Vangjush Saro: Pandemia rizbuloi kaosin e qyteteve ku jetojmë

284
Sigal

Pandemia që ka mbërthyer botën, rizbuloi dhe shfaqi edhe më me egërsi kaosin e ndërtimeve pa kriter e të jetës banale që ne u blatuam qytetarëve. Ajo na akuzon. Natyrisht, nuk duhet të kërkojmë llogari sikur jetojmë në Hënë, por ka një lidhje a pikëtakim midis krizës së Covid-19 dhe kaosit urban, sepse njerëzit duan ajër, duan të shëtisin, nuk është ndonjë gëzim i madh të jesh në turmë; por s’munden. Për njëmijë arsye, siç kemi patur modestinë të kujtojmë edhe në shkrime të tjera, ne kemi ndërtuar një botë fjetinash e kullash, ku gëlojnë pareshtur makinat, betonieret, antenat, zhurmat, (palo)politikat, abuzimet dhe ku… qytetarët tashmë janë të mënjanuar, të trembur, me sytë nga qielli. Pandemia i shtoi edhe llafet, edhe faktet. (Sipas mediave, vetëm në 7 ditët e fundit, u rregjistruan 5.124 të infektuar dhe 85 viktima; niveli më i lartë i shënuar deri më tani.)

Ndonjëherë krijohet përshtypja se ne jemi të këqinj prej natyre, jemi rebelë, të padëgjueshëm, të pakulturuar, fodullë. Dhe vërtet, mund të pyesim me sinqeritet: Si mundet, si mundet në këto kohë të vështira për gjithë botën, në këtë situatë të ngarkuar me kaq shumë frikë e fakte ngjethëse, me kaq shumë ikje të dhimbshme… njerëzit sfidojnë rregullat? Pa maska, pa kujdes, pa kontroll mbi hapësirën ku ecin, pa droje për çfarë mund të ngjasë. Deri këtu, ‘e drejta’ anon nga ata që janë në administratë apo në qeverisje. Por ndërkaq, harrojmë se e kemi mbushur atë qytet me soj-soj ndërtime, që të marrin frymën, që s’të lënë të shikosh një copë qiell; (se kodra e male janë hequr me kohë nga fokusi). Rritja frenetike e popullsisë, ritmi i çmendur i ndërtimeve, bizneset vend e pa vend, sipërfaqet e bllokuara, parkimet, me gjasë krijimi i ‘metropolit’ e bënë të vështirë jetën në kryeqytet; dhe jo vetëm atje. Po kush na beson ta themi këtë e ta besojmë këtë? (“Pena ime është e dobët për t’ia dalë mbanë detyrës së rëndë.” F. Dostojevski)

Tani, me të drejtë kërkojmë nga njerëzit të jenë më të përgjegjshëm, më të kujdesshëm, më të përmbajtur. Por të mos harrojmë se u bë një vit në këtë ‘burg’ e me këtë shtrëngim jete e lirie. Dhe ata duan të shëtisin, të jetojnë. Atëherë vijmë sërish te koncepti mbi urbanizimin dhe ndërtimet e bujës dhe të abuzimit, alias te kushtet që (s’)kemi krijuar për këtë liri e për këtë jetesë. Ato (kushtet) janë shumë të kufizuara. Nuk janë fare. Kjo është një gjendje absurdi; nuk di çfarë të mendosh e çfarë të thuash, sepse, mjerisht, askush asnjëherë nuk do të përgjigjet për kaosin urbanistik. Fitimet kanë gjetur vendin, dokumentet dhe shkresat kanë gjetur vendin, fëmijët e bosëve të politikës e biznesit kanë gjetur vendin. Kurse qytetarëve u themi: Sus! Oh, ç’mjerim!

Ani. Nëse do të duhej një personazh, sistem, shkollë, pas së cilës të fshihej kaosi, ne mund të themi menjëherë. Tranzicioni. Por nuk mund të shkojmë kuturu pas një termi, si ata që duan të fshihen, sepse ndërkohë personazhet e vërteta e të lidhur me abuzimin, janë ende në mes të skenës. Bërtet me të madhe z. Berisha, por në sytë e tij janë bërë kaosi e zullumet; ato të pronave, të ndërtimeve pa lejë, pse jo edhe shkoqja e institucioneve, ushtrisë, policisë, SHISH-it, etj. Një aso që nuk mund ta besojmë më është edhe z. Kryeministër; që shitet fort i paqëm, tejet i drejtë, shumë i suksesshëm; që shtiret siç di vetëm ai; që bërtet kur e kritikojnë për të larguar vëmendjen e të tjerëve nga faktet dhe rënimi; që mban fjalime të sforcuara në dekorime e nderime të sforcuara. Por që duhet të mbajë përgjegjësi (ndër të tjera) për kaosin ambjental.

Është thënë e shkruar disa herë në parim, por ndërkaq mungesa e vlerave dhe zvetënimi kanë emër. Ishte ai, Edi Rama, që i ndihmuar nga Kryeministri i asaj kohe, Ilir Meta dhe me këmbënguljen e ndihmesën e Prefektit të Tiranës Taulant Dedja, e shpëtuan kryeqytetin nga mjerimi që kishte mbërthyer Lanën dhe Parkun ‘Rinia’. Ishte ai, që duke ardhur në pushtet, fliste për ‘Kthim në Identitet’… Por pastaj e mbyti gjithçka në ndërtime e në kaos; madje vazhdon ende, tani duke bekuar edhe ‘Pionierin e Partisë’, llafazanin e pandreqshëm dhe vanitozin Erion Veliaj. Në këtë kaos, nuk është pa gjë edhe opozita aktuale dhe komunat e saj, që paskan pasur edhe ato të drejtë të ndërtojnë e të bastardojnë si të mundeshin rrethinat e kryeqytetit dhe qytetarët e mundur e të nëpërkëmbur nga politika dhe oligarkia.

Ka qasje të ndryshme në këto ndërtime pa kriter e në këtë lojë të poshtër. Nuk di ku është vepra e mirë dhe ku është pastrimi i parave të pista. Nuk di ku është rinovimi i një parku a këndi lojnash dhe ku është territori sportiv i dikurshëm i ‘Partizanit’ e ‘Dinamos’. Përpiqen ta manipulojnë njeriun me fjalën ‘zhvillim’. (“Megjithatë, kalldrëmi ishte i lerosur.” A. Kamy) Le ta gjejmë çfarë është e gjithë kjo: ironi, grotesk apo urrejtje. Se tani, pasi ua kemi zaptuar me egërsi dhe paqytetëri çdo pëllëmbë vend, u themi njerëzve të mos dalin jashtë, të mos bëhen turmë pa maska. Po kush i ka bërë ata turmë?

Pandemia na akuzon. Por si gjithnjë, në këtë vend akuzat janë njëlloj loje për të kaluar kohën. Lexuesi i duruar e di shumë mirë këtë ‘histori’. (“Është një mundim për mua të rrëfej, është një mundim që të hesht, sidoqoftë është një mjerim.” Eskili/ “Prometeu”) Duke uruar sa më pak dhimbje e humbje – në radhë të parë për bashkëkombasit, se çdokush thotë ‘O nëna ime!’ – shpresoj që njerëzit të bëjnë kujdes, por njëherësh të tregojnë me gisht protagonistët e kaosit ambjental e shoqëror. Mandej, institucionet të qasen me hulumtime e vendime.