Prof. Dr. Qemal Lame: Rusia zgjerohet me luftë

262

Me këtë zgjerim të përgjakshëm të kufijve demaskohet edhe propoganda e Kremlinit për krahasimet e Krimesë me Kosovën, ndryshimit të kufijve të ish Jugosllavisë dhe mbështetja e gjerë që i bën Serbisë duke synuar të shtrijë influencën në Ballkan dhe të pengojë integrimin e mëtejshën të rajonit në Bashkimin Evropian.

Sigal

Rusia përshkallëzoi luftën e padrejtë dhe të paprovokuar me aneksimin në kundërshtim me normat ndërkombëtare të më shumë se 15 për qind të teritorit të Ukrainës. Ukraina dhe shumë shtete perëndimore, nuk do të njohin as aneksimin, dhe as “referendumet” ku gjoja shumica i ka thënë “po” bashkimit me Rusinë, pasi shkelin brutalisht të drejtën ndërkombëtare dhe nuk përputhen me parimet e një shteti modern.

Duma, Parlamenti i Rusisë, në 4.10.2022, përfundoi atë që ishte festuar, në 30.09.2022, në Pallatin e Madh të Kremlinit, ku Presidenti Vladimir Putin firmosi dekretin: “Për bashkimin” e katër rajoneve ukrainase të Donetsk, Luhansk (rusisht: Lugansk), Cherson dhe Zaporizhia (rusisht: Zaporozhye) në Federatën Ruse. “Unë udhëzoj njohjen e sovranitetit dhe pavarësisë së  rajoneve Zaporizhja dhe Kherson, të cilët shtrihen në jug të Ukrainës”, thuhej në dekretet e lëshuara nga Putini. Dy “Republikat Popullore” të Donetskut dhe Luhanskut do të ruajnë këtë emërtim dhe do të përfshihen me statusin e një republike përbërëse. Zgjedhjet për liderët rajonalë dhe parlamentet nuk do të zhvillohen deri në datën e ardhshme të mundshme të zgjedhjeve në Rusi, shtatorin e ardhshëm.

Katër territoret së bashku krijojnë një korridor ndërmjet Rusisë dhe gadishullit të Krimesë, i cili ishte aneksuar në mënyrë ilegale nga Moska në vitin 2014, në një proces të ngjashëm.

Gjëja më e rëndësishme ishte unanimiteti në votimin. Por “për shkak të një gabimi”, në Dumën e Shtetit u numëruan edhe më shumë vota sesa kishte deputetë në sallë. Kushdo që mungonte ngjallte dyshime. Nuk kishte si të ndoshte ndryshe edhe në 5.10.2022, me unanimitetin e votimit në Këshillin e Federatës Ruse.Para seancës, aktorët deklaruan se kryejnë një rikthim historik të teritoreve ruse. Nikita Hrushovi është kritikuar se ja dhuroi padrejtësisht këto teritore Ukranisë. Boris Jelcin po ashtu është kritikuar që njohur pavarësinë e Ukrainës, si dhe të tre republikave tjera Balltike: Letoninë, Lituaninë dhe Estoninë. Putini u duartrokit se i ktheu me luftë teritoret!

Me këtë zgjerin të përgjakshëm të kufijve demaskohet edhe propoganda e Kremlinit për krahasimet e Krimesë me Kosovën, ndryshimit të kufijve të ish Jugosllavisë dhe mbështetja e gjerë që i bën Serbisë duke synuar të shtrijë influencën në Ballkan dhe të pengojë integrimin e mëtejshën të rajonit në Bashkimin Evropian.

Kufijtë e jashtëm të Rusisë janë të paqartë. Dy “Republikat Popullore” janë përfshirë në Federatën Ruse brenda kufijve të dy rajoneve ukrainase Donetsk dhe Luhansk. Cherson dhe Zaporizhia ku përfshihet gjithashtu edhe një cep të rajonit Mikolayiv janë zona të kontrolluar nga forcat ruse. Megjithatë, pjesë të të dy rajoneve janë nën kontrollin e qeverisë së Kievit.

Zëdhënësi i Presidentit Vladimir Putin nuk mundi të përcaktonte kufirin e saktë. Kjo thuhet se do të diskutohet me rajonet. Pra, ndodhi faktikisht që Rusia, e cila propogandon se i kushton shumë rëndësi sigurisë së kufijve, me dashje zgjeron me dhunë kufijtë e paqartë dhe përvetëson një zonë që nuk e kontrollon plotësisht. Ajo që ndoshta synohej si një goditje çlirimtare po e çon Putinin dhe elitën e pushtetit ende besnike ndaj tij në një rrugë pa krye.

Aneksimi u pranua dhe u legjitimua edhe nga Gjykata Kushtetuese e Rusisë. Gjatë fundjavës, gjykata kushtetuese u bë padyshim bastioni i regjimit me shqyrtimin ligjor të marrëveshjeve të anëtarësimit. Procesi gjyqësor ishte një përpjekje për të fshehur një rrëmbim teritori.

Trupi gjykues nuk u ndal në një vlerësim ligjor të ngjarjeve, të cilat në vetvete janë mjaft të diskutueshme. Ai ofroi gjithashtu një justifikim historiko-politik në rrjedhën e politikës revizioniste të historisë së Putinit. Gjykatësit shkruan gjithashtu se Ukraina po kontrollohet efektivisht nga jashtë dhe Kremlini nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të kryente “operacionin special ushtarak” për të shpëtuar jetën e rusëve të rrezikuar.

Megjithatë, kuadri ligjor kushtetues nuk mjafton. Përfshirja e katër rajoneve është përcaktuar në ligje individuale, por ka akoma mangësi esenciale edhe nga vetë legjislacioni rus. Periudha e tranzicionit do të zgjasë më shumë se tre vjet, më 1 janar 2026. Deri atëherë, ligjet do të ndryshohen dhe autoritetet ruse do të shtrihen në zonat e reja.

Rajoni industrial lindor i Ukrainës është një trofe e luftës së nxituar. Në sfondin e luftës dhe mungesës së perspektivave politike dhe ekonomike, krenaria për përvetësimin e «tokës historike ruse» nuk është reale. Përpjekja e Putinit për t’i sjellë trofetë e luftës në siguri përpara se të fitohet lufta është tronditëse. Analiza e zhvillimit të luftimeve dhe tërheqia e papritur u shtrisë ruse në disa rajone tregon më qartë se kjo luftë mund të mos fitohet. Politologia Tatyana Stanovaya, thotë se disa dyshojnë në suksesin e Rusisë. Deputeti nacionalist i Dumës, Dmitry Sablin, pohoi se për tridhjetë vjet Rusia ka qenë në luftë me Perëndimin, i cili prej vitesh praktikisht e ka pushtuar Rusinë. Ushtria tani duhet t’i japë vetes kohë të mjaftueshme për të trajnuar forcat e mobilizuara në mënyrë që të mund të sulmojë NATO-n me të gjitha forcat e saj.

Putini ju uroi rusëve ukrainas „Mirësevini në shtëpi“, por nuk ngjalli entuziazëm e dëshëruar. Opinoni publik rus tregohet i rezervuar dhe nuk ka reagime masive antiperëndimore. Ka më pak siguri se shefi i Kremlinit mund të garantojë ende stabilitet dhe rend. Është e diskutueshme nëse popullata është realisht gati për “luftën patriotike” kundër Perëndimit. Akuzat për “Perëndimin racist, kolonialist” nuk po gjejnë mbështetje të gjerë në popullatën ruse. Përkundrazi janë rritur shqetësimet në të gjitha familjet nga dekreti për mobilizimin ushtarak. Nga media mësohet se rreth 700 000 të rinj rusë janë larguar nga Rusia. Sipas inteligjencës ushtarake britanike, numri i burrave të moshës ushtarake ruse që ikin “ka gjasa të tejkalojë madhësinë e forcës totale të pushtimit që Rusia kishte në shkurt 2022”.

Mes kritikave të brendshme, Putin pranoi në Këshillin e Sigurimit të Rusisë se ishin bërë gabime në mobilizim. Burrat rusë të thirrur gabimisht duhet të dërgohen në shtëpi dhe se vetëm rezervistët me trajnimin dhe specialitetet e duhura ushtarake duhet të thirren për të shërbyer. Parashikohet të mobilizohen rreth 300 000 rezervistë.

Me firmosjen e dekretit për aneksimin e teritoreve duket që Putin arriti një objektiv të ndërmjetëm, pasi bëri menjëherë thirrjen për bisedime me Kievin. Presidenti Vojdomir Zelenski firmosi dekretin ku theksohet se përderia të jetë Putini në pushtet nuk do të ketë bisedime me Rusinë. Moska kërcënon të përdorë të gjitha llojet e armëve, përfshirë edhe armët atomike për të mbrojtur pjesë të tjera të vendit. Putini është i pa parashikueshëm.

Mendoj se është e domosdoshme të reflektohet me përgjegjësi në realitetin e krijuar nga lufta dhe të mos përshkallëzohen më tej pasojat e rënda për Ukrainën. Së pari, të bëhen përpjekjet e mundshme që të arrihet ndalja e luftimeve dhe të pranohen bisedimet për paqe. Së dyti, Sanksionet ekonomike dhe mbështetja me armatim, përfshirë edhe njoftimin për ndihmën e fundit amerikane me 450 milion dollarë janë reagim i fuqishëm kundër Rusisë dhe mbështetje e Ukrainës për rimarrjen e teritoreve të pushtuara. Pra nuk ka parashikime për ndaljen e luftës. Del e domosdoshme të shihet edhe mundësia për të zbutur edhe pasojat ekonomike e sociale që janë shkaktuar shqetësime serioze sidomos në shtetet e Bashkimit Evropian dhe moslejuar që kriza të pasohet me recensionin në shtetet më të fuqishme si Gjermania, Franca, Italia. Recesioni rrezikon edhe Britaninë e Madhe. Kështu do të lehtësohet edhe rajoni i Ballkanit, sidomos i Shqipërisë.

 

5