin shkëlqim faqeve të shkruara të historisë së Kombit. Ca më pak ka ndodhur kjo me heroin tonë, me atë ç’ka lidhet me jetën dhe “luftën me mitraloz në krah” të Vaip Çepanit. Ato veçse janë lartësuar, janë kuadratuar si në një epope.

Kundër të keqes duhet luftuar, duhet sakrifikuar qoftë dhe për fëmijët, për brezat që vijnë. Kush e duron e meriton, nuk i ka faj kush për çka ndodh më pas. Vaip Gogo mbeti gjatë gjithë jetës së tij, por sidomos kur e keqja të kërkonte kokën, luftëtar, “i krisur” për të mbajtur mbi shpinë më shumë, aq sa edhe sot e kësaj dite mbetet “njeri enigmë”, i paparashikuar për atë që bëri në luftë dhe shpërblimin që mori prej saj. U bë pjesë e Frontit Antifashist në moshën 24 vjeçare, atëherë kur mendja ja thoshte se mund të heroizohej si Heronjtë e Vigut, të cilët i njohu personalisht dhe e përjetoi si “të parë me sy” atë dyluftim të papërsëritshëm të jetës së tij. Thuhet se aty Vaipi paska bërë një betim, paska dhënë fjalën, jo përpara ndonjë eprori apo formacioni luftarak, por ndërgjegjes së tij, Vaip Çepanit, se nuk do t’i ndahej pushtuesit deri në fund, deri sa “ta përcillte me armë” përtej kufijve shtetërorë, në Mal të Zi e më tej.

 Unë nuk e di mirë, nuk jam kompetent të them se ç’cilësi duhet të ketë një njeri, një pjesëmarrës në Luftën Nacional-Çlirimtare, ç’duhet të  mund të bëjë një luftëtar për t’i dhënë titullin Hero. Jo, nuk jam në gjendje të jap asnjë shpjegim. Ajo çka jam “kompetent” të rrëfej, edhe pse ato janë  bërë të njohura e dihen nga të gjithë, është historia e pashoqe, ndër më të pabesueshmet e Vaip Çepanit në më shumë se dy vjet i inkuadruar  në formacione  partizane. Gjej rastin të bëj të njohur “itinerarin” e tij të luftimeve, i cili ngjan si një “sajesë” kur thuhen e rreshtohen  edhe një herë pas kaq dekadave të largëta. Vaip Gogo ishte i kudondodhur, në të gjitha ngjarjet luftarake, absolutisht në të gjitha, të cilat njihen si nga më të mëdhatë, nga ato që i kanë dhënë shkëlqim të veçantë luftës partizane. Beteja e famshme e Tendës së Qypit, e qafës së Shkozës, të qafës së Sqepurit, Paraspuarit, Fushë- Peshtanit, Elbasanit, Pukës, Matit, Gëziqit, Zadrimës, në çlirimin e Beratit, në Mal të Zi etj. të japin përfytyrimin  se ky paska qenë më shumë se hero. E ç’detyra nuk ka kryer, ç’urdhra nuk ka zbatuar ky ikanik për të ndjekur armikun, për të mos iu ndarë luftës deri në çlirim të plotë të vendit e më tej, në territoret e Jugosllavisë. Doni të njiheni me përgjegjësitë, doni të merrni vesh cilat ishin shkallët e ngjitjes në hierarkinë e formacioneve partizane të Vaip Çepanit? Zbulues, informator, korrier, shoqërues, mitraljer, komandant skuadre, zv. komandant kompanie, komandant kompanie dhe “gradimi” më i lartë, zv, komandant batalioni në Brigadën e 7-të Sulmuese. E ç’mund t’i kërkoje më, a ka, a dini ju ndonjë pozicion tjetër që mund ishte privilegj për partizanin Vaipin, i cili ishte me nivel të ulët arsimor?

Të gjithë janë të mirë kur kuptojnë vuajtjet e një miku, por duhet një shpirt vërtetë i madh që të mund të gëzojë për sukseset e tij. Partizani Vaip Çepani në “karrierën” e tij si luftëtar, si partizan i formacioneve të ndryshme, nuk la vend, nuk krijoi asnjë boshllëk për të marrë vlerësime maksimale nga bashkëluftëtarët, nga ata me të cilët vuri kokën në rrezik. “Luftëtar dhe organizator të rrallë”, do ta cilësonte Teki Veleshnja në luftimet e Qafës së Kiçokut; Vala Frashëri e konsideroi “si një tigër” për  trimërinë e pashembullt që tregoi Vaipi në një nga përpjekjet më të  pazakontë me forcat gjermane në qytetin e Elbasanit; Nyqerem Fuga e quante Hero të pashpallur”, ndërsa Gjeneral- Leitnant Qazim Kapisyzi e shpallte “dy herë Hero”; Bashkëluftëtarët e tij Njazi Braçe, Sabri Sevrani dhe Aqif  Ylli e kishin radhitur  “si një nga trimat më të mirë të Skraparit”;  Xhevahir Spahiu e poetizoi me vargun brilant “më shumë hekur se njeri”.

Atëherë përse nuk e mori titullin “Hero i Popullit” Vaip Gogo? Kësaj pyetjeje është e vështirë që të mund t’i përgjigjesh, aq më pak unë autori i këtyre radhëve. Por, sipas mendimit tonë, asnjëherë nuk është vonë që këtij Heroi të vërtetë të Luftës Nacional-Çlirimtare të mund t’i jepen vlerësimet maksimale, as më shumë e as më pak, por ato që meriton. Në rrugëtimin e jetës njeriu takon më shumë maska  dhe shumë pak fytyra. Kjo është një e vërtetë e pakundërshtueshme, gati-gati sëmundje e njerëzimit e të gjitha kohërave. Edhe Vaip Çepanit kështu i ngjau, nuk iu ndanë “maskat” gjatë gjithë jetës së tij relativisht të gjatë. U përball me to që kur ishte partizan, gjatë luftës, por më shumë “maska” ia zunë udhën pas vendosjes së Pushtetit Popullor. Ai nuk i deshi kurrë, nuk u bë asnjëherë krah me ta dhe për më tepër i injoroi. Shumë punë nuk i pëlqenin, madje i dhembte shpirti kur konstatonte se ato nuk kishin qenë në “programin” për të cilin ai kish luftuar. Nuk u ngjit kurrë në podiume edhe pse e meritonte, nuk kërkoi kurrë privilegje, edhe pse të tjerët, shumë më pak kontribuues se ai në Luftë, u bënë “të mëdhenj” në saje të servilizmit e huqeve të tjera, të cilët Vaipi i pështiroste. Tregojnë se kur erdhi në Skrapar një ndër kuadrot më të larta të shtetit të asaj kohe, bashkëkohës dhe bashkëluftëtar, Adil Çarçani, atëherë kryeministër, e pa Vaipin tek shëtiste me nipin e tij, krejt i shkujdesur.

-Kush është ai, më duket si Vaip Gogo?, kish pyetur shoqëruesin vendas Adil Çarçani.

-Ai është, Vaipi, Vaip Gogo, ia ktheu përgjigjen tjetri.

-Ma thirr, thuaj të vijë e ta takoj se e kam patur shok në luftë, kemi qenë bashkë në Brigadën e 7-të, kish këmbëngulur Adili.  Vaipi i kishte parë, e kishte njohur, por nuk pati asnjë ndjesi, aspak dëshirë që ta takonte njeriun me të cilin kishin luftuar në një llogore. Megjithatë e thirrën. Të dy luftëtarët e dikurshëm të Brigadës së 7-të Sulmuese u gjendën ballë për ballë njëri tjetrit. Ishte viti kur Mehmet Shehu kish vrarë veten.

-Na tradhtuan shokët Vaip, besoj se ti e ke dëgjuar dhe e ke dënuar këtë veprim armiqësor.

Vaipi nuk kish folur, por aty për aty, me një qetësi që është një ndër pronat  e trimave të vërtetë, i kish rënë dy-tri herë, nga lart poshtë, barkut të fryrë Kryeministrit, ish Komisarit të Brigadës, ku ai ish dalluar si një luftëtar i pashoq.

-Kini kujdes Adil, kini kujdes, barku tënd ka vënë shumë dhjamë!

 Dhe ishin ndarë pa bërë asnjë muhabet tjetër, si të mos  ishin takuar kurrë.

Periudha më e ëmbël e jetës është kur ke zbritur  deri në fund pa u rrokullisur. Vaip Gogo ishte dhe mbeti një ndër të rrallët personalitete popullorë, i cili e mbylli jetën ashtu si desh, mes miqsh e shokësh që e deshën pa hile. Nuk i mbeti borxh kujt, ca më shumë vendit, Shqipërisë. Të tjerët mbetën borxh tek ai, ata që e harruan dhe e lanë atje në Çepan, pa treguar qoftë dhe një kujdes njerëzor, ashtu si ai e meritonte. Sa mirë është të kesh plotësuar dëshirat e tua dhe t’i lësh pas vetes! Këtë privilegj, si rrallëkush, e pati Vaip Luto Gogo nga Çepani i Skraparit.