Altin Goxhaj: Qeveria ngre “kurth” për shqiptarët në e-albania

222
Sigal

Qeveria ngre ‘kurth’ për shqiptarët në e-albania, që të vriten mes vedit për çadra dhe shezllone

Procedura u bën  të pamundur aplikuesve pa lidhje partie të marrin parcelë shezllonash

Av. Altin Goxhaj

Konflikti për disa metra territor plazh në Velipojë, i cili përfundoi me 4 të vrarë dhe 2 të plagosur, duke tronditur kështu jo vetëm zonën, por të gjithë vendin, ka sjellë reagime dhe replika të shumta në media, por jo vetëm. Avokati Altin Goxhaj, shpjegon procedurën e pajisjes me liçensë për të marrë parcelë shezllonash nga subjektet privatë dhe sipas tij, lidhur me ngjarjen, qeveria ka kosumuar veprën penale të shpërdorimit të detyrës.

Ja si “vret” shteti

Pas lajmit të djegies së 50 shezllonave në Dhërmi pas masakrës së Velipojës, u bëra kurioz për të parë procedurën e pajisjes me liçensë për të marrë parcelë shezllonash nga subjektet privatë. Më lehtë mund të fitosh tender për të ndërtuar port privat jahtesh, ndërsa për ata që i kapërcejnë të gjithë pengesat psikopatike, afatet për të aplikuar deri me vendos shezllonin e parë, i bie andej nga shtatori! Në fakt qëllimi i vetëm i kësaj procedure është që t’jua bëjë të pamundur aplikuesve pa lidhje partie dhe t’u krasitë lekët nën dorë, fazë pas faze (mbi 10 faza me nga 10 grupe pune “ndërinstitucionale”) që ja marrin njërit dhe ja japin tjetrit, duke ndjek parimin si e si me i fut në konflikt aplikuesit duke ua bo nervat kaçurrel.

Korrupsioni i zyrtarëve

Natyrisht që edhe rritja e çmimit të lekëve nën dorë fazë pas faze aplikimi, rrit automatikisht çmimin e çadrave, por më shumë nga të gjitha kishte të bëjë me mënyrën se si subjektet ende s’kanë marrë përgjigje për aplikimet megjithëse kanë paguar dhe lekët, se edhe me dashtë me të dhënë kush përgjigje, është e pamundur për shkak të psikopatisë burokratike, që kanë krijuar. Kjo digë burokratike e pakalueshme ka prodhuar një xhungël sherri dhe shamate poshtë, që solli edhe masakrën e Velipojës, që e pagoi edhe në mënyrë përfqësuese një djalë jetim 20 vjeçar në ditën e parë të punës! Por të gjithë ata që e kanë gatuar këtë çorbë shkatërrimtare për turizmin dmth, për bukën e gojës të qindra mijë njerëzve që shpresat i kanë në sezonin turistik, nga Edi Rama dhe Erion Braçe dhe Ledion Lako (Agjencia e Bregdetit), dhe gjithë ushtria e burokratëve të angazhuar për ta çmendur dhe më shumë procesin, kanë kosumuar veprën penale të shpërdorimit të detyrës!

Neni 248 Shpërdorimi i detyrës

Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve a e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jomateriale të padrejta a kanë dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, nëse nuk përbën vepër tjetër penale, dënohet me burgim deri në shtatë vjet.

Pas ngjarjes së rëndë në Velipojë, ku pronarët e dy hoteleve u përplasën me armë për territorin e plazhit dhe ku mbetën 4 të vdekur e disa të plagosur, u kuptua se sherri mes tyre kishte nisur, pasi ata nuk kishin marrë përgjigje nga e-Albania. Sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave të dhjetorit 2020, aplikimet në e-Albania duhet të dorëzoheshin nga 17 maji deri 5 qershor 2021. Shumë prej operatorëve turistikë i kanë dorëzuar aplikimet e tyre, me qëllim që të nisin aktivitetin tregtar, pas një situate shumë të vështirë me pandeminë gjatë vitit të kaluar. Por, siç raportohet nga terreni, një pjesë e këtyre operatorëve ende nuk kanë marrë përgjigje për aplikimet e tyre, duke u detyruar që ose të mos nisin punën, ose të vijojnë atë nën frikën e ndërhyrjes policore. Në këtë situatë ishin edhe bizneset, të cilët u përfshinë në përplasje me armë në Velipojë. Në mungesë të lejeve, pronarët e hotel “Fantazia” dhe “Gocaj” në bregdetin e Shkodrës, u munduan të zgjidhin vetë situatën, duke përfunduar në përdorimin e armëve dhe përfundimin tragjik.