Prof. Dr. Bajram Hysa: Të hartohet një ligj të ri për Shkencën

597
Sigal

Miratohet në  heshtje frymëzuar nga PPP-të  dhe koncensionet vrastare buxheti i vitit 2021

Ku janë fondet për kërkimin shkencor? Shqipëria renditet në vendet e fundit në rajon përsa i përket fondeve të parashikuara për kërkimin shkencor në Universitete. Buxheti për arsimin dhe shkencën në vendin tonë nuk ka kaluar asnjëherë 3% të PBB

Para disa ditësh u miratua në mënyrë gati klandestine  dhe në  heshtje buxheti i vitit 2021. Me një arbitraritet egoist, të frymëzuar nga PPP-të  dhe koncensionet vrastare dhe jo nga interesat kombëtare. Një buxhet i ri duhet të ngjallë shpresë të re, të fshijë nga kujtesa zhgënjimet e shkuara, mosbesimet irracionale. Hartimi i tij duhet të jetë një detyrë e përbashkët pozitë – opozitë, ku mosbesimi të zëvëndësohet me një solidaritet interesash me karakter kombëtar, ku të parashikohen ndryshime të ndjeshme në ekonomi, në klauzolat mbrojtëse, për të kufizuar rreziqet kur ndërmerret sprova e një konkurrence të re, duke harmonizuar kushtet e prodhimit, legjislacionet, masat e pagesave dhe shpenzimeve, me qëllim që edhe vendi ynë të jetë në gjendje të mbështesë ballafaqimin e  lirë me të tjerët, sidomos me vendet e rajonit.  Buxheti i ri u miratua pa asnjë debat publik, pa sugjerime nga këshillat shkencorë dhe grupet e interesit.  Qëndrimi më i keq në politikë është pavendosmëria, apo marrja e vendimeve të njëanshme dhe kontradiktore.

Braktiset kërkimi shkencor

Buxheti për mbështetjen e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë në vitin 2021 llogaritet në 43 miliardë e 314 milionë lekë me një rritje prej 4.2 % më shumë se vitin e kaluar, ndërkohë që  shtohet vetëm fondi 3.5 miliardë lekë për rritjen e pagave me 15% në sektorin e arsimit që hyn në fuqi në 1 janar të 2021. Në raport me prodhimin e brendshëm bruto shpenzimet për arsimin zënë 2.57%”. Ku janë fondet për kërkimin shkencor? Shqipëria renditet në vendet e fundit në rajon përsa i përket fondeve të parashikuara për kërkimin shkencor në Universitete. Buxheti për arsimin dhe shkencën në vendin tonë nuk ka kaluar asnjëherë 3% të PBB, kur standardi i vendeve në zhvillim ose të vendeve të rajonit është minimumi 5%.

Kërkimi shkencor është jo vetëm baza e arsimit të lartë dhe edukimit, por promotor  i inovacionit, i konkurrencës së lirë dhe zhvillimit. Nëse braktiset kërkimi shkencor braktiset gjithçka. Braktiset themeli i një realiteti që ndërtohet progresivisht. Pa një startegji të kërkimit shkencor  në Universitete dhe qendra kërkimore, ekonomia dhe zhvillimi ynë kombëtar nuk mund të jenë në lartësinë e provës për t’iu përshtatur rrethanave të reja të një gare dhe bashkëpunimi rajonal e ndërkombëtar. Kështu do të kërcënohej e ardhmja jonë evropiane, qytetërimi ynë perëndimor. Ndryshe indirekt do të mbeteshim një vend i varur, pa identitet, neokolonial. Kërkimi shkencor nuk  duhet të mbetet peng i ligjvënësve partiakë, apo mercenarëve të rrugës me mandate deputetësh, por të jetë detyrim kushtetues për këdo që qeveris vendin. Me qëllim që bashkësia shkencore të vazhdojë normalisht aktivitetin e saj, që bashkësia shqiptare të jetojë jetën e vet të mirëfilltë, jashtë huqeve dhe humoreve të politikës së ditës. Për këtë arsye duhet të hartohet një ligj i ri për shkencën dhe zhvillimin teknologjik e shkencor, ku kërkimi shkencor të mos konsiderohet si luks apo  privilegj, por të mbështet me fonde speciale, të pavarur nga buxheti për mbështetjen e Ministrisë së Arsimit. Çdo qeveri duhet  ta mbështesë e të ndihmojë kërkimin shkencor, duke mos e lënë  si nismë individuale të personave.  Pra Shqipërisë i duhet një bazë e re ligjore për kërkimin shkencor, veçanërisht në këtë situatë të rëndë ekonomike, me çrregullime të rënda institucionale dhe rrëshqitje të pareshtura në zhgënjime sociale.

Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit pasojnë përgjegjësinë e mungesës së fondeve. Shpenzimet e larta administrative të institucioneve publike të arsimit të lartë kanë ngritur pikëpyetje, duke u shfokusuar nga kërkimi shkencor te shpenzimet dhe fryrja e administratës. 

Sipas ligjit të Arsimit të Lartë, i miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë në vitin 2015, një nga misionet e arsimit të lartë është integrimi i mësimdhënies me kërkimin shkencor.Përveç rolit si krijues dhe rregullator i institucioneve të arsimit të lartë, shteti ka gjithashtu detyrimin ligjor për të financuar kërkimin shkencor.

Alibia qeveritare

 Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit janë shprehur se “përgjegjësia më e madhe e mungesës së fondeve për kërkimin shkencor, është e institucioneve, që nuk i kanë dhënë vëmendjen e duhur angazhimeve që duhet të kemi në nivel projektesh dhe programesh evropiane”.

Këtu mund të themi se kanë pjesërisht të “drejtë”, pasi është fakt që zërat akademikë çuditërisht kanë heshtur, nën trysninë e interesave të momentit dhe të karrierrës pesonale. Janë ngritur shumë pikëpyetje mbi shpenzimet e larta administrative të institucioneve publike të arsimit të lartë, duke u shfokusuar  nga kërkimi shkencor te shpenzimet dhe fryrja e administratës. Kjo mbart rrezikun që ata të bëhen bashkëfajtorë në çështje moralisht të papranueshme.Bashkësia e akademikëve dhe profesorateve duhet të ndihmojë patjetër në mbushjen e boshllëkut midis asaj që dimë dhe asaj që mund të bëjmë, duke mos e lejuar politikën të marrë vendime në emër të mbarë shoqërisë dhe jo të shfaqen skeptikë në cilësinë e kërkimit shkencor në Shqipëri me pretendimin se ne nuk kemi mundësi të bëjmë ndonjë zbulim shkencor për arsye se këto kushte kemi, këtë nivel formimi kemi, këto kritere kemi etj,.

Shqipëria në “rreth të mbyllur”

Vendi po përballet me një krizë ekonomike, e cila dita – ditës po bëhet edhe më e rëndë. Kjo krizë do të thellohet më tej nëse nuk do t’u kushtohen fonde të mjaftueshme shkencës, teknologjisë dhe zhvillimit të burimeve njerëzore. Tashmë është krijuar një rreth i mbyllur; nga njëra ana mungojnë  burimet për të caktuar fonde për shkencën, nga ana tjetër nuk mund të ekzistojë zhvillimi i mundshëm për mbështetjen e shkencës dhe teknologjisë.

Ka 30 vjet që Shqipëria kërkon vetëveten pa e ditur se të ardhmen e ka në duart e veta. E vetmja gjë që na mungon është një  minimum mirëbesimi, një minimum interesash të njëjta, pa të cilat nuk mund të arrihet një bashkëpunim kombëtar. Shërbimi ndaj shkencës dhë kërkimit shkencor është një shërbim ndaj shoqërisë shqiptare, njëlloj si detyra që na dikton besnikëria ndaj kombit.  Ndryshe nuk mund të integrohemi kurrë. Ndryshe do të vazhdojë hemorragjia e trurit, ikja e specialistëve dhe kërkuesve shkencorë.

Më kujtohet vazhdimisht një thënie e Henry Noel Brailsford, intelektual dhe gazetar politik  i famshëm britanik i fillimit të shekullit të kaluar. Duke u mbështetur në fuqinë krijuese të racës shqiptare, të cilën e njihte mirë, ai shkruante me optimizëm:“Nëse krijohet ndonjëherë një Shqipëri autonome, shqiptarët e arsimuar, që janë shpërndarë…, pa dyshim që do të kthehen të drejtojnë bashkëkombasit e tyre. Ka mes tyre burra që do të ishin nder i cilit do komb”.

Sa për qeveritë që kanë drejtuar deri sot vendin, them se  duhet t’i drejtojë vetes pyetjen, njëlloj si Erwin Rommel, Fushesë marshalit gjerman të Luftës së Dytë Botërore: “Si do të na  gjykojë historia? Nëse do të kemi sukses, të gjithë do të duan të kenë një pjesë të lavdisë … Por nëse dështojme, të gjithë do të na gjykojnë për turpin tonë”.