Bardhyl HAZIZAJ/Çfarë kërkojmë ne ushtarakët dhe pse pikërisht tani!

492
Sigal

Ne ushtarakët kërkojmë nga Qeveria e sotme, por edhe nga ata që do të vijnë nesër në pushtet:

1. Zbatimin e ligjeve për reformat në Forcat e Armatosura.

2. Sigurimet shoqërore të zbatojnë ligjin Nr.7491/1991 i ndryshuar me ligjin 9210 datë 23.03.2004 (Statusin e Ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë).

3. Analiza e shkeljeve të ligjeve nga institucionet e shtetit për të drejtat social-ekonomike të ushtarakëve në rezervë, lirim, pension pasi deri tani janë cenuar disa parime bazë të shtetit të së drejtës siç janë: a)Parimi i barazisë para ligjit dhe i mosdiskriminimit. b)Parimi i moscenimit të së drejtës se fituar më parë me ligj. c)Parimi i sigurisë juridike, ku askush nuk duhet të ndjehet i shqetësuar, i kërcënuar nga ndryshimet e ligjeve.

Shqipëria nuk po ecën përpara por në shume drejtime po bënë hapa mbrapa. Karakteristikë e kësaj periudhe janë ndërhyrjet e shumta në legjislacion me modifikimet e nxituara –duke shkelur Kushtetutën. Një mospërfillje për Kushtetutën e dëmton shumë vendin. Si rrjedhojë vendi është futur në amulli të plotë ku mbretëron kaosi, frika. Gjatë viteve të tranzicionit legjislacioni shqiptar ka pësuar disa herë ndryshime. Shpesh herë Parlamenti, Qeveria, hartojnë e nxjerrin ligje nga nevoja praktike dhe nuk ju referohen ndonjë modeli kombëtar apo të vërtetave teorike. Kemi kopjuar modelet më negative të Europës dhe po vuajmë akoma nga sindroma e imitimit.

Shteti tek ne është zëvendësuar me pushtetin e pushtetmbajtësin që e unifikon veten me ligjin dhe bën ligje mbi ligjin. Vendi qeveriset nga burokrate kapadainj, e të korruptuar. Praktika e deritanishme ka treguar se Qeveria dhe Kryeministri i vendit asnjëherë nuk kanë qenë shumë bindës në fshehjen e gënjeshtrave dhe manipulimin e fakteve duke dhënë shembullin më të qartë, se liri e të drejta në Shqipëri nuk do të ketë.

Kryeministri i urren ushtarakët. Urrejtjen e ka shprehur hapur me gojë, me VKM, me Akte Normative, me udhëzime pa numër e pa datë, duke i cunguar dhe mohuar të drejtat e ushtarakëve të sanksionuara në Statusin e Ushtarakut, Kushtetutën e RSH, dhe në konventat ndërkombëtare. Jeta u soll ashpër me ne pasi sakrificat tona dhe familjeve tona u injoruan.

Ndryshimi i sistemit dhe demokracia në Shqipëri sollën shumë të mira për shumë shtresa ekonomiko-shoqërore, ndërsa ne ushtarakët, u privuam nga këto të drejta. Kori demokrat ndoqi politikë poshtëruese e dashakeqe ndaj ushtarakëve. Shoqëria është e trullosur, e trullosur është edhe qeveria dhe politikanët tanë. Ushtarakët i kanë shërbyer me devocion vetëm Kombit, mbrojtjes së Atdheut, me një përkushtim maksimal ligjor, shpirtëror duke mos kursyer asgjë. Patriotizmi i ushtarakut u demonstrua në mënyrën më të shkëlqyer nga Kolonel Myslym Pashaj, që denoncoi publikisht shitjen e hapësirës detare, Greqisë, duke mos marrë parasysh rrezikun që i kanosej për jetën dhe sensibilizoi gjithë shoqërinë shqiptare deri sa e zgjuam edhe “ariun nga shpella”. Jemi larguar nga ushtria me urdhër dhe jo me dëshirë. Na është mohuar e drejta e ushtrimit të profesionit. Nuk na është dhënë asnjë mundësi për tu punësuar gjatë 22 vjetëve, por jemi parë nga politika si “armiq”. Pasurinë e ushtrisë e shitën dhe e shpërdoruan politikanët dhe militantët e partive që nuk i lidhte asgjë me ushtrinë. Demokracia lejoi shumë gjëra të mira për shtresa e profesione të ndryshme, por për ushtarakët i mbylli të gjitha shtigjet. Lejohet krijimi i Policisë private e detektiv privat ka, por ushtri private nuk lejohet.

Ku qëndron barazia dhe e drejta kur vet qeveria shkel ligjet e shtetit?

Në prag fushate elektorale partitë përpiqen të tregohen dashamirëse ndaj ushtarakeve për të marrë përparësitë ndaj njëra-tjetrës që të marrin mbështetjen e ushtarakëve. Tani është rasti të tregojmë vlerën e votës tonë, mos t’ia japim atij që na ka gënjyer.

Gjatë këtyre zgjedhjeve është shfaqur një fenomen i çuditshëm ku një pjesë e elektoratit është i pavendosur dhe i gatshëm të tradhtojë sa po t’i kërkohet, pasi klasa politike e njeh mirë psikologjinë e individit shqiptar. Të habit fakti që shumë vetë janë ç’orientuar politikisht dhe janë kthyer në vegla aktive të qeverisë në përçarjen e popullit.

Presioni i Faktorit të jashtëm mbi opozitën më 2005 e ktheu përsëri Sali Berishën në pushtet, për të parë si spektator ndeshjen me gladiatorët shqiptarë. Propaganda qeveritare, dhe ajo gjoja e pavarur, ka krijuar situate mjaft të vështira për Opozitën duke e akuzuar si nxitëse e manipuluese e turbullirave. Këto dekada është vërtetuar plotësisht se faktori i jashtëm është determinant në politikën shqiptare. Klasa jonë politike nuk ka nxjerrë mësime nga historia. As Brukseli, as SHBA, nuk mundin t’u bëjnë ballë intrigave dhe kërkesave të “miqve” të vet shqiptarë, që kërkojnë ndihmë për ta mbajtur pushtetin ose për të ardhur në pushtet dhe që u premtojnë besnikëri e bashkëpunim, kurse në rastin e parë ata e ndërrojnë orientimin.

Ta kemi të qartë se presioni i faktorit të jashtëm dhe i Qeverisë ndaj Opozitës do të rritet, që zëri i saj të shuhet nga zhurmat shurdhuese. Zgjedhjet sivjet zhvillohen në një situatë shumë të vështirë ekonomike, politike, morale e juridike. Padyshim e ardhmja politike i takon asaj partie që ka mbështetjen e faktorit të jashtëm dhe të popullit, veçse, kjo e ardhme që të jetë sa më jetëgjatë politikanët shqiptar duhet të braktisin sa më parë atë “thesin” mitologjik të hakmarrjes, të ngelur në duart e të birit, pasi kishte hedhur në lumë të atin. Kjo situatë mund të zhbllokohet vetëm në qoftë se BE dhe SHBA të ndryshojnë politikën dhe të pranojnë realitetin tepër të komplikuar  ku “djajtë” dhe “shtrigat” kanë dalë sheshit.

Gjykata  Kushtetuese ka vite që nuk shprehet dot për antikushtetutshmërinë e disa karakteristikave të  Ligjeve për ushtarakët që kërkojnë deklarimin e saj,në praktikë ajo jep interpretim zyrtar. Kjo ka bërë që qytetarët të argumentojnë natyrën e Gjykatës Kushtetuese, e cila deri tani etiketohet “si një ligjvënës negativ”, ose krahasohet “si një parlament që bën leksione”, pasi deri tani me zvarritjet, justifikimet dhe interpretimet e saj zyrtare me shkrim dhe me gojë sqaron rregulla të paqarta dhe abstrakte, duke pranuar de fakto nënshtrimin e saj ndaj politikës. Heshtja tregon frikë. Sa kohë i duhet Gjykatës Kushtetuese të shprehet për disa ligje që miratohen me nxitim nga Parlamenti dhe që shkelin Kushtetutën dhe ajo luan rolin e sehirxhiut.

Neni 132 i Kushtetutës thotë “Vendimet e Gjykatës Kushtetuese kanë fuqi detyruese të përgjithshme dhe janë përfundimtare…”. Ku e ka forcën ky Nën Kushtetutës kur nuk bind as institucionet e shtetit dhe Gjykatën Kushtetuese, e cila e rishqyrton tre here të njëjtën çështje për ushtarakët? Në Nenin 168 të Kushtetutës pika 1. Përcakton: “Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë përbëhen nga forcat tokësore, detare dhe ajrore”. Si ka mundësi që Qeveria i fut në një thes Forcat e Armatosura me policinë private, pyjore, ndërtimore, gjyqësore, bashkiake. Është koha për t’i kërkuar llogari qeverisë. Ai që ka pushtetin më të madh të mbajë përgjegjësinë më të madhe. Kujt duhet t’i drejtohemi ne kur vetë shteti shkel Kushtetutën?