Një hakmarrje e Edi Ramës si në kohën e Kristo Patanakut

1459
Nga  Enver ROBELLI
Sigal

Në vëllimin e dytë të romanit «Secili çmendet simbas mënyrës së vet» të Stefan Çapalikut ka një skenë ku përshkruhet një ditëlindje në Shkodër në kohën e komunizmit. Baltazar Saraçi, një burrë nevrik shkodran, po festonte me miq ditëlindjen e njëzet të djalit të tij, Marketinit. Ishte e diele, 28 prill 1985, pak ditë pasi kishte vdekur Enver Hoxha. Për ta bërë festën sa më madhështore, familja ishte angazhuar me të gjitha mundësitë. Disa pjata i kishte marrë te një komshi, disa karrige te një tjetër. Ndërsa Baltazar Saraçi po vishte kostumin solemn, dikush i ra derës së oborrit. I zoti i shtëpisë doli me vrap për të pritur mysafirët – dhe kë pa? Kristo Patanakun, spiunin e lagjes. Ai e kishte ftuar veten. Po priste para derës me një «pistoletë të kromume në rripin e pantallonave». Baltazar Saraçi i dha dorën dhe pa i thënë asnjë fjalë e uli diku në tavolinë.

Kjo skenë m’u kujtua sot kur lexova në media se Edi Rama, duke besuar se është i gjithëfuqishëm jo vetëm në Partinë Socialiste, por edhe më i gjithëfuqishmi në Shqipëri e më gjerë në viset shqiptare, mori vendim ta përjashtojë nga organet drejtuese të PS-së, ish-ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati. Asnjë arsyetim zyrtar nuk e dha Rama për këtë vendim të tij. Dhe s’kishte si të jepte. Ky është një vendim si në kohën e Kristo Patanakut. Një vendim i kohërave të errëta, që edhe pesimistët më të mëdhenj besonin se kanë kaluar në Shqipëri.

Që nga rënia e komunizmit Shqipëria – me përjashtim të qeverisjes së Fatos Nanos – është sunduar nga politikanët autokratë. Për hakmarrjet e Sali Berishës ndaj oponentëve politikë brenda partisë mund të shkruhen libra të tërë. Kësaj rruge tashmë po shkon edhe Edi Rama. Ai e dëboi Ditmir Bushatin për shkak se ishte njëri ndër socialistët e paktë që kishte kurajë të kundërshtojë aventurat e Edi Ramës ndaj të ardhmes së Kosovës. Më konkretisht: në një intervistë dhënë gazetës «Panorama» vitin e kaluar, menjëherë pasi kryetari i Kosovës befas nisi ta bëjë publik projektin e kolegut të tij serb për prishjen e kufijve të Kosovës, Ditmir Bushati u shpreh skeptik. Ai tha: «Nuk kemi pse shpenzojmë energji me mënyrën se si do të kompensohet Serbia në këmbim të njohjes së Kosovës. (…) Për Shqipërinë dhe aleatët e Kosovës, statusi i Kosovës është çështje e mbyllur dhe pavarësia e saj e pakthyeshme. Prandaj duhet të mbështetemi tek ato parime themelore që sigurojnë paqen dhe stabilitetin demokratik në rajon. Vështruar në këtë prizëm, statusi i Kosovës nuk mund të rihapet as në format dypalësh e as shumëpalësh. E aq më tepër të bëhet objekt krahasimi me raste të tjera të kthyera në ‘konflikte të ngrira’, si pasojë e tolerimit të ‘parimit të rivendosjes’, çka do t’i dhuronte mundësinë për depërtim aktorëve të tretë në Kosovë dhe rajon». Aktorët e tretë është një eufemizëm për Rusinë.

Pak muaj më vonë pas kësaj interviste Edi Rama e hoqi nga posti i ministrit të Jashtëm Ditmir Bushatin, i cili gjatë viteve të tij të shërbimit kishte krijuar një profil të respektueshëm në botë, sidomos në Perëndim. Bushati nuk përflitej për afera korruptive. Nuk i takonte atij qarkut të djemve mizorë dhe servilë të PS-së që nën dorën mbrojtëse të Edi Ramës luanin rolin e ministrave për koordinim të punëve të pista. Por këto gjëra Edi Rama nuk i çmon. Ai nuk duron asnjë kritikë, as nga jashtë, as nga brenda. Këto janë tipare të liderëve autoritarë. Ai kërkon dhe gjen vetëm pionierë puthadorë. Një lider i vërtetë bashkëjeton me kritikët brenda partisë. Edi Rama nuk duron askënd që e kundërshton apo qorton. Sot ai i shkoi hakmarrjes deri në fund duke e shkarkuar nga postet politike në PS, Ditmir Bushatin, faji i vetëm i të cilit është se i tha Edi Ramës: «Ngadalë se i ke hipur kalit së prapthi» dhe po futesh në aventura për prishjen e kufijve të Kosovës.

Më mirë se politikanët e tjerë të Tiranës Ditmir Bushati ka qenë dëshmitar se si Edi Rama pasi mori pushtetin më 2013 u prit me nderime të larta në Berlin. Madje kancelarja Angela Merkel e shihte Ramën si një «njeri të Gjermanisë» në rajon, një që nuk shkakton probleme as në shtëpi, as në fqinjësi, por punon për ta bërë Shqipërinë shtet funksional. Që nga viti 2013 Edi Rama ka kaluar nëpër një metamorfozë të rrezikshme. Prej një politikani gjuhëbrisk që mund të çlironte një vrull pozitiv brenda shoqërisë shqiptare të lodhur nga polarizimi e transicioni, ai është shndërruar në politikan gjuhënepërkë që sillet si pronar i Shqipërisë. Rrjedhimisht, nga Edi Rama që dikur bisedonte me kancelaren gjermane në ballkonin e zyrës së kancelares, tani kemi të bëjmë me një Edi Ramë që në Berlin shihet vetëm si anëtar i grupit të zjarrvënësve rajonalë. Nga një «njeri i Gjermanisë» ai sot është vetëm një politikan pa vizion që vrapon pas agjendave gjeopolitike të presidentit serb, atij rus dhe atij turk.

Siç po shihet Edi Rama ka nisur projektin e tij për krijimin e një Partie Socialiste të re, Partia e Surrelit (PS), aty ku shkojnë të marrin dorë të nënshtruarit e PS-së si ato nuset e shkreta te novela «Vjeshta e Xheladin Beut» të shkruar me aq mjeshtëri nga Mitrush Kuteli. Këtë parti, PS-në e Surrelit, le ta gëzojë Edi Rama. Shqipëria nuk ka nevojë për një PS ku vendimet i merr një njeri, ku një njeri i qorton funksionarët e ministrat përse nuk kanë boll pëlqime në mediat sociale, ku një njeri nuk ka çfarë i ofron më politikës, vendit dhe shoqërisë përveç çitjaneve të tij dhe aferave korruptive.

Ditmir Bushati nuk u shkarkua vetëm për shkak të zënkës për çështjen e Kosovës. Sepse, në fund të fundit, Shqipëria do të pyetet e fundit apo parafundit kur fuqitë e mëdha vendosin të marrin ndonjë vendim për Kosovën dhe të ardhmen e saj. Bushati u shkarkua sot nga postet drejtuese në PS për shkak se nisi të kritikojë edhe fenomenet negative që kanë lëshuar rrënjë brenda PS-së dhe për këtë përgjegjësi dhe fajtori kryesor është Edi Rama.

Kur e hoqi Ditmir Bushatin nga posti i ministrit të Jashtëm, Edi Rama tha se ka ardhur koha që Bushati t’i përkushtohet Shkodrës. Vendimi i sotëm tregoi se Edi Rama si autokrat i pastër si loti hakmarrjes i shkon deri në fund. Për këtë ai ka mjaft idhuj. Në Afrikë dhe në vendet e Kaukazit, por më së shumti në Byronë Politike të Partisë së Punës së Shqipërisë. Shkarkimi i Bushatit është një mesazh edhe për socialistët e tjerë: kush kritikon deformimet, internohet në shkretëtirën politike. Kush e pranon këtë stil të politikës, bëhet pjesëmarrës në një projekt autoritar. Shqipëria ka vuajtur mjaft nga këto projekte. Por ndoshta ka një të mirë në krejt këtë zhvillim: siç e shkatërroi Sali Berisha Partinë Demokratike dhe e shndërroi në ndërmarrje private, ashtu edhe Edi Rama duket se në dallditë e tij autoritare synon të ketë një PS për vete. Për socialistët dhe demokratët e vërtetë po vjen koha të kërkojnë një vatër të re politike – ose duke themeluar forca të reja politike ose duke u rebeluar brenda partive ekzistuese.