Vrasjet në Shqipëri janë më shumë se dyfishi i Bashkimit Evropain, shteti është indiferent

800
Evdal NURI
 Po zëmë vendin e parë në rajon për numrin e të burgosurve për vrasje…! Vrasjet me armë (për numër popullsie) janë dhe më tepër se në ShBA. Kaq sa për hyrje!
1-Armët që po na vrasin !
Këto ditë tetë të vrarë nga e njëjta armë dhe i njëjti person. Ti duhet t’i dish shifrat, o shtet ! Po të kujtoj disa që s’i ke përmendur kurrë, apo dhe s’të vjen mirë t’i kujtosh ! Jo pak, por 7000 persona të janë vrarë nga viti 97-të. Vetëm në ’97-n, 1542. Bilanc lufte! Gjatë 2017-s, në çdo 5 ditë në Shqipëri ka ndodhur një vrasje. Shifrat janë edhe më alarmante, nëse do të llogarisim edhe tentativat për vrasje. Bazuar mbi statistikat e INSTAT, në vitin që lamë pas, çdo dy të ditë u regjistrua një vrasje ose tentativë për vrasje në vend. Që prej vitit famëkeq 1997, kur popullsia u armatos dhe gati 650 mijë armë u shpërndanë tek civilët, sipas një raporti të OKB. Rreth 40% e familjeve shqiptarë kanë armë, e përkthyer në shifra përafërsisht 4 në 10 familje. Armët fshihen kryesisht në banesa por edhe në territorin jashtë shtëpive. Gjithashtu shqiptarët përdorin edhe çiftet dhe pistoletat, theksohet nga studimet e kryera. E di forcën tënde, prandaj po të lutem, si qytetar i thjeshtë i këtij vendi: Mblidh armët! Shpëto jetën e njerëzve, që kanë besim e shpresë vetëm tek ty! Ky është shqetësimi, jo vetëm i imi! Vetëm ti ke forcë ta bësh këtë punë! Si s’e kupton se ka ardhur koha që ato duhen mbledhur ! Më kujtohet se para tre vjetëve u ndërmor një nismë për grumbullimin në mënyrë vullnetare të armëve pa leje. Për dy javë u mblodhën mbi 63 mijë armë e municione luftarake. Pastaj kjo nismë u la në haresë e u fik s’i shumë iniciativa të tjera! Ti ke: Ligjin dhe forcën. Ke: Gurin dhe arrën”. Këtë forcë përdore dhe për armët, që kanë marrë shumë jetë njerëzish.
Dikur ke nxjerrë një ligj për armëmbajtje pa leje. Sipas tij, kush kapet me armë, dënohet me gjobë ose deri në 5 vjet burg. Shumë pak. Po vrave e të kapën do të dënohesh. Po s’të kapëm mbaji, “t’i kesh me shëndet” e përdori për të vrarë e për të vjedhur, pastaj shohim e bëjmë! Janë kapur e dënuar mijëra vetë. E pastaj?! Shumica kanë dalë. S’ka popull në botë të jetë i armatosur si ne me armët pa leje! Janë mbledhur disa dhjetëra mijëra armë. Po të duash t’i për 24 orë i mbledh! Atëherë ku të ngel puna? Na i thua që dhe ne të të “qajmë hallin” S’i s’kuptohet se grumbullimi i armëve, do të sjellë qetësinë aq të kërkuar e të dëshiruar. Këtij vendi do t’i ulën vrasjet e kriminaliteti. Do të pakësohen vjedhjet e do të shtohen plot të mira të tjera. Unë s’dua të të jap mend o shtet, se nuk kam aq sa ke ti, por një sugjerim mund ta bëj. Ti ke të drejtë të nxjerrësh një ligj, sipas të cilit për një afat, fjala vjen, dy muaj vullnetarisht të dorëzohen armët. Pas këtij afati të bëhet kontroll shtëpi për shtëpi. Kush gjendet me armë, dënimi të jetë maksimal. Të jesh i bindur, se me dhjetëra -mijëra armë do të dorëzohen. Njerëzit janë mërzitur me prezencën e tyre në shtëpi. Sëpari, ankthi se mos i kapin. Së dyti, mos i vriten fëmijët, si edhe i janë vrarë. Jam i sigurt, se mijëra jetë njerëzish do të shpëtohen.
2- Indiferentizmi i shtetit.
Për sa kohë që shteti anashkalon me indiferentizëm çrregullimet në sistemin e pronave, nivelin e papunësisë dhe të varfërisë, zbatimin e vendimeve të gjykatave, neglizhencën e të drejtave dhe lirive individuale, kërkesat për ndihmë dhe marrjen në mbrojtje të kategorive të pambrojtura, ngujimin e familjeve si dhe padrejtësitë që krijojnë vetë një pjesë e zyrtarëve dhe funksionarëve shtetërorë, për aq kohë do të jenë të pashmangshme edhe konfliktet, përleshjet, vrasjet me amët që i kemi në shtëpitë tona ! Në këtë kontekst, armët në përgjithësi, por veçanërisht armët pa leje, janë një rrezik real dhe serioz për sigurinë e njerëzve në konflikt, për sigurinë individuale, për jetën e kalimtarëve të rastit dhe për sigurinë publike në tërësi. Edhe nëse konfliktet e çdo lloji do të ishin të papërfillshme, shoqëria jonë ka me mijëra arsye, për të rikthyer besimin për jetën, punën, pronën, për zhvillimin e demokracinë e sundimin e ligjit. Mirëpo kronikat e vrasjeve me armë, përveç viktimave, prodhojnë pasiguri e panik, krijojnë një zinxhir të pafund problemesh sociale dhe i shtojnë edhe më shumë hallet tona në këtë vend të përbashkët. Forca krijoi të drejtën! Ka ardhur koha, o shtet ta përdorësh këtë forcë. Të jesh i bindur se me kalimin e kohës, kjo do të të kthehet në të drejtë. Kështu kanë krijuar shtetin shumë vende që ne i marrim si shembull. Nuk po të kërkojmë mirëqenie të përnjëhershme. E kemi të qartë, se dhe po të duash, nuk mund të na e sigurosh. Por sigurinë e jetën ta kërkojmë, o shtet! Ta kërkojmë, se e ke ti në dorë t’na i sigurosh, se na i ke premtuar. Nëse s’na i siguron, do të vijë një ditë dhe ne do të të kthejmë shpinën e do të themi:”Haram e paç besimin që patëm tek ty!” Keq e kishim në diktaturë. Shteti na vriste vetëm për disa fjalë kundër tij. Por nëse mbyllje gojën, s’të gjente gjë. S’të vriste njeri. Edhe po t’ia kishe bërë “borxh” ndonjërit, s’kishte me se të të vriste. Do të të qëllonte me një grusht, gur apo diçka tjetër, por jetën e kishe më të sigurt. Edhe nëse vrisje të ishe i sigurt, se dhe ai që të vrau do të vritej. Hakun ta merrte shteti. Prandaj dhe vrasjet ishin shumë të pakta. Fakt për këtë ishte pothuajse zhdukja e fenomenit të gjakmarrjes.
Sigal

3“Demokracia është diktaturë në ligj”
Shumë kemi vuajtur. Më bëri përshtypje një pankartë e të përndjekurve politikë. Atje shkruhej, se diktatura kishte shkaktuar 4500 të vrarë. Shumë keq. Po 27 vjet demokraci? Jo nga shteti, por nga arsye nga më të ndryshmet kemi humbur tre herë më tepër jetë njerëzish. Kemi 21 vjet që vrasim njëri-tjetrin me armët që rrëmbyem. Prezenca e tyre ka bërë frikacakun trim. I kemi përdorur, e marrë jetën e tjetrit për një fjalë, për një vijë uji, për disa pula deti, një copë tokë, një parkim, një xhelozi e për dhjetëra arsye nga më banalet. S’ka javë të mos dëgjojmë, vrasje nga më të ndryshme. Deri aty sa i biri vret t’anë e vëllai vëllanë ! Jemi, ndoshta i vetmi popull në Botë, që për ca lekë të humbura, sulmuam depot e rrëmbyem armët. Që ditën e parë filluam të vrasim njëri-tjetrin. Arsyeja? “Pse më the, e pse të thashë. Shifër tronditëse, jo vetëm për ne, por dhe për botën. Mbi 1600 familje janë të ngujuara. Numri i fëmijëve që nuk frekuentojnë shkollën se i pret vdekja, shkon në 900. Mbi 5000 vetë janë të prekur nga ky fenomen i rrallë në botë. Kjo të befason! Por dhe të shqetëson. Arsyeja, armët që kanë njerëzit në dorë. Mbi 90% e vrasjeve tek ne ndodhin nga armët . Ç’ka thashë janë të njohura. Vetëm unë nga zemra i rendita, për të tërhequr vëmendjen e një problemi që kërkon zgjidhje. Media si pushtet i katërt, shpesh ngre shqetësime me arsye e pjekurinë e saj. Ajo i paraprin pushtetit legjislativ, ekzekutiv e atij gjyqësor, prandaj duhej dëgjuar e vlerësuar, e jo krahasuar me ‘kazan’, apo epitete të tjera nga njerëzit me pushtet…!