Avokat Edmond Petraj: Në majën e një prej perlave më të bukura të Shqipërisë!

Thethi nuk është thjesht një fshat.

Është zemra që rreh për turizmin e ndershëm, mikpritjen tradicionale dhe mbijetesën e një komuniteti, që jeton me dinjitet në një realitet të ashpër malor.

Sigal

Por shteti shqiptar, në vend që të jetë mbështetës dhe garant i zhvillimit të drejtë, po shndërrohet në një mjet presioni dhe padrejtësie, duke goditur pikërisht ata që mbajnë gjallë shpresën në male familjet e zakonshme që ndërtojnë me djersë një biznes të vogël për të jetuar.

Prishja e një biznesi familjar në Theth nuk është thjesht një akt administrativ është një dhunim i të drejtës për të jetuar, për të punuar, për të ndërtuar një të ardhme në tokën tënde. Është një rrëmbim i së ardhmes së një familjeje dhe një mesazh i errët për gjithë të tjerët… “Mos guxoni të zhvilloni vendin tuaj pa lejen e nënës shtetërore.”

A mund të ketë ndonjë justifikim që një shtet i tërë, me gjithë institucionet e tij, të mos jetë në gjendje të dialogojë, të legalizojë, të ndihmojë, por të dërgojë fadromat për të rrëzuar murin e një përpjekjeje njerëzore?

A ka ndonjë sens ligjor, moral apo njerëzor që një familje të ndëshkohet për guximin për të qëndruar në fshat dhe jo për ta braktisur për Tiranën, emigracionin apo pashpresën?

Jo, ky nuk është një shtet funksional.

Ky është një aparat i deformuar që di vetëm të ushtrojë pushtet mbi më të dobëtit.

Në vend që të krijojë politika për zhvillimin e zonave të thella, për legalizimin e ndërtimeve tradicionale dhe mbështetjen e turizmit rural, ai zgjedh rrugën më të lehtë: dhunën institucionale. Nuk godet pallatet e oligarkëve, nuk shkatërron betonin e bregdetit, por zbulon “krimin” në një shtëpi pritjeje në Theth!

Përgjegjësia e shtetit në këtë rast është totale. Ligji ekziston jo për t’u përdorur si shkop ndaj fshatarit, por si instrument për t’i dhënë mundësi ligjore zhvillimit dhe ndërtimit të qëndrueshëm. Kur një ndërtim është pa leje, kjo është përgjegjësi e përbashkët: e shtetit, që nuk ka krijuar asnjë rrugë për legalizim, dhe e qytetarit që s’ka rrugë tjetër për të jetuar.

Të gjithë ata që i kanë zënë tokat publike me resorte gjigante në bregdet i kemi parë të shpallen “strategjikë”.

Por në mal, aty ku vetëm dashuria për vendin të mban, çdo tendë dhe çati bëhet “krim ndërtimor”.

Ky është standard i dyfishtë, padrejtësi e trefishtë dhe një padrejtësi e thellë që duhet ndalur me forcën e mendjes dhe të ligjit.

Thethi nuk ka nevojë për fadroma, por për një dorë shteti që nuk godet, por mbështet.

Shteti nuk duhet të jetë armiku i qytetarit, por aleati i tij.

Dhe po qe se ky shtet nuk mbron më fshatin, atëherë fshati ka çdo të drejtë morale dhe njerëzore të vetëmbrohet.

Shkroi në mbështetje të banorëve të Thethit dhe në mbështetje të gjithë atyre që ndihen të dhunuar nga shteti.