Akad. Et’hem Likaj/ Fjalëforma e shqipes së Demirajt, shtegton brenda gjuhës shqipe

606
Sigal

Rrallë gjen në letërsinë shkencore shqiptare emra që lidhen kaq ngushtë me shkencën sa emri i Akademik Shaban Demiraj

Historia e gjysmëshekullit të fundit dhe e fillimit të këtij shekulli në lagjen e zhvillimeve më të mira shkencore shqiptare, shënjon, edhe për krenarinë e vet, emrin e nderuar të akademikut Shaban Demiraj.

Rrallë gjen në letërsinë shkencore shqiptare emra që lidhen kaq ngushtë me shkencën sa emri i profesor Shabanit. Emri i prof. Shaban Demirajt të sjell menjëherë në mend gjuhësinë dhe kjo vetë të kujton Profesorin. Tani, në moshë të madhe, plotësisht të merituar,  emrat janë bashkuar dhe njëri më shumë nder i jep tjetrit. Kush ndjek rrugën e zhvillimeve dhe të krijimeve shkencore të prof. Shabanit, e ka të vështirë të kapë fundin e tyre. Fillimet e studimeve dhe të krijimeve të tij janë shumë të hershme. Ai pati fatin dhe nderin të dëgjonte dhe të punonte me Çabejin e madh, me Cipon, me Xhuvanin, me Domin etj., por, me plot gojën, mund të themi se profesor Shabani ishte dhe ka mbetur, ndër të rrallët, nxënës dhe mësues i vetvetes. Ai nuk studioi në ndonjë universitet të huaj, por, falë vullnetit dhe ndjesisë së tij të jashtëzakonshme, solli para vetes, dhe ndofta edhe para të tjerëve, ato dije që jepeshin edhe në ato universitete. Profesor Shabani, për të rinj dhe për të vjetër, përfaqëson botën e gjuhësisë jo vetëm nga koha, por, në radhë të parë, nga sasia dhe cilësia e vlerave. Kureshtari i çdo specialiteti vërtet habitet nga mijëra faqe të shkruara dhe të botuara, por habitet shumë edhe gjuhëtari, kur sheh dhe heton sa shumë ka dhënë dhe vazhdon të japë në thelbin e shkencës gjuhësore shqiptare e ballkanike gjuhëtari ynë i madh, Shaban Demiraj. Vepra e tij e plotë i kapërcen vitet e jetës së tij. Aq shumë punoi e krijoi, saqë, ata që e njohin mirë, me plot gojën, mund të thonë se ai është modeli i robit të punës, por edhe puna u bë robi i tij. Një jetë, edhe nga të pazakontat, është pak për të përcjellë atë thesar që ai solli në gjuhësinë shqiptare.

Si e jetëson fjalën shqipe?

Shaban Demiraj nuk ndalet asnjëherë; ai ka kërkuar ose, më saktë, për natyrën e shkencës së cilës i është kushtuar, ka vrojtuar, ka gërmuar dhe hetuar, herë në dritë e herë në terr, të njohura dhe të panjohura të gjuhës shqipe. Kush lexon veprën gramatikore historike të Shaban Demirajt, edhe njohësi më i mirë i tij, me kureshtjen e një fillestari, jo pa habi vëren se si e jetëson ai fjalën shqipe, duke e bërë të eci me këmbët e veta, herë nga e sotmja në të shkuarën e largët, herë nga lashtësia e paralashtësia në të sotmen. Fjalëforma e shqipes lëviz, shtegton, brenda gjuhës shqipe, ballafaqohet me gjendje fonetike krahinore, apo me gjendje arkaike; ballafaqohet me fjalë të huaja përgjegjëse a të afërta -me ato të greqishtes së vjetër, të latinishtes, të sllavishtes, të rumanishtes, bullgarishtes, maqedonishtes edhe të indoeuropianishtes -; përballet me to në trajtë dhe në kuptim, derisa gjen pikënisjen. Në këtë rrugë, si njohjes i thellë dhe i gjithanshëm i dijeve albanologjike të Bopit, të Majerit, Pedersenit, Majer-Lybkes, Joklit, Desnickajas etj., ka parashtruar gati shtershëm të gjitha mendimet e tyre. I ka përkrahur dhe i ka mbështetur ato me fakte dhe interpretime të reja të shqipes ose edhe i ka kundërshtuar, pa asnjë paragjykim, por vetëm me objektivitet shkencor, duke vlerësuar herë mprehtësinë dhe saktësinë e Pedërsenit e Bopit, herë larminë dhe gjerësinë e shtjellimeve të Majerit dhe të Joklit.

Këta albanologe të mëdhenj kaluan të shqipja, kur mbartnin teori të madha gjuhësore, duke kërkuar te gjuha e vogël, por e vjetër shqipe, një çelës për t’u dhënë zgjidhje çështjeve të vështira që i mundonin prej kohësh. Kujtuan se do të gjenin aty thërrime, por ajo i bëri aq shumë për vete, saqë disa prej tyre i kushtuan asaj gjithë jetën. Por nuk dolën të zhgënjyer, sepse, falë asaj, arritën aty ku nuk do të arrinin dot, po të merreshin me gjuhë tjetër.

Shaban Demiraj, në rrjedhë të kohës, diti të bashkoje teorinë e madhe gjuhësore me thelbin material të gjuhës shqipe, e cila i mungonte pjesës më të madhe të këtyre albanologëve të huaj. Ai mënjanoi me të vërtetën gjuhësore shqiptare mjaft hamendësime teorike, të shndërruara në tabu nga emra të mëdhenj albanologesh, duke lënë në teorinë gjuhësore historike të shqipes atë që realisht qëndronte. Këtë nuk e beri menjëherë e si synim në vetvete, por hap pas hapi; në fillimet e hershme, me pak druajtje ose, më sakte, me shumë kujdes, e pastaj – me shumë dije të fituara në pak kohë, me mund e vullnet -, me kompetencën shkencore, falë forcës së të vërtetës së prekur me dorë te vetë gjuha e tij.

Një botë shkencore

Shaban Demiraj nuk shkroi një vepër, por një botë shkencore, nga më të vështirat, duke u nisur më shume nga bota gjuhësore shqiptare që nuk dukej, sesa nga ajo që dukej.

Jo aq për të analizuar veprën e tij, sepse nuk është rasti, por më shumë për t’i shërbyer kureshtjes së dashamirësve të gjuhësisë historike, po përmend shkurt veprat kryesore të botuara prej tij: “Çështje të sistemit emëror në gjuhen shqipe”, “Sistemi i lakimit në gjuhen shqipe”, “Gjuha shqipe dhe historia e saj”, “Gramatikë historike e gjuhës shqipe” (një variant i shkurtuar i së cilës është botuar edhe në gjuhën gjermane), “Fonologjia historike e gjuhës shqipe”, “Gjuhësi ballkanike”, “Epiri, pellazgët, etruskët dhe shqiptarët” , “Prejardhja e shqiptareve në dritën e dëshmive të gjuhës shqipe” dhe monografinë jetëshkrimore “Eqrem Çabej”. Ndër veprat me bashkautorësi mund të përmendim: “Gramatika e gjuhës shqipe”, “La formazione dell’Europa linguistica”, “Le lingue europee”, “Lingue indo-euro-peennes”, “Kongresi i Manastirit”. Më tej botime të tjera si tekste mësimore: “Morfologjia e gjuhës së sotme shqipe” (dispense), “Morfologjia historike e gjuhës shqipe”, “Historia e gjuhës së shkruar” etj.

Në këto vepra ka shtruar, hetuar e zgjidhur shume çështje të historisë së gjuhës shqipe. Për çështje të tilla, siç thoshte profesori ynë i paharruar, Eqrem Çabej, “janë derdhur lumenj me bojë”, por profesor Shabani ndryshoi, saktësoi, shtoi dhe krijoi kudo. Kërkoi kohën e formësimit të shqipes dhe, me argumente logjike e materiale, i caktoi, për të paren herë, një vend në historinë e zhvillimit të saj; kërkoi të ndriçoje natyrën dhe reflektimin e tingujve të hershem të shqipes, dhe këtu korrigjoi dhe u dha jetë tjetër zhvillimeve të tyre; kërkoi më tej të shpjegoje ngjashmëri të dukurive gjuhësore të shqipes me gjuhë të tjera të Ballkanit, dhe tregoi se shqipja i ka pasur parakushtet gjuhësore që mund të sillnin rrjedhoja të tilla; kërkoi të shfillojë lëmshin e koklavitur të prejardhjes së shqiptareve dhe të gjuhës shqipes dhe, duke ecur pas tij, i bën “më të dukshëm” paraardhësit tanë.

Ndihmesa më e vyer u dha prej tij në fushën e evolucionit të strukturës gramatikore të shqipes. Gjuhët evropiane dhe indoevropiane kanë pasur përfaqësuesit e veprave gjuhësore historike monumentale, për gjuhësinë shqiptare, krahas Çabejit, për fushën e vet, mbetet profesor Shabani.

Nga viti 1854, kur me traktatin e F. Bopit “Mbi shqipen në lidhjet e saj të afrisë” u bë skica e parë për çështje të morfologjisë historike të shqipes, kaluan më shumë se 100 vjet, derisa letërsia jonë gjuhësore njohu veprën “Gramatike historike e gjuhës shqipe”, sintezën më të arrirë dhe krijimin shkencor më të plotë e më të lartë për evolucionin e strukturës gramatikore të kësaj gjuhe. “Gramatikë historike e gjuhës shqipe” është një vepër madhore në fondin e letërsisë sonë gjuhësore, një vepër për breza, e merituar dhe e vlerësuar me “Çmimin e Republikës të klasit të parë”. Edhe një specialist, njohës i fjalës së re dhe të vjetër shqipe, kur mbaron së lexuari rreshtat e fundit të veprës historike të Demirajt, bindet sa shumë është thënë prej tij për historinë e zhvillimit të saj. Jeta shkencore e profesor Shabanit vazhdon gjithmonë; ajo është ne kërkim. Shqipja e hershme me shumë të panjohura ka qenë dhe është një shqetësim i përhershëm për të; mendja e tij kërkon, shtjellon, u përgjigjet pyetjeve dhe ngre përsëri pyetje. Ndeshet me çështje të vështira e delikate të shqipes dhe mendimi i tij shkencor e ngre në shkallën e parisë së albanologjisë; ndeshet me çështje të ndërlikuara të gjuhësisë ballkanike dhe për zgjidhjet që jep, njihet si albanolog i shquar. Revistat tona shkencore janë të mbushura me shkrime të profesor Demirajt. Profesor Shabani është një autoritet i njohur në boten shkencore evropiane. Vepra e tij është fushë e gjerë referimi brenda dhe jashtë vendit. Përmbi 30 vjet Demiraj drejtoi Katedrën e gjuhës shqipe të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë. Nën drejtimin e tij ajo u shndërrua në një qendër model mësimi dhe kërkimi.

 Kush punoi aty, bashkë me të, mësoi nga drejtimi dhe nga shembulli i tij. Breza studentësh në mbarë vendin, tani mësues, letrarë, gazetarë, redaktorë, shkencëtarë, që morën dije nga profesor Shabani, meritat e punës së tyre i njohin me krenari edhe si merita të mësuesit të tyre. Aftësitë mësimdhënëse, thjeshtësia, saktësia, thellësia e dijeve, qysh në fillim imponuese, bënë për vete auditorë studentesh të çdo moshe.

Në thelbin e ligjërimit

Ai, me pak fjalë, me aq sa duheshin, të fuste jo në morinë e llafeve dhe të cikërrimave, por në thelbin e ligjërimit. Vetëm pasi mendoje thellë, mund të kuptoje se ai nuk jepte vetëm atë që thoshte, por njëherësh të joshte edhe për të mësuar dhe kërkuar. Jo vetëm drejtpërdrejt, nga goja a vepra e shkruar, por edhe nga nxitja çdo pasuniversitar, asistent dje dhe doktor i shkencave apo profesor sot, ka marrë plot dije nga profesor Shabani. Koha mund të fshije gjurmët nga kanë ardhur dijet, por jo edhe nivelet e arritura. Gjuhëtarë dhe mësues, që hedhin vështrimin në këto nivele, shohin qartë aty edhe ndihmesën e tij të çmuar. Zëri i tij dëgjohet në auditorë universitarë dhe pasuniversitarë pretendues evropianë: në Universitetin e Bonit, të Vjenës, të Romës, të Arkusit, të Kluzhit, të Prishtinës, të Shkupit etj. Studentë dhe studiues të njohur, në fillim skeptikë dhe të heshtur para ligjërimeve të tij, kanë dalë nga auditorët të tjetër lloji. Si Kryetar i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, profesor Shabani, edhe me personalitetin e tij të lartë e të gjithanshëm, veçanërisht në fushën që ai mbulon, e ngriti atë në shkallën e përfaqësimeve dinjitoze. Tek profesor Shabani, kushdo që e njeh, nga afër dhe nga larg, sheh jo personin, por shkollën e madhe të shkencës dhe të mësimit; të dyja të merituara, të paharruara dhe të paharrueshme. Në këtë ditë përurimi të kësaj vepre të tij, po kujtoj se profesor Shabani vjen i kurorëzuar me titujt më të lartë të nderit, të shkencës dhe të punës: Akademik, Mësues i Popullit, Mjeshtër i Madh i Punës, Laureat i çmimeve të Republikës dhe Qytetar Nderi.

Në botën shkencore profesor Shabani zë dhe do të zërë vend me nder në parinë e saj më vlerëplotë.