Prof. Dr. Lush Susaj/ Beteja me korrupsionin duhet të shpallet prioritet kombëtar, pasi i bën fiktive investimet dhe demokracinë

430
Sigal

Beteja me korrupsionin duhet të shpallet prioritet kombëtar

  • Korrupsioni politik është kanceri në zemër të politikës shqiptare
  • Korrupsioni i bën fiktive marrëveshjet, investimet dhe vetë demokracinë

 Prof. Dr. Lush SUSAJ

 

Kuptimi shkencor mbi korrupsionin dhe nivelet e tij

Nga analiza e “Transparency International”, (TI), mbi fenomenin e korrupsionit në botë, është arritur në përfundimin se:“korrupsioni është keqpërdorimi i pushtetit për përfitime personale, e që klasifikohet në tre nivele, në korrupsion të madh, në korrupsion të vogël dhe në korrupsion politik”. Korrupsioni pandemik në administratën shtetërore e politike të Shqipërisë, klasifikohet në atë që quhet “Korrupsion i Madh”, e që ka të bëjë me keqpërdorimin të pozitës zyrtare nga nivelet e larta të pushtetit, për përfitimin e disave në dëm të natyrës, shoqërisë dhe shtetit. Pjesë e korrupsionit të madh janë përfitimet e zyrtarëve dhe klaneve nepotike nga tenderat dhe prokurimet publike, nga shitja e pronave publike, pasurive natyrore dhe aseteve shtetërore. Produkt i korrupsionit të madh janë edhe përfitimet nga shfrytëzimi i burimeve natyrore, nga kontratat publike, që të gjitha të siguruara nga shkelja e ligjeve, marrëveshjeve dhe parimeve morale të gjithpërfshirjes, të transparencës dhe të mbrojtjes së interesit publik.

Ndërsa në nivelin e dytë, të quajtur “Korrupsion i Vogël”, sipas “Transparency International”, bën pjesë keqpërdorimi i përditshëm i pozitës zyrtare nga ana e zyrtarëve  të nivelit të mesëm e të ulët të pushtetit, ku në shërbimet publike, sikurse janë shkollat, universitetet, spitalet, policia, gjykatat, hipotekat, etj, qytetarëve ju kërkohet që të paguajnë ryshfet, në këmbim të shërbimit. Metodat kryesore që përdoren  nga ana e administrates, për të detyruar qytetarët që të japin ryshfet,  janë të tilla si,  vonesat e shërbimit, procedurat e ngatërruara, burokracitë e sorollatjes nga njëra zyrë tek tjetra, mungesa e legjislacionit të plotë, etj. Nuk ka shqiptar që të mos jetë përballur në mënyrë të vazhdueshme me të tilla fenomene, sa herë që ka shkuar tek spitali, tek legalizimet, tek tatimet, tek zyrat e punës, në shkolla, në universitete, në polici, tek kadastra, tek shefat e punësimit, etj.

  • Korrupsioni politik është kanceri në zemër të politikës shqiptare

Ndërsa shkalla e tretë e së keqës më të madhe në Shqipëri, është ajo që TI, e quan “Korrupsioni Politik”, e që ka të bëjë, me manipulimin e politikave zhvillimore dhe të institucioneve të pavarura. Pjesë e korrupsionit politik është edhe manipulimi i rregullave dhe procedurave në ndarjen e të mirave publike dhe të financave nga vendimmarrësit që shfrytëzojnë pozitën për të përfituar pushtet, pasuri dhe status shoqëror. Shqipëria e këtyre 20 -viteve është përballur e po përballët përditë me ligje, me kontrata dhe me marrëveshje absurde, në dëm të interest publik e në shërbim të pushtetit të një grupi të vogël njerëzish që në vend të rotacionit politik, hedhin e presin njëri tjetrin sipas radhës, duke siguruar kështu vazhdimësinë e korrupsionit dhe pandëshkueshmërinë e tij.

Ndërsa ish kryeministri i Anglisë, David Cameron, për  korrupsionin thotë: “Korrupsioni është kanceri në zemër të problemve të botës. Korrupsioni shkatërron vendet e punës dhe pengon zhvillimin. I ngujon të varfërit në varfëri, përderisa qeveritë e korruptuara vjedhin buxhetin e shtetit. Korrupsioni vjedh investimet që duhej të shkonin në shkolla dhe spitale, përderisa të korruptuarit u shmangen taksave  që duhen paguar”.  Nga sa më sipër, është e lehtë që shqiptarët të kuptojnë sa më parë, që burimi i varfërisë dhe papunësisë së tyre, i braktisjes së vendit nga rinia dhe specialistët e kualifikuar, i zhvlerësimit të pronave, territorit dhe jetës, i kanabizimit dhe vrasjeve ordinere  e politike,  i shkatërrimit  të proceseve zgjedhore, i dështimit të reformës në drejtësi dhe të gjitha projekteve dhe reformave të tjera në Shqipëri, është korrupsioni sistemik dhe i strukturuar në tre nivelet e trajtuara më sipër.

  • Korrupsioni i bën fiktive marrëveshjet, investimet dhe vetë demokracinë

Shqiptarët, në mënyrë të veçantë elita dhe rinia studentore, duhet të ndalen për një moment për të parë, analizuar dhe gjykuar më mirë mbi shkakun e vertetë të mungeses së plotë të produktit real të investimeve dhe projekteve të këtyre 25 -viteve, dhe të batërdisë së  11-viteve të fundit, (2009-2020), në veçanti. Duhet të mendojmë e të gjykojmë me realizëm mbi burimin real të pronave dhe pasurive të jashtëzakonshme të politikanëve dhe ish zyrtarëve tanë mediokër, të cilët erdhën në institucione pa asgjë nga talenti dhe trashëgimia, e sot, duket sheshit që kanë vjedhur e depozituar  para e prona për sot, e për mbi 10 breza. Në këto kushte, burimi i varfërisë, papunësisë dhe shkatërrimit të shtetit dhe imazhit politik të Shqiptarëve nga njëra anë, dhe i pasurisë së madhe të ish funksionarëve politikë e shtetërorë dhe kënetëzimit politik, përmes mungesës reale të rotacionit politik elitare, nuk është dhe nuk mund të jetë gjë tjetër, përveçse korrupsioni në të tria nivelet e tij, dhe mungesa e gjatë e vullnetit politik e shtetëror, për ta penguar e luftuar. Në këto përmasa, korrupsioni shqiptar nuk mund të trajtohet thjesht si një fenomen shoqëror e politik i rastit, (pasi nuk është i tillë, por është korrupsion sistemik dhe i strukturuar), dhe as si një fenomen që shoqëron demokracinë shqiptare (pasi demokracia në Shqipëri, akoma nuk është parë të lulëzojë, as edhe një ditë). Korrupsioni në Shqipëri dhe demagogjia e këtyre 30 -viteve rreth tij, duhet parë e kuptuar si një vazhdimësi pa ndërprerje e praktikave, e strukturave të nëndheshme dhe e modeleve konspirative, moniste, klienteliste e kriminale të diktaturës komuniste. Shqipëria nuk do të mund të çlirohet kurrë nga dara degraduese, turpëruese e vdektare e korrupsionit, pa vepruar e goditur në mënyrë ligjore e transparente mendësinë dhe bazën komuniste të konspiracionit, klientelizmit, krahinizmit, despotizmit, bullizmit, sadizmit, sofizmit, zgjedhjeve moniste, abuzivizmit me pronat dhe investimet, etj. Pa vullnetin e lartë politik dhe trajtimin ligjor të korrupsionit në të gjitha nivelet dhe format e shfaqjes së tij, nuk do të ketë asnjë mundësi reale për mirëadministrimin e investimeve në Shqipëri, (përkundrazi, vidhen pa ngelur asgjë prej tyre), nuk do të ketë asnjë mundësi  për punësimin dhe mirëqënien, (përkundrazi, do ketë më shumë azilantë dhe varfëri), nuk do të ketë asnjë mundësi për gjithpërfshirje, dhe as për kohezion politik e shtetëror mbarëkombëtar, (përkundrazi, do të shtohen ndasitë dhe izmat e panevojshme), nuk do të ketë asnjë mundësi për procese zgjedhore të besueshme dhe të gjithëpranuara, (përkundrazi, do të rriten edhe më shumë format e manipulimit dhe të presionit ndaj votuesve dhe votës), etj.

Beteja me korrupsionin duhet të shpallet prioriteti ynë kombëtar, përndryshe nuk do ketë asnjë produkt konkret, as nga reforma e shumëpritur në drejtësi, as nga marrëveshja  zgjedhore që po mbyllet me shumë vështirësi dhe me një mosbesim reciprok të frikshëm, as nga beteja me kanabizimin dhe krimin që rrezikon që të defaktorizojë e të bëjë fiktive të gjitha reformat, marrëveshjet, ligjet dhe proceset zgjedhore në Shqipëri. Njëkohësisht, betejen me krimin dhe korrupsionin, nuk mund ta udhëheqin as kriminelet, as dhunuesit e ligjeve dhe proceseve zgjedhore, as të korruptuarit me postet, pronat dhe investimet dhe as injorantët e pesanjosët e universiteteve. Shqipëria, më shumë se kurrë në historinë e saj, ka nevojë jetike për dritën e dijes dhe moralin e pastër të njerëzve që e duan  Shqipërinë më shumë se partinë dhe kryetarët e tyre.