Mihal Gjergji: Sot universiteti prodhon diploma, por jo dije!

677
Sigal

Ne kemi qindra doktorë shkencash(!) dhe profesorë, por a i meritojnë gradat shkencore dhe titujt?

Sot prodhohen diploma, por jo dije

 

Njerëzit e lidhur me prangat e pushtetit dhe interesave s’mund të projektojnë progresin

Mihal Gjergji

 

Në një publikim timin për intelektualët si pararendës të progresit shoqëror kam pasqyruar idetë e mia. Për kureshtjen e lexuesit po afroj pak rreshta. Shumë tema vazhdojnë të mbeten, tabu, sepse ndjesia e frikës vazhdon të endet sipër nesh, shenjë kjo e mjerimit intelektual dhe kulturor e atyre që guxojnë të prodhojnë art, e atyre që duan të bëhen pjesë e historisë, ndërkohë që janë të paaftë të bëjnë histori. Ne kemi qindra doktorë shkencash(!) dhe profesorë gjithashtu. A i meritojnë gradat shkencore dhe titujt?

Le të themi se i kanë rrëmbyer dhe i gëzojnë

Po mirë, cili studim doktorantësh i ka shërbyer shkollës tonë, metodologjisë së mësimdhënies, kulturës, teknologjisë, ekonomisë kombëtare, zgjidhjes së krizave sociale, politikë-bërjes? Asgjë nuk është bërë publike. Atëherë kam të drejtë të pyes: mes shpurës së doktorëve dhe profesorëve, a ka intelektualë? Le të shpjegohem. Kam njohur krijimtarinë (punimet) e disa historianëve që zotërojnë edhe vende nderi në studio televizive, si senatorë të përjetshëm. Mungesën e kulturës e kompensojnë me dogma, të inteligjencës me atdhetarinë, të qytetarisë me arrogancën imponuese. Puna e përkthyesve tanë të përkushtuar (deri në vitin 1991) në Akademinë e Shkencave, në Institutin e Historisë dhe në institucione të tjera kërkimore-shkencore, ku gjeti pasqyrim? U përvetësua nga “profesorët” dhe “doktorët”, nga këta pseudointelektualë, u botua në libra me kopertina luksoze me emrat e tyre. Turpet s’mund t’i quajmë “virtyte të larta të kombit” – kështu shkruan At Zef Pllumi. Ata nuk janë të paditur, kanë informacion, por brenda tyre mungon motivi i ndryshimit, fuqia për ta realizuar atë, sepse s’janë mendjehapur. Për rrjedhojë, ndryshimi i ideve brenda bindjes së tyre është i vështirë. Ata janë konformistë, s’guxojnë të kritikojnë njeri, sepse s’pranojnë kritika nga të tjerët.

Cilat ide kanë afruar ata?

S’kanë ç’të afrojnë veç shërbimit skllavëror ndaj padronëve. Njerëzit e lidhur me prangat e pushtetit dhe interesave s’mund të projektojnë progresin. Misioni i tyre është shërbimi ndaj vetes dhe përfitimi i privilegjeve familjare, jo idetë e reja të ndryshimit. Po shërbimin ndaj shoqërisë kush do e realizojë? Ja pra, intelektualët i kemi të paktë. Sillni në kujtesë atdhetarët mendjendritur të Rilindjes Kombëtare, ata që ideuan mëvetësimin e Shqipërisë, hapjen e shkollave shqipe, bashkimin dhe vëllazërimin rreth një ideali, “Mëmë kemi Shqipërinë/ Edhe besë perëndinë!” Shikoni pra, sa minorë janë dhe duhet të ndjehen të përkëdhelurit e djeshëm apo idiotët e dobishëm që kanë shtuar radhët e tyre. Le të konsultohemi me fjalorin e gjuhës shqipe. “Intelektual; që ka të bëjë me mendjen, me arsyen e me gjykimin, që i përket intelektit mendor”. Jo çdo mësues fshati, pedagog fakulteti, sekretare ministri, punonjës administrate, mund të përkufizohet i tillë. Ata që s’kanë shkruar asnjë rresht për një problematikë të caktuar, që s’kanë lexuar asnjë libër, që s’janë bërë pjesë e asnjë debati, s’do kuturisja t’i bëja objekt vlerësimi, kurrsesi. Krahasoni të ashtuquajturit intelektualë të sotshëm me shkencëtarin Eqerem Çabej dhe studimet e tij, kryesisht për gjuhësinë, me Androkli Kostallarin dhe kontributet e tij të vyera, me Aleks Budën e shumë të tjerë. Mund të pyesni; pse i referohesh listës së vjetër? Po kujt, atëherë? Duhet të pranojmë degradimin e sistemit tonë arsimor, i cili pas vitit 1990 është shndërruar në një biznes të frikshëm dhe fitimprurës.

 Prodhohen diploma, por jo dije.

E keni parë statujën e mjeshtrit Odhise Paskali titulluar “I urituri”? Kjo skulpturë u realizua në Torino (1924) dhe simbolizon plakun që jep shpirt në ullishtat e Vlorës. Vdiq sepse s’kishte ç’të hante. Jugun e Shqipërisë e përzuri greku (në vitin 1914) me urën e zjarrit dhe kërkuan strehim e shpëtim në qytetin bregdetar. Kjo statujë vlen edhe për kohën që jetojmë, simbolizon edhe urinë intelektuale në metropolin tonë(!). Sikur të vendosej mes Tiranës kjo kryevepër e skulpturës shqiptare!

Le t’i referohemi artit.

Edhe arti s’bëhet me inat. Pena që ngjyhet në urrejtje pengohet nga egoizmi i verbër primitiv. S’do guxoja të përfshija në klasën e privilegjuar të intelektualëve ata pseudogazetarë të punësuar gjer dje në rubrikat ideologjike të shtypit të shkruar, ndërsa sot në lehës të atyre që i paguajnë. Ata shfrytëzojnë çdo tavolinë bashkëbisedimi për të anatemuar studiuesit seriozë shqiptarë që guxojnë të trajtojnë temat e nxehta të marrëdhënieve historike mes Shqipërisë dhe fqinjëve tanë natyrorë. Mendojnë se vrasja morale e autorëve do t’i paraprijë zhvlerësimit të veprave të tyre njohëse dhe edukative. Ata lëndojnë edhe eshtrat e martirëve tanë që akuzojnë nga thellësia e varreve. Këta pseudokalemxhinj ecin me sytë e mbërthyer te kryqi dhe dorën e shtrirë për lëmoshë. Brashnjarët! Krah kësaj kategorie janë edhe disa hulumtues të “marksistëve të shquar” në çdo cep të planetit, të cilët guxojnë edhe propagandimin e këtyre “zbulimeve” interesante, aq sa edhe vetë Marksin, këtë filozof mendjendritur, e detyrojnë të dalë jashtë korrnizave të doktrinës së tij dhe të thërrasë në kupë të qiellit: -Nuk jam marksist! Mediokriteti që përfaqëson antivlerat është në mazhorancë, fatkeqësisht. U ndala te klasa e artit sepse misioni i tij fisnik është ushqimi i shpirtit dhe lartësimi i ndërgjegjes qytetare. Artistët e krijojnë atdheun ideal, shoqërinë e shëndetshme dhe ofrojnë hapësira të pamata me idetë dhe vizionin e tyre. Ja pra, një intelektual si Prof. Gaçe u referohet personaliteteve të shquara të kulturës tonë. Po risjell një citim të tij, mjaft interesant nga rilindësi Branko Merxhani. Sa vizionar është Merxhani! “Duhet të hyjmë brenda në popull dhe të rrojmë bashkë me popullin. Të vëmë re fjalët e urta dhe kallëzimet e traditave të tij. Të ndjekim mëngrën e mendimit dhe ritmin e ndjenjave të tij. Të dëgjojmë këngët e tij, muzikën e tij dhe të shohim vallet e tij. Të hyjmë brenda në krijimin e jetës së tij fetare dhe të marrim vetitë e ndjenjat e moralit të tij. Të studiojmë veshjet e tij, arkitekturën e shtëpisë dhe mobiliet e tij të thjeshta e të varfra, që stolisin kolibën fshatarake…Nga kjo shkollë e jetës popullore dolën të gjithë gjenitë e historisë…”  Unë u referohem vlerave, vetëm atyre, sepse kriticizmi ushqen prirjen e ftohtësisë, ndërsa admirimi pasohet nga lëvdatat. “Etnologjia dhe folklori shqiptar” – meritojnë një analizë të detajuar, koha dhe përkushtimi duhet të bashkëpunojnë, e në këto kushte s’mund të kërkojmë studime analitike për çdo këngë (p.sh., “vajzë e valëve” – perlë e folklorit tonë), për një valle (Osman Taka bëhet urë kalimi për shokun në krah dhe kërkon me sy hapësirat, apo vallja labe ku burrat qëndrojnë sup më sup si malet), për një lahutar që zbret në thellësi të shekujve dhe zgjon baladat. Po sjell pak rreshta nga epopeja që shkroi Oso Kuka, u rrethua nga malaziasit dhe kur i mbaruan fishekët bëri zemrën bombë dhe hodhi në erë kullën nga frëngjitë e të cilës luftonte. Sakrifikoi veten dhe trimat e tij, por vrau edhe 500 ushtarët që e kishin rrethuar. Fjalët e trimit në gojën e rapsodit popullor e më vonë te “Lahuta e Malcis”. Motivi apo shtysa e brendshme që ushqente qëndresën shqiptare:

“Zot, ç’ká thánë njaj Avdi Pasha/ Paska mbetë Shqypnija m’vasha/ Qysh se s’léka mbrendë nji djalë/ N’at Vraninë mue sod me m’dalë/ N’at Vraninë, m’at t’zezë terthore/ Ku mbe’n shkret sá armë mizore/ Ku mbe’n djerr sá tokë gratçore/ Ku mbe’n vithnat pa bagtí/ Veç prej cubash t’Malit t’ Zi”. Në cilën “harpë eoliane” era e bjeshkëve ka kënduar pikëllimin? Vetëm lahuta shqiptare mund ta bëjë një mrekulli të tillë. Ç’është ky shkëlqim brenda gurrës popullore? Dhimbja ka sjellë lotët, vërtetësia ka sjellë besueshmërinë, bukuria – admirimin, ndërsa nevoja e mbijetesës dhe etja shpirtërore ka kërkuar përjetësinë e tyre. Andaj është e gjallë kujtesa historike; Kanuni ose kushtetuta shpirtërore e Malësisë, që administronte jetën brenda bajraqeve, Kanuni i Labërisë, nderimi i jetës dhe vdekjes, këngët e pushtimit dhe këngët e qëndresës, këngët e lindjes dhe ninullat, këngët aq pikëlluese për nizamët dhe kurbetin, një dramë që vazhdon dhe në ditët tona.  Nëse vdes kujtesa,vdes kombi, paçka se shqiptarët shpresojnë dhe presin më shumë nga të tjerët se nga vetja e tyre. E kam fjalët për miqtë tanë të vërtetë që na kanë mbështetur në kohë të vështira. A mund të shpresojmë që Perëndimi do jetë gjithmonë i perëndishëm me shqiptarët edhe në kushtet e marrëzisë së tyre? “Shkëputja e Shqipërisë nga Evropa ndodh pikërisht në zemër të vezullimit Rilindës, kur idetë e progresit shoqëror, letërsia dhe artet arritën nivele përkryerje të pakapshme…shtetet evropiane filluan t’i harrojnë sakrificat e shqiptarëve për të shpëtuar qytetërimin perëndimor…” Është gjykimi i Ernest Koliqit, këtij personaliteti që ka kontribuar kaq shumë edhe për letërsinë shqipe. Në kushtet që krenohemi vetëm me martirët e eposit tonë, meritojnë t’u drejtohemi përunjësisht: Paqe mbi Ju!

 

 

Som 1

Pena që ngjyhet në urrejtje pengohet nga egoizmi i verbër primitiv. S’do guxoja të përfshija në klasën e privilegjuar të intelektualëve ata pseudogazetarë të punësuar gjer dje në rubrikat ideologjike të shtypit të shkruar, ndërsa sot në lehës të atyre që i paguajnë. Ata shfrytëzojnë çdo tavolinë bashkëbisedimi për të anatemuar studiuesit seriozë shqiptarë që guxojnë të trajtojnë temat e nxehta të marrëdhënieve historike mes Shqipërisë dhe fqinjëve tanë natyrorë.