Av. Myftar Rusta: Drejtësia mes Reformës dhe Rikthimit të Autoritarizmit

Reforma në drejtësi u paraqit si një nga ndërhyrjet më thelbësore për të shëruar sistemin shqiptar të drejtësisë dhe për të ndërtuar institucione të besueshme, të pavarura dhe profesionale. Por sot, disa vite më pas, realiteti tregon një tjetër fytyrë: vakancat e krijuara në gjykata dhe prokurori po mbushen kryesisht me prurje të reja të afërta me kabinetet qeveritare, të cilët, në vend të frymës së re, sjellin një mentalitet të vjetër e autoritar.

Shumë nga këta gjyqtarë e prokurorë të rinj janë të formuar teorikisht, por tregojnë mungesë të theksuar të përvojës praktike dhe ndjeshmërisë qytetare. Në vend që të shohin ligjin si një mjet për orientim dhe mbrojtje të qytetarit, ata e trajtojnë atë si një instrument kontrolli dhe ndëshkimi. Komunikimi me publikun mungon pothuajse plotësisht, dhe në vend të transparencës, ndërtohet një autoritet i rremë dhe i frikshëm – një reminishencë e mënyrës sesi dikur funksiononte “Sigurimi i Shtetit”.

NOA

Nuk është thjesht një problem stili apo sjelljeje; është pasojë direkte e një përzgjedhjeje me prirje politike dhe klienteliste. Kur përparësinë nuk e merr integriteti profesional, por besnikëria ndaj pushtetit, reforma humbet kuptimin e saj. Drejtësia nuk është më e pavarur, por e kontrolluar në heshtje, përmes figurave të reja që ndjekin logjikën e vjetër të bindjes politike.

Në praktikën time si avokat, përballem përditë me këtë ndryshim thelbësor. Mungesa e dialogut institucional, mungesa e përulësisë përballë qytetarit dhe tendenca për të ndërtuar autoritet mbi frikën janë tregues se drejtësia jonë po lëviz drejt një forme të re autoritarizmi, të zbukuruar me emrin “reformë”.

Drejtësia nuk është dhe nuk duhet të jetë armë e partisë në pushtet. Ajo duhet të jetë aleate e qytetarit, mbrojtëse e të drejtës dhe garantuese e barazisë përpara ligjit. Nëse e lejojmë këtë devijim të vazhdojë, shumë shpejt do të kemi ndërruar vetëm fytyrat, por jo sistemin që i shërben pushtetit dhe jo shoqërisë.