Shembja e Teatrit Kombëtar/ Shkrimtarja Lindita Komani rrëfen përjetësimin e saj…

53

Në një postim në rrjetin social Facebook shkrimtarja dhe aktivistja e njohur Lindita Komani rrëfen përjetësimin e saj pak çaste para shembjes së Teatrit Kombëtar dhe atij Eksperimental.

Ja postimi i plotë:

Policët

29 maj. Pasdite e vonë. Po hyja në pedonale. Kërkoja me sy për Mirelën, Dorin, Albën. Duhet të ishin duke mbledhur firma por ku të ishin vallë, nuk po i dalloja.
Në anë të majtë të pedonales Teatri Kombëtar dhe ai Eksperimental. Nuk ishte haluçinacion. Ndodheshin aty. Më parë pashë dy teatrot që nuk janë më se shoqet me të cilat na bëri bashkë qëndresa për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar. Pashë edhe policët, si gjithmonë vigjilentë por duke u sjellë sikur nuk janë të tillë.
Në të djathtë i shquaj shoqet më në fund. Ishin ulur te lokali më i njohur i zonës për artistët e joartistët: te Aleanca. Ka pësuar edhe Aleanca ndryshime në këta 27 muaj sikurse edhe secila prej nesh. Kushedi me sa më shumë biseda, thashetheme e plane të reja është pasuruar. Vetëm tonat mjaftojnë për të shkruar libra të tërë.
Pak më vonë, një zonjë afrohet të na dorëzojë një formular të mbushur me firma. E kishte marrë përsipër dy ditë më parë kur ndaloi, firmosi e bisedoi me ne bashkë me një shoqen e saj. Të dyja ishin mësuese në pension dhe u entuziazmuan aq shumë nga aksioni sa u bënë edhe ato vullnetare të paktën për gjysmë ore. Sot zonja po na kërkonte me sy në pedonale sikurse bëra edhe unë në afrim e nuk po na gjente. Dhe çudia kishte ndodhur. Ajo kishte pyetur një nga policët roje në pedonale nëse na kishte parë dhe ai e kishte orientuar: Mund të jenë te Aleanca.
Ndërsa bënim më vonë ecejake në pedonale për të mbledhur firma, iu afrova dy policëve që rrinin vigjilentë por silleshin sikur nuk ishin të tillë dhe u fola: Zotërinj policë, a dëshironi të firmosni për rindërtimin e Teatrit Kombëtar ashtu siç ishte aty ku ishte? Çfarë prisja si përgjigje? Heshtje. Prisja heshtje. Heshtje si më 17 maj kur u bërtisja mesa kisha fuqi e mu në fytyrë me pyetjen time: Për cilin shtet punoni? Për cilin shtet punoni? Për cilin shtet punoni? E kështu pa u lodhur edhe më tej: Për cilin shtet punoni?
Policët në pedonale, dje, më 29 maj 2020 m’u përgjigjën: Ju lutem, mos na e bëni neve këtë kërkesë.
Ende sot e tani pas mesnate që po i hedh këto ngjarje të thjeshta në dukje por që përmbajnë domethënie shumë të madhe, për mua mbetet në këmbë pyetja: Për cilin shtet punuan më 17 maj ata 1500 policë shqiptarë që mbështetën aksionin barbar e terrorist të shembjes së Teatrit Kombëtar?