Av. Ndue Pjetra: Publiku ka të drejtë të ndjejë se standardet e drejtësisë janë përdorur selektivisht: të ashpra për të tjerët, por të vonuara, apo të buta për vetë vendimmarrësit

Av. Ndue Pjetra

Flet avokati Ndue Pjetra kryetar i Shoqatës Antikorrupsin:

-Në një kohë kur vendi ende përpiqet të forcojë themelet e shtetit ligjor dhe të fitojë besimin e qytetarëve te drejtësia, paradokset nuk mungojnë.

NOA

-Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) dhe KPA, institucione kyçe në reformën në drejtësi, kan pasur për detyrë të verifikojnë me lupa pasuritë, figurën dhe aftësitë e gjyqtarëve e prokurorëve.

-Mirëpo, koha ka treguar se disa prej anëtarëve të vetë këtij institucioni po rezultojnë me probleme në pasuri.

– Rastin e Air Albania do ta përkufizoja “falimentim i heshtur”.

– Ky “falimentim i fshehur” hap dyert për abuzim, mungesë transparence dhe mungesë llogaridhënieje

Albert Z. ZHOLI

Në më shumë se 6 vjet e gjysmë KPK – KPA kaloi nëpër duar një mori dosjesh dhe praktikash të njerëzve të sistemit të drejtësisë. Jo pak herë të kontestuar, madje vendimet e tyre përfunduan deri në Strasburg dhe mësohet se do të jenë edhe vendime të tjera që do të shkojnë në Gjykatë Ndërkombëtare për të testuar të drejtën e kryesisht, gjyqtarëve dhe prokurorëve, që nuk janë dakord me gjetjet e këtij Komisioni. Në një kohë kur anëtarëve të KPK – KPA-së u mbeten vetëm disa muaj nga përfundimi i mandatit 6 vjeçar, numri i atyre që kanë mbetur per të kaluar filtrin e vettingut në shkallë të parë tashmë është i vogël. Sipas satistikave që nga 18 shkurti i vitit 2018 i e deri në 31 korrik të vitit 2024, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka dhënë 783 vendime për gjyqtarët prokurorët dhe ndihmësit ligjorë, ndërkohë që mbeten për të kaluar këtë filtër në shkallën e parë edhe 17 subjekte. Vettingun e kanë kaluar me sukses 358 magjistratë, nga të cilët 165 gjyqtarë, 163 prokurorë, 2 ish-inspektorë në KLD, 2 inspektor në KLGJ dhe 26 ndihmës/këshilltarë ligjorë. Ndërkohë që janë dhënë 261 vendime për shkarkim nga detyra për 145 gjyqtarë, 1 ish-gjyqtare në GJL, 110 prokurorë, 1 inspektor   në KLGJ dhe 4 ndihmës ligjorë. Procesi i vetingut është ndërprerë për 103 gjyqtarë e prokurore pas kërkesës së tyre me dorëheqjeje nga detyra, nga të cilët për 61 gjyqtarë, 27 prokurorë, 1 ish- prokuror, 13 ndihmës ligjorë, 1 ish-inspektorë në KLD. 50 vendime janë për përfundimin e procesit pa një vendim përfundimtar. Procesi i vetingut në KPK – KPA, i cili nisi rreth 6 vite më parë, u nda në tri faza ku dhjetëra gjyqtarë dhe prokurorë, të konsideruar si elita e drejtësisë, që aspironin edhe për të qenë pjesë e drejtësisë së re, nuk e kaluan provimin e vetingut. Pasuritë e pajustifikuara dhe lidhjet me eksponentë të krimit të organizuar, ishin arsyet për shkarkimin e tyre nga detyra. Gjatë fazës së parë të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dolën në seancë dëgjimore emra të rëndësishëm të sistemit, siç ishin anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese, institucione që në përfundim të procesit të rivlerësimit, dolën jashtë funksionit, për shkak të shkarkimit të anëtarëve. Në fazën e dytë të procesit të rivlerësimit, KPK – KPA-ja vlerësoi kandidatët që synonin të ishin pjesë e SPAK-ut, Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë si edhe drejtues të gjykatave dhe prokurorive në rrethe. Ndërsa në fazën e tretë, përpara KPK – KPA-së kaluan të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët e Apelit. Por siå del kohët e fundit problem me pasurinë kanë patur edhe vetë anëtarë të KPK – KPA. Një problem tjetër që tronditi shoqërinë shqiptare është dhe falimenti i Air Albania. Pse dhe si ndodhi?! Pse u mbajt i heshtur?!

Zoti Ndue, kohët e fundit shikohet se mjaft qytetarë kanë shprehur mosbesim për vetë anëtarët e KPK – KPA pasi edhe në mes tyre ka pasur anëtarë me problem. Si do ta cilësoje këtë problem jo të vogël mes anëtarëve të KPK – KPA-së?

Unë do ta përmblidhja me një fjali KPK – KPA dhe problemet e vonuara me pasurinë.       Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) dhe KPA, institucione kyçe në reformë në drejtësi, ka pasur për detyrë të verifikojë me lupa pasuritë, figurën dhe aftësitë e gjyqtarëve e prokurorëve. Mirëpo, koha ka treguar se disa prej anëtarëve të vetë këtij institucioni po rezultojnë me probleme në pasuri. Pyetja e natyrshme që lind është: si ka mundësi që personat, të cilët kanë vulosur fatet e qindra gjyqtarëve e prokurorëve, shpesh duke i larguar nga sistemi, dalin më pas vetë me të njëjtat probleme? Ky paradoks cenon jo vetëm besueshmërinë e reformës, por ngre dyshime serioze mbi standardet e zbatuara dhe mbi kontrollin e brendshëm të integritetit. Publiku ka të drejtë të ndjejë se standardet e drejtësisë janë përdorur selektivisht: të ashpra për të tjerët, por të vonuara apo të buta për vetë vendimmarrësit.

Si do ta cilësonit falimentin e Air Albania dhe pse është heshtur kaq gjatë?

Rastin e Air Albania do ta përkufizoja “falimentim i heshtur”. Një tjetër çështje që trondit opinionin publik lidhet me kompaninë Air Albania. Prej muajsh flitet për falimentimin e saj, por procesi vazhdon të zvarritet dhe nuk është bërë kurrë zyrtarisht i ditur. Ndërkohë, pasagjerët, konsumatorët dhe publiku i gjerë nuk marrin informacion të qartë, ndërsa përgjegjësia fshihet në prapaskenë. Ky “falimentim i fshehur” hap dyert për abuzim, mungesë transparence dhe mungesë llogaridhënieje. Në çdo vend normal, një kompani kombëtare ajrore në vështirësi do të raportonte hapur dhe do të kishte një plan të qartë zgjidhjeje, me institucionet që marrin përgjegjësinë e duhur. Heshtja në këtë rast është një tradhti e hapur ndaj publikut.

Alban Toro dhe kandidimi për Gjykatën Kushtetuese

Në këtë atmosferë tensioni, ku standardet e integritetit janë vënë në pikëpyetje, spikat edhe kandidimi i Alban Toros për në Gjykatën Kushtetuese. Çdo kandidat për një institucion të tillë duhet të jetë i pastër nga çdo dyshim, jo vetëm ligjërisht, por edhe moralisht. Vetë fakti që kandidatura e tij diskutohet në një kontekst ku besueshmëria e institucioneve është në krizë, e bën edhe më të domosdoshëm një filtër të rreptë publik dhe institucional. Gjykata Kushtetuese nuk është thjesht një instancë gjyqësore, por garantuesi suprem i rendit kushtetues dhe i të drejtave themelore të qytetarëve. Çdo dritëhije mbi kandidatët e saj është një goditje ndaj themeleve të shtetit ligjor.

Konkluzion

Sot Shqipëria përballet me dy tablo të hidhura: nga njëra anë, anëtarë të KPK – KPA-së që dalin me probleme të ngjashme me ata që ata vetë kanë penalizuar; nga ana tjetër, një falimentim i fshehur i Air Albania që tregon mungesën e transparencës ekonomike. Në këtë sfond, kandidimi i Alban Toros për Gjykatën Kushtetuese është një provë e madhe për integritetin e sistemit. Pyetja që mbetet është: a do të lejojë shoqëria shqiptare që standardet e dyfishta, mungesa e transparencës dhe mungesa e përgjegjësisë të bëhen norma, apo do të kërkojë një kthesë reale drejt drejtësisë dhe llogaridhënies