Flet Prof. Enriko Ceko:
– Shqipëria po kalon nga konsum “mbijetese” në konsum “stili jetese”, ku turizmi po ushtron presion mbi çmimet, kostot e biznesit janë rritur dhe Inflacioni po bëhet “inflacion shërbimesh”.
–Është e njohur se turistët paguajnë më shume, rrisin kërkesën dhe shtyjnë bizneset të rrisin çmimet dhe kjo bën që të preken më së shumti baret, restorantet, hoteleria, veprimtaritë kulturore, transporti lokal.
– Duhet të pranojmë se ekonomia shqiptare është ekonomi konsumi dhe jo ekonomi prodhimi dhe për këtë duhet të jemi të tërë të shqetësuar.
Të dhënat e fundit të INSTAT tregojnë jo vetëm “sa” po rriten çmimet, por edhe si po ndryshon mënyra e konsumit në Shqipëri!
– Kjo është edhe një nga arsyet se përse pjesa e “argëtimit” shpesh rritet më shpejt në ekonomitë me orientim turistik se sa në ekonomitë që turizmin e kanë si pjesë të ekonomisë.
– Shqipëria nuk po përjeton vetëm “inflacion klasik”, por po kalon drejt një ekonomie shërbimesh, ekonomie turistike dhe ekonomie urbane konsumi dhe pikërisht në këto lloj ekonomish çmimet rriten.
Intervistoi: Albert Z. ZHOLI
Ka disa arsye pse inflacioni në Shqipëri po ndihet më fort në disa sektorë, sidomos te karburantet dhe argëtimi. Nuk është vetëm “rritje normale çmimesh”, por kombinim i faktorëve ndërkombëtarë dhe problemeve të tregut vendas. Pse rriten çmimet në Shqipëri? Inflacioni në Shqipëri ndikohet nga 4 burime kryesore: Shqipëria importon shumicën e produkteve karburantin, ushqimet, gazin, shumë mallra konsumi. Kur rriten çmimet në tregjet ndërkombëtare, ose dobësohet zinxhiri i furnizimit, efekti vjen direkt këtu. Ekonomia është e vogël dhe tregu jo shumë konkurrues. Në disa sektorë ka pak kompani të mëdha që dominojnë tregun. Kjo e bën më të lehtë që rritja e kostove të kalojë menjëherë te konsumatori. Turizmi ka rritur kërkesën: Në vitet 2024–2026 Shqipëria pati bum turistik. Kur rritet shumë kërkesa nga turistët, bizneset rrisin çmimet: restorante, bare, evente, transport, hotele, argëtim. Pagat dhe kostot e biznesit janë rritur. Bizneset po paguajnë më shumë për paga, energji, qira dhe transport. Këto kosto futen te çmimi final. Pse nafta është më e shtrenjtë se në disa vende të Ballkanit?
Kjo është pyetje shumë e diskutuar në Shqipëri. Ka disa arsye konkrete: Taksa të larta mbi karburantin.
Një pjesë shumë e madhe e çmimit të naftës janë: akciza, taksa e qarkullimit, TVSH, taksa karboni.
Në Shqipëri pesha e taksave në karburant është relativisht e lartë krahasuar me të ardhurat mesatare.
Treg më pak konkurrues. Tregu i karburanteve në Shqipëri shpesh është akuzuar për: koordinim joformal çmimesh, mungesë konkurrence reale, lëvizje pothuajse të njëjta të çmimeve mes kompanive.
Kjo bën që: kur nafta rritet jashtë → çmimet rriten menjëherë; kur bie jashtë → ulja vjen më ngadalë.
Kjo është arsyeja pse shumë njerëz ndjejnë se “jeta është shtrenjtuar më shumë sesa thotë statistika”. Rritja më e madhe e çmimeve u regjistrua në grupin “Argëtim, sport dhe kulturë” me 6,6 % pasuar nga grupet “Transporti” me 4,1 %, “Pije alkoolikë dhe duhan” me 4,0 %, “Kujdesi personal, mbrojtja sociale dhe mallra e shërbime të ndryshme” me 3,6 %, “Restorante dhe shërbime akomodimi” me 3,0 %, “Sigurime dhe shërbime financiare” me 2,7 %, “Mobilie, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” ”dhe “Shërbimi arsimor” me 2,6 % secili, “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 2,2 %, “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera” me 1,7 %, “Veshje dhe këpucë” me 1,0 %, “Shëndeti” me 0,7 % dhe “Informacioni dhe komunikimi” me 0,5 %.
Pra Shqipërisë i është rritur më shumë kosto e argëtimit, sipas indeksit të harmonizuar me BE të çmimeve…dhe pastaj edhe te tjerat. Për këto probleme Prof. Enriko Ceko përgjigjet si më poshtë:
“-Pse inflacioni në Shqipëri po ndihet më fort në disa sektorë, sidomos te karburantet dhe argëtimi? Nuk është vetëm “rritje normale çmimesh”, por kombinim i faktorëve ndërkombëtarë dhe problemeve të tregut vendas. Sipas jush cilat janë arsyet? Mund të na spjegoni çfarë ngjet në vendin tonë lë lidhje me të dhënat e INSTAT?
Po, ju keni shumë të drejtë që adresoni këto çështje. Këto nuk janë thjesht pyetje gazetari profesionist për t’ju dhënë përgjigje, por në radhë të parë janë shqetësime qytetare, që vijnë duke dëgjuar zërin e lexuesve inteligjientë të gazetës tuaj prestigjioze. Shifrat janë kokëforta dhe duket se jemi përballë një gjendjeje mjaft të veçantë nëpër të cilën kalon ekonomia shqiptare dhe është pikërisht kjo gjendje mjaft interesante nga ana shkencore politike, ekonomike, sociale, juridike, mjedisore, kulturore, etj, e cila tregon jo vetëm “sa” po rriten çmimet, por edhe si po ndryshon mënyra e konsumit në Shqipëri. Që në fillim duhet të pranojmë se ekonomia shqiptare është ekonomi konsumi dhe jo ekonomi prodhimi dhe për këtë duhet të jemi të tërë të shqetësuar. Ky është fakti dhe kjo është edhe arsyeja kryesore për sa më lart. Në fakt, kur bëhet fjalë për matjen e inflacionit me anë të IHÇK (Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit), metodologjia afrohet me standardet e Eurostat, pra me të njëjtën metodologji si matet inflacioni edhe në Evropë nga ana e institutive të statistikës në këto vende dhe kjo metodë përdoret edhe për të bërë krahasim me vendet e BE-së. Është pikërisht kjo metodologji që jep “pamjen tjetër” nga ajo që publikon INSTAT kur mat inflacionin me anë të indekseve që matin në tërësi çmimet dhe ecurinë e tyre në një kohë të caktuar.
Le të shikojmë se ç’farë po ndodh konkretisht?
Fakti që grupi “Argëtim, sport dhe kulturë” ka rritjen më të lartë (6.6%) tregon disa zhvillime njëkohësisht: 1. Shqipëria po kalon nga konsum “mbijetese” në konsum “stili jetese” 2. Turizmi po ushtron presion mbi çmimet.
- Ka një ndryshim psikologjik pas pandemisë 4. Kostot e biznesit janë rritur 5. Inflacioni në Shqipëri po bëhet më shumë “inflacion shërbimesh”.
-Atëherë është mirë që t’i sqarojmë secilën prej tyre me detaje që lexuesi të orientohet?
- Shqipëria po kalon nga konsum “mbijetese” në konsum “stili jetese”
Është e ditur nga ana e specialistëve se kur në një ekonomi të ardhurat rriten gradualisht fillimisht njerëzit shpenzojnë për ushqim dhe nevoja bazë dhe më pas fillojnë të shpenzojnë më shumë për udhëtime, kafene, restorante, evente, palestra, pushime, pajisje teknologjike, streaming/platforma, aktivitete sociale, etj.
Pra, rritja e çmimeve te argëtimi tregon se (1) kërkesa është rritur, (2) bizneset po arrijnë të shesin më shtrenjtë dhe se (3) njerëzit vazhdojnë të konsumojnë edhe me çmime më të larta. Kjo dukuri është tipike për ekonomitë që urbanizohen dhe “europianizohen” në stil konsumi, por që nuk kanë aspak lidhje me prodhimin dhe diversifikimin e sektorëve të ekonomisë.
- Turizmi po ushtron presion mbi çmimet
Është një fakt i pamohueshëm se Shqipëria po përjeton një rritje të fortë turistike, kryesisht në katër – pesë vitet e fundit, sidomos në zona të tilla si Tirana (kryeqyteti), zonat e bregdetit, zonat turistike jo bregdetare, shtimi i eventeve kulturore, sociale, shkencore, etj. Është e njohur se turistët (1) paguajnë më shume, (2) rrisin kërkesën dhe (3) shtyjnë bizneset të rrisin çmimet dhe kjo bën që të preken më së shumti baret, restorantet, hoteleria, veprimtaritë kulturore, transporti lokal, veprimtaritë sportive dhe recreative, etj. Kjo është edhe një nga arsyet se përse pjesa e “argëtimit” shpesh rritet më shpejt në ekonomitë me orientim turistik se sa në ekonomitë që turizmin e kanë si pjesë të ekonomisë apo nuk e kanë përparësi.
- Ka një ndryshim psikologjik pas pandemisë
Pas viteve të kufizimeve për shkak të pandemisë u bë mjaft e dukshme se njerëzit filluan (1) të konsumojnë më shumë eksperienca, (2) të preferojnë “ta jetojnë jetën tani” dhe (3) të shpenzojnë më shumë për kohën e lirë dhe kjo nuk është thjesht dhe vetëm dukuri shqiptare, është dukuri globale, që njohet me termin “experience economy”. Edhe në Shqipëri kjo dukuri po shfaqet konkretisht me kafenetë që janë plot, shtimin e numrit të udhëtimeve dhe rritjen e numrit të ditëve të qëndrimit në këto udhëtime si brenda ashtu dhe jashtë vendit (dhe këtu kampion është administrata publike) shtimi i numrit dhe larmishmërisë së eventeve, zgjerimi i gamës së investimeve në resorte, shtimi i numrit të ditëve që qytetarët bëjnë për dalje sociale, etj. Kjo kërkesë e fortë për këto veprimtari dhe kjo sjellje “e shkujdesur”, ushqen inflacionin në sektorin e argëtimit, kombinuar kjo edhe me dukurinë e pastrimit të parave të krimit të organizuar dhe trafikut ilegal të produkteve të veprave penale dhe dukuri të tjera që lidhen me këto aspekte.
- Kostot e biznesit janë rritur
Në tërësi kostot e bizneset janë shtuar por në veçanti janë shtuar kostot e bizneseve të argëtimit dhe kjo pasi në këto lloj biznesesh (1) paga janë më të larta, (2) qiratë janë më të larta, (3) konsumi i energjisë është më i lartë, energji më të shtrenjtë, (4) ka vështirësi për gjetjen e personelit, (5) furnizimet me materiale dhe pajisje dhe me lëndë të parë janë më të kushtueshme se sa në sektorët e tjerë të ekonomisë dhe dihet se në fund të fundit të tëra këto kosto kalohen me në të mekanizmit të çmimit te konsumatori përfundimtar.
Pra një kafe apo një natë hoteli sot përfshin (1) energji, (2) paga, (3) taksa, (4) qira, (5) karburant, (6) import, etj.
- Inflacioni në Shqipëri po bëhet më shumë “inflacion shërbimesh”
Është shumë e rëndësishme të kuptojmë se inflacioni në Shqipëri historikisht ka qenë inflacion i importuar, pasi në tërësi meqë nuk jemi ekonomi prodhimi, por ekonomi konsumi kryesisht të tëra ushqimet, veshjet, këpucët, lëndët e para për ata sektorë të ekonomisë që janë funksionalë, energjinë elektrike, etj, ne e importojmë. Ne importojmë të tërë sheqerin, kafenë, kakaon dhe pijet alkoolike të shtrenjta që përdoren në bare, restorante dhe hoteleri turizëm. Më parë Shqipëria ka qenë pre e inflacioni global që erdhi nga rritja e çmimit të (1) energjisë, (2) karburanteve dhe (3) ushqimet në tregjet ndërkombëtare, ndërsa tani gradualisht ekonomia shqiptare po kalon në një ekonomi me bazë (1) shërbimet, (2) restorantet, (3) turizmin, (4) argëtimin, (5) kujdesi personal, etj dhe meqë ka një rritje të çmimeve të këtyre veprimtarive atëhere edhe ky lloj inflacioni është më “strukturor” dhe më i vështirë për t’u ulur. Në disa statistika duket sikur transporti ka më shumë rritje se sa argëtimi. Kjo vjen nga mënyra e llogaritjes së inflacionit. Pesha statistikore e këtyre dy veprimtarive nuk është e njëjtë, metodologjia e llogaritjes për të dy mënyrat ndryshon dhe Indeksi i Harmonizuar i Çmimevet ë Konsumiot harmonizohet sipas strukturës së BE-së. Pra një indeks inflacioni sipas mënyrës së llogaritjes mund të japë më shumë peshë karburantit, ndërsa tjetri i jep më shumë peshë shërbimeve dhe konsumit urban. Të dyja mund të jenë teknikisht të sakta, por varet se si i përdorim dhe se si ja shesim shifrat qytetarëve.
Çfarë tregon kjo për ekonominë shqiptare?
Në lidhje me ekonominë shqiptare për këto dukuri mund të themi se duhet të dimë se si ti lexojmë shifrat dhe këto zhvillime. Është pozitive që ka (1) rritje të konsumit, (2) ekonomia është më aktive, (3) turizmi si sektor në tërësi po bëhet edhe më i forte (4) ka një rritje në tërësi në sektorin e shërbimeve, (5) ka një përafrim me modelin europian të konsumit. Por nga ana tjetër, problem kryesor qëndron në faktet se (1) jetesa po bëhet gjithmonë e më e shtrenjtë, (2) qytetet shqiptare po bëhen edhe më të kushtueshme (3) familjet me të ardhura mesatare ndihen të shtypura, (4) argëtimi po bëhet “luksoz” për shumë njerëz, (5) pagat nuk rriten gjithmonë me të njëjtin ritëm si rriten çmimet. Për mua si studiues i këtyre fushave më rezulton se në thelb Shqipëria nuk po përjeton vetëm “inflacion klasik”. Jo. Ajo po kalon drejt (1) një ekonomie shërbimesh, (2) ekonomie turistike dhe (3) ekonomie urbane konsumi dhe pikërisht në këto lloj ekonomish çmimet zakonisht rriten më shpejt te veprimtari të tilla si (1) eksperienca, (2) koha e lirë, (3) jetesa urbane, (4) argëtimi, etj dhe kjo është shumë e rrezikshme, sepse nëse vazhdohet me këto ritme, Shqipëria nuk do jetë më e shqiptarëve, por shqiptarët që do mbeten këtu do jenë skllevër të atyre që kanë para.
Banka e Shqipërisë publikon të dhënat: Frenohet kredia për shtëpi, rritet kredia konsumatore. Çfarë do të thotë kjo për ekonominë?
Po vërtet, Banka e Shqipërisë ka publikuar së fundmi të dhëna në lidhje me kreditimin dhe specifikisht për kreditimin për strehim dhe kredinë konsumatore dhe sipas Bankës së Shqipërisë kredia për shtëpi është frenuar dhe kredia konsumatore është rritur. Kur Banka e Shqipërisë thotë se (1) po frenohet kredia për shtëpi dhe (2) po rritet kredia konsumatore, kjo është shume më tepër sesa një statistikë e thjeshtë dhe e zakonshme bankare. Kjo deklaratë e Bankës së Shqipërisë është një sinjal mbi (1) psikologjinë ekonomike të familjeve, (2) besimin tek e ardhmja, (3) strukturën e konsumit, (4) modelin e rritjes ekonomike dhe (5) fazën ku ndodhet ekonomia shqiptare. Me vetëm këto dy të dhëna ne mund të bëjmë një “radiografi sociale dhe ekonomike” të kësaj periudhe në të cilën ndodhet Shqipëria dhe ekonomia e saj. Për ti dhënë përgjigje pyetjeve tuaja le të shohim më në detaje çështjet e mëposhtëme; 1. Çfarë është kredia për shtëpi dhe kredia konsumatore? 2. Çfarë tregon frenimi i kredisë për shtëpi? 3. Pse po rritet kredia konsumatore? 4. Çfarë do të thotë kjo për ekonominë shqiptare?
- Çfarë është kredia për shtëpi dhe kredia konsumatore?
Në kredinë për shtëpi futen kreditë afatgjata për (1) blerje apartamenti, (2) ndërtim shtëpie dhe (30 investim në pasuri të paluajtshme. Këto kredi zakonisht (1) zgjasin 15–30 vjet, (2) kërkojnë qendrueshmëri financiare të kredimarrësit dhe (3) lidhen me besimin afatgjatë të familjes. Në kredinë konsumatore futen të tëra ato kredi që merren për për (1) blerje makinash, (2) mobilim, (3) pajisje elektronike, (4) pushime, (5) shpenzime familjare, (6) karta krediti, (7) konsum të përditshëm, etj. Këto janë kredi (1) afatshkurtra, (2 nga mënyra se si merren janë më shumë emocionale dhe (3) janë më shumë të lidhura me konsum të menjëhershëm.
- Çfarë tregon frenimi i kredisë për shtëpi?
Frenimi i marrjes së kredive për shtëpi është pjesa më e rëndësishme strukturore e kreditimit në një vend.
Kjo dukuri vjen për disa arsye.
- Familjet po tremben nga çmimet e larta të apartamenteve. Në Tiranë dhe në qytetet e tjera (1) çmimet e banesave janë rritur shumë dhe (2) raporti pagë/çmim banese është përkeqësuar. Pra tashmë çmimet për metër katror kanë shkuar përtej 2000 euro dhe një qytetari me pagë mesatare i duhen rreth 60 – 80 vite për të blerë një apartament të vogël. Pra (1) apartamentet janë bërë më pak të përballueshme dhe (2) shumë familje nuk arrijnë dot më të hyjnë në treg. Kjo në aspektin e kreditimit të banesës quhet “krizë përballueshmërie”, e cila në Shqipëri po përjetohet si në asnjë vend tjetër më parë. Normat e interesit i kanë bërë kreditë më të shtrenjta. Pas krizës ekonomike dhe financiare globale të periudhës 2008 – 2012, pas pandemisë (2019 – 2021) dhe pas krizës së karburanteve të vitit 2026 Banka e Shqipërisë dhe bankat e nivelit të dytë në tërësi për këtë periudhë rreth 20 vjeçare kanë rritur interesat dhe kjo ka bërë që kreditë mujore të bëhen edhe më të kushtueshme. Nëse një familje më parë paguante për kredinë e marrë rreth 350 euro/muaj, tashmë mund të paguajë rreth 500–600 euro/muaj. Kjo padyshim që e frenon kërkesën. Pasiguri për të ardhmen. Kur njerëzit (1) nuk ndihen të sigurt për të ardhurat, (2) kanë frikë nga kostot e jetesës dhe (3) ndihen ekonomikisht të paqëndrueshëm, fillojnë në mënyrë automatike dhe të pavetëdijshme që të shmangin borxhin afatgjatë. Pra frenimi i kreditimit në rastin e Shqipërisë padyshim që mund dhe duhet të konsiderohet si një sinjal psikologjik i pasigurisë. Tregu mund të ketë hyrë në fazë “mbinxehjeje”. Nëse çmimet e banesave (1) rriten më shpejt se pagat dhe këto çmime (2) shkëputen nga ekonomia reale, atëherë njerëzit fillojnë të tërhiqen dhe kjo tërheqje mund të jete (1) ngadalësim normal, ose (2) fillimi “i ftohjes së tregut”. Uroj të jetë ngadalësim normal, por shumica e indikatorëve tregojnë se kemi të bëjmë me fillimin “e ftohjes së tregjeve”.
- Pse po rritet kredia konsumatore?
Kjo në fakt është pjesa më interesante e kësaj dukurie nga ana sociologjike dhe kjo sepse:
- Një pjesë e familjeve në Shqipëri Familjet po e mbështesin jetesën me kredi, në një kohë kur (1) inflacioni rrit kostot, (2) pagat nuk mjaftojnë dhe (3) kursimet bien, ndërsa familjet po përdorin më shumë kredi për të ruajtur standardin e jetesës. Kjo pjesë e rebusit të cilin dua të ndërtoj për t’i hënë përgjigje pyetjes tuaj është shumë e rëndësishme, sepse ekonomia mund të duket aktive, por konsumi financohet me borxh.
- Konsumi tashmë është kthyer në një përparësi përballë investimeve afatgjata. Një shtëpi është (10 investim, (2) stabilitet dhjetë (3) planifikim afatgjatë, ndërsa një kredi konsumatore është (1) konsum i menjëhershëm, (2) kënaqësi afatshkurtër dhe (3) fleksibilitet. Pra dukshëm kemi një zhvendosje nga “ndërtimi i pasurisë”, tek “mbajtja e stilit të jetesës”.
- Shoqëria shqiptare po bëhet edhe më konsumatore dhe kjo lidhet edhe me faktin se ekonomia shqiptare është tashmë një ekonomi konsumi me përparësi për shërbime dhe brenda sektorit të shërbieve me nënsektorin e hoteleri turizmi, ku veprimtaritë e argëtimit, bar – restoranteve, veprimtarive të ndryshme turistike, kulturore, sportive, etj, po kthehen në “modë”. Kjo ka bërë që në tërësi dhe kryesisht te të rinjtë të shfaqet modeli (1) “jeto tani”, (2) konsum urban, (3) jeta është eksperienca, (4) konsum mallrash teknologjike, (5) lifestyle economy. Kjo në fakt është tipike për ekonomitë urbane modern, por në rastin e Shqipërisë duket më shumë kopje e keqe e kapitalizmit dhe e stilit modern të jetës, gjë që nuk do na çojë shumë larg. Bankat po fitojnë më shumë nga kredia konsumatore. Kjo sepse kreditë konsumatore (1) kanë interesa më të larta, (2) janë më fitimprurëse dhe (3) shpërndahen më shpejt. Këto janë edhe tre arsyet se përse bankat shpesh i promovojnë më fort këto lloj kredish.
- Çfarë do të thotë kjo për ekonominë shqiptare?
Nëse do bëjmë një analizë makroekonomike le të shikojmë disa skenare.
- Skenari pozitiv. Ekonomia po transformohet ka (1) më shumë konsum, (2) më shumë shërbime, (3) kalojmë në një ekonomi urbane, (4) turizmi zhvillohet, (5) aktiviteti tregtar rritet. Kjo shton (1) qarkullimin ekonomik, (2) rrit TVSH, (3) nxit biznesin e vogël, (5) rrit në tërësi sektorin e shërbimeve. Sipas këtij skenari familjet kanë ende besim për të konsumuar dhe nëse qytetarët vazhdojnë të marrin kredi ata nuk janë totalisht në panik dhe presin të ardhura në të ardhmen. Kjo e mban ekonominë gjallë.
- Skenari problematik.
Pikërisht në këtë skenar fillojnë rreziqet serioze, sepse rritja ekonomike mbështetet tërësisht te konsumi, jo te prodhimi dhe nëse ekonomia (1) konsumon shumë, por (2) prodhon pak, atëhere (1) importet rriten, (2) borxhi familjar rritet dhe (3) ekonomia bëhet e brishtë.
Sipas këtij skenari familjet mund të futen në cikël borxhi nëse kredia përdoret për mbijetesë,
jo për investim dhe nëse kjo gjendje bëhet e qëndrueshme, atëhere (1) kredia nuk krijon më pasuri, por (2) vetëm sa e shtyn për më tej problemin dhe kjo është e rrezikshme për periudhën afatgjatë jo vetëm për ato familje që kanë marrë kredi, por për të tërë ekonominë shqiptare, sepse nëse kjo gjendje vazhdon pa ndërhyrjet e duhura nga ana e institucioneve, atëhere mund të krijohet dukuria që njihet me termin “lodhje financiare”, e cila fillon me një “konsum në rritej” që pasohet nga (1) shtimi detyrimeve të papaguara këstet shtohen, (2) përkeqësimin e gjendjed financiare të familjeve dhe (3) rënien e konsumit.
Ky është një cikël mjaft i njohur tipik klasik ekonomik, që e kanë kaluar edhe shumë ekonomi të tjera. Pra, kemi se nga të mësojmë dhe të mos lejojmë këtë dukuri të ndodhë apo edhe nëse ndodh dëmet të jenë sa më të vogla.
Tregu i pasurive të paluajtshme mund të ngadalësohet. Nëse kreditimi fillon e bie, atëhere (1) ndërtimi mund të ngadalësohet (2) shitjet bien dhe (3) investitorët bëhen edhe më të kujdesshëm, duke shtuar këtu se sektori i ndërtimit ka një peshë shumë të madhe në ekonominë shqiptare.



















