Prof.Dr. Qemal Lame:Kosova të mbrojë Kushtetutën dhe Rendin

315
Sigal

 

Serbia ka kapitullua dhe ushtria e pushteti i Serbisë është larguar zyrtarisht nga Kosova. Është e dënueshme vazhdimi i mëtejshëm i politikës së vjetër të Milosheviçit dhe të Sheshelit. Kjo dëmton në radhë të parë popullin dhe shtetin e Serbisë
Qeveria dhe institucionet e larta shtetërore, gjithë kombi shqiptar dhe bashkësia ndërkombëtare po ndjekin me shqetësim zhvillimet në komunat veriore të Republikës së Kosovës, të banuara me shumicë të popullsisë serbe. Në tubimin e mbajtur të dielën, në 6.11.2022, në Mitrovicë, në pankarta shkruhej “Kemi vetëm një shtet, Serbinë” dhe “Stop terrorit të Kurtisit”! Në një shenjë drejtuar kryeministrit kosovar Albin Kurti.“Me fytyrë të pastër dhe ballë të shndritshëm para oborrit të Zotit”, “Unë jam serb dhe gjithçka këtu më përket mua” dhe “Evropë, fëmijët e t’u kanë të drejtën e lirisë”. Me të drejtë udhëheqësit e Kosovës akuzuan Serbinë se po përpiqet të destabilizojë Kosovën. Repubilka e Kosovës është shtet sovran dhe demokratik. Veprimtaria e shtetit të së drejtës bazohet në Kushtetutë dhe zbatimin e saj në të gjithë vendin për të realizuar pa dallin funksionet shtetërore. Këto parime nuk lejojnë dy sisteme juridike dhe institucionale paralele, siç pretendohet nga përfaqësuesit serbë që veprojnë sipas udhëzimeve të Beogradit. Kosova ka siguruar praktikisht garanci kushtetuese dhe ligjore me standarte ndërkombëtare pakrahasimisht të larta për pakicat etnike. Në Kosovë ka komuna të banuara me shumicë të popullsisë serbe. Në Kosovë nuk ka Komuna Serbe. Prandaj nuk pranohen veprimtari ilegale nga institucione apo mekanizma të tjerë shtetërorë apo shoqërorë. Me të drejtë kërkohet nga Prishtina që Beogradi të ndalojë ndërhyrjet në punët e brendshme, të shpërbëjë institucionet paralele dhe të mos i financojë veprimtarinë e tyre sabotuese ndaj pushtetit qëndror. Nuk është e rastësishme tërheqia e Listës Serbe nga institucionet e pushtetit në Kosovë. Po kështu edhe refuzimi i zbatimit të urdhërave ligjorë të strukturës drejtuese të policisë së Kosovës, nga eprorët e policisë të komunitetit serb në veri, është veprim jo vetëm kundër ligjor, por dhe provokues e i rrezikshëm. Tensionimi me paramendim dhe i organizuar i gjendjes në komunat veriore të Repubilkës së Kosovës dhe dirigjimi i këtij tensionimi nga struktura që drejtohen nga Beogradi, është një lojë e rrezikshme. Ajo demaskon ndërkombëtarisht politikën serbe që zyrtarisht deklarohet për bisedime dhe marrëveshje dhe në fshehtësi vazhdon politikën e vjetër shoviniste për t’u rikthyer në Kosovë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në reagimin e tij  pas vendimit të Listës Serbe, që të largohen nga institucionet qendrore të Republikës së Kosovës, si dhe nga komunat në veri të vendit, tha se serbët e Kosovës duhet të ruajnë qetësinë, paqen e sigurinë, duke shtuar se ai “nuk është kryeministër kundër serbëve, por Beogradi është kundër tij”. Është e qartë se bëhet fjalë për presidentin e Serbisë që ka gënjyer dhe ka zhgënjyer amerikanët dhe evropianët. Faktet tregojnë se ai shumë shpesh takon dhe koordinohet me ambasadorin rus në Beograd. Serbia dallohet për pushtetin autoritar që forcohet edhe më tej me rizgjedhjen e Presidentit Vuçiç ish-ministri i Informatave të Milosheviçit. Duke ndjekur politikën ultranacionaliste, ky vend po bëhet gjithnjë e më shumë vegël e Kremlinit për zgjerimin e influencës së Rusisë në Ballkan dhe destabilizimin e rajonit. Politika e jashtme serbe orientohet kryesisht nga politika ruse. Këtë e tregon emërimi i ministrit të jashtëm Ivica Daçiç, ish-zëdhënësi i partisë së Milosheviçit. Në këtë orientim antievropian ndikon edhe rivaliteti për pushtet midis Vuçiçit dhe Daçiçit.  Serbia kërkohet të njohi realitetin politik dhe gjeografik. Të paktën të ndalojë veprimtarinë subversive të institucioneve të saj shtetërore apo të agjenturës për destabilizimin e gjendjes në Kosovë dhe të dëshmojë përgjegjegjësi e sinqeritet në bisedimet për marrëveshjen përfundimtare. Me këtë rast rikujtojmë politikanët ultranacionalistë serbë se me ndërhyrjen ndërkombëtare dhe me marrëveshjen e Kumanovës të 9 qershorit 1999, Serbia ka kapitulluar dhe ushtria e pushteti i Serbisë është larguar zyrtarisht nga Kosova. Është e dënueshme vazhdimi i mëtejshëm i politikës së vjetër të Milosheviçit dhe të Sheshelit. Kjo dëmton në radhë të parë popullin dhe shtetin e Serbisë. Mbështetja e politikës ruse dhe varësia nga Presidenti Putin është me pasoja të rënda për paqen e sigurinë në rajon dhe pengon deri edhe largon Serbinë nga proceset e integrimit evropian që janë e ardhmja më e mirë për serbët. Pas zhvillime të së shtunës në veri të Kosovës, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, bëri të ditur se ka pasur një bisedë telefonike me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christopher Hill. “Në një bisedë të gjatë dhe kuptimplote telefonike me ambasadorin Hill, ritheksova se Serbia mbetet e përkushtuar për ruajtjen e paqes, respektimin e së drejtës publike ndërkombëtare dhe zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara”, shkroi Vuçiç.

Sipas tij, “gjithashtu theksova tmerrin e serbëve me sjelljen e Kosovës dhe lëvizjet e njëanshme të Prishtinës, të cilat e vënë në pikëpyetje sigurinë dhe stabilitetin e tyre në të gjithë rajonin”. Ambasadori Hill, nga ana e tij, ka kërkuar nga presidenti Vuçiç që Serbia të sillet me përgjegjësi serioze dhe të mos marrë pjesë në asnjë mënyrë në rrezikimin e paqes dhe stabilitetit rajonal. Një ditë më parë, Vuçiç është takuar edhe me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak. Ky i fundit shkroi në Twitter se “takimi me Vuҫiç ka qenë i gjatë dhe i vështirë, por i drejtë”. “Llogaris në sjelljen e përgjegjshme të të gjithëve, për të treguar përmbajtje për siguri dhe stabilitet. Dhuna duhet të shmanget”. Do të ishte reflektim pozitiv në situatën e tanishme në rast se Presidenti Vuçiç do të jetë i sinqertë në këto deklarime dhe do të veprojë konkretisht për qetësimin e gjendjes.

Tensionimi i përsëritur i situatës nga përfaqësuesit serbë dhe institucionet ilegale përkon me tendencën e vazhdueshme të Rusisë për të përshkallëzuar luftën agresive në Ukrainë dhe rritjen e ndikimit në rajonet e tjera me interesa sidomos në Ballkan. Serbia e mbështetur nga Rusia ndjen rrezikun e dështimit përfundimisht të politikës neokolonialiste ndaj Kosovës dhe përgjithësisht ndaj kombit shqiptar në trojet etnike të tij që ajo ka pushtuar me gjenocid të organizuar shtetëror. Zhvillimi me sukses i Procesit të Berlinit, miratimi i tre marrëveshjeve për lëvizjen e lirë, njohjen e diplomave dhe bashkëpunimin rajonal krijojnë gjendje të re në marrëdhëniet midis shteteve të Ballkanit Perëndimor, sidomos në raportet e tyre me Kosovën. Me këto marrëveshje të arritura sipas politikës evropiane garantohet hapja dhe bashkëpunimi në rajon dhe bëhet i parëndësishën Open Ballkani. Kryeministrja serbe u tregua e pakënaqur dhe pretendoi menjëherë para medias duke thënë se Bashkimi Evropian pranoi që Kosova të mos zbatojë marrëveshjet e arritura në Bruksel. Qeveria e Shqipërisë natyrshëm ka përgjegjësinë për të ndikuar në uljen e tensioneve, të qëndrojë haptazi dhe aktivisht në mbështetje të së drejtës legjitime të shtetit të Kosovës. të mbështesë masat për të mbrojtur rendin demokratik dhe zbatimin pa dallim të pushtetit në gjithë teritorin e vendit. Shqipëria e ka detyrim kushtetues, moral dhe kombëtar të mbështesë forcimin e pozitës ndërkombëtare të shtetit të Kosovës, sidomos në iniciativa rajonale, si dhe fuqimizimin e brendshëm të saj.

Kam besim se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian do të përkushtohen konkretisht për të bindur Beogradin për të ruajtur stabilitetin në rajon, zbatimin e marrëveshjeve të arritura dhe shpejtimin e procesit të normalizimit përfundimtar të marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë. Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë do të rrisin më tej veprimtarinë në shërbim të paqes, bashkëpunimit, fqinjësisë së mirë dhe agjendave Euro-Atlantike në rajonin tonë. “KFOR-i i NATO-s mbetet vigjilent dhe i gatshëm të ndërhyjë nëse kërcënohet stabiliteti”,- paralajmëroi Geoana në një mesazh të publikuar në Twitter.