Përse studentët zgjedhin Universitetin Mesdhetar

1540
Sigal

Alqi NAQELLARI

Universiteti Mesdhetar mund të jetë nga të paktët Universitete që del më pak në reklamat televizive. Përfaqësuesit e shumë universiteteve shtetërore dhe private, Dekanë apo Rektorë kanë dalë dhe vazhdojnë të dalin çdo ditë në televizion. Nga Universiteti MESDHETAR nuk ka dalë ndonjë përfaqësues të flasë dhe ti bëjë reklamë MESDHETARIT, megjithatë numri i studentëve te MESDHETARI po rritet çdo vit, aq sa ai është futur në grupin e Universiteteve më të mëdhenj të vendit. Çdo vit, shtohet numri i studentëve të rinj dhe cilësor në bachelor, shtohet numri i studentëve të transferuar nga universitetet e tjera. Pyetja shtrohet; pse nuk dalin të bëjnë reklamë si gjithë të tjerët edhe pedagogët e MESDHETARIT? Nuk duan student në universitet? Nuk duan të shtohet numri tyre? Kush është sekreti? Përgjigja është; sigurisht që kërkojnë të rritet numri i studentëve, bile i studentëve cilësorë. Po rritjen e numrit të studentëve nuk e shikojnë thjesht duke bërë reklamë por duke bërë punë, duke pasur disa përparësi që nuk i ka asnjë Universitet tjetër në vend. Në këtë shkrim do paraqesim disa argumente pse nuk ka shumë nevojë për tu bërë një propagandë e tillë. E para, cilësia e mësimdhënies që përcaktohet nga shkalla e kualifikimit të pedagogëve. Në MESDHETAR punojnë pedagogë të përzgjedhur nga dhjetëra kandidatë që aplikojnë në konkurrim. Zgjidhen më të mirët, me tituj e grada shkencore. Mbi 60% e pedagogëve të brendshëm mbajnë tituj e grada shkencore. Është gjetur një raport optimal midis pedagogëve të vjetër, me eksperiencë dhe pedagogëve të rinj. Është zgjedhur një raport optimal midis pedagogëve që kanë përfunduar studimet jashtë vendit dhe atyre që kanë përfunduar studimet Brenda vendit. Është vendosur një raport i drejtë midis pedagogëve të brendshëm dhe të jashtëm, në mbështetje të Udhëzimeve të Ministrisë së Arsimit. Universiteti ecën me parimin. “Një Universitet i mirë duket nga cilësia e pedagogëve. Sepse pedagogët cilësorë përcaktojnë edhe shkallën e mësimdhënies”. Studentët shkojnë në leksion kur pedagogu është cilësor, ndryshe e braktisin atë. E dyta, pedagogët e jashtëm merren nga sektori Bankar, nga sektori Financave, nga sektori i Biznesit, nga kompanitë e Sigurimeve, nga Universitetet shtetërore, nga Ministria e Ekonomisë, nga Bashkia etj. Këta pedagogë janë nga specialistet më të mirë në sistemin financiar bankar dhe jo bankar, nga më të mirët e Universiteteve shtetërore, etj. E treta, mbajtja e leksioneve të hapura nga shkencëtarë e pedagogë të huaj, të ardhur nga Universitetet Italiane, Çeke, nga Universitetet Japoneze, Bullgare me të cilët Universiteti ka lidhur marrëveshje bashkëpunimi, nga përfaqësuesit e Akademisë së Shkencave të Evropës, nga Këshilli Evropian, përfaqësues të ambasadave që flasin konkretisht për ekonominë dhe politikën e vendeve të tyre. Ata ju sjellin eksperiencën në fushat sociale, ekonomike dhe politike. E katërta, ngritja shkencore e pedagogëve dhe faktorizimi në Revistat shkencore të huaja. Të gjithë pedagogët e MESDHETARIT janë të angazhuar në botime shkencore cilësore në revista me faktor impakti. Nuk ka asnjë pedagog të mos ketë botime cilësore. Karakteristike është se janë aplikuar metodat matematike në ekonomi së bashku me ato statistikore. Kjo është gjë e veçantë sepse pak pedagogë cilësorë ka që aplikojnë këto metoda. E pesta, në studimet e tyre shkencore të përgatitura për konferenca pedagogët përfshijnë edhe studentët e masterit. Në këtë mënyrë ata aftësohen për tu përballur me problem teorike dhe praktike. Studentët gjithë e më shumë po bëhen më të interesuar në këtë bashkëpunim. Pedagogët dhe studentët e Mesdhetarit morën Çmimin e parë në Konferencën e AMF-së. Organizimi i Konferencave ndërkombëtare, ku marrin pjesë shkencëtarë të huaj, dhe përfaqësues të çdo niveli të qeverisë, të organizmave financiare dhe bankare të vendit etj. Pikërisht në këto Konferenca janë arritur punime me vlera kombëtare dhe ndërkombëtare. Universiteti Mesdhetar është nga UNIVERSITETET e pakët në Shqipëri ku pedagogët e tij kanë kontribuar në mendimin ekonomik ndërkombëtar. Pedagogët e UMSH (Fakulteti Ekonomisë) deri tani kanë tre arritje të shkëlqyera që nuk i ka asnjë Universitet tjetër në Shqipëri, as publik dhe as privat.

a)Kanë përpunuar metodën shkencore të përcaktimit të Indeksit të Valutizimit të një ekonomie. Kanë përcaktuar sa është shkalla e valutizimit në Shqipëri. Të gjitha këto i kanë shpallur botërisht në Konferenca dhe botime ndërkombëtare.

b)Kanë thyer Modelin IS-LM (kurbën IS) duke dalë ndesh me modelin Donbursh-Fisher dhe Kicks-Hansen. Për herë të parë u përcaktua kurba IS me të dhëna të ekonomisë shqiptare dhe me karakteristikat e një vendi në zhvillim. Kjo është një arritje në mendimin shkencor ndërkombëtar dhe një kontribut në analizën reale të ekonomisë shqiptare.

c)Kanë përcaktuar “Kurthin e Likujditetit”. Analizën nuk e kanë bërë mbi kurbën LM por mbi kurbën IS, ndryshe nga metoda e deritanishme në përcaktimin e këtij fenomeni ekonomik, etj. Të gjitha këto arritje i janë vënë në dispozicion Qeverisë, Shtetit shqiptare dhe Bankës Qendrore në mënyrë që të kontribuojnë për ekonominë.

Në Simpoziumin e fundit që u organizua në Kretë, përfaqësuesi i vetëm nga Shqipëria ishte pedagogu i MESDHETARIT, i cili fitoj edhe simpatinë e të gjithë pjesëmarrësve të tij për nivelin cilësor të punimit. E gjashta, pjesa më e madhe e këtyre punimeve dhe konferencave sponsorizohen nga Universiteti. Kjo është një shtysë që pedagogët të rritin nivelin e tyre shkencor në shërbim të studentëve. UMSH ka sponsorizuar pedagogët për konferenca në Francë, SHBA, Greqi, Rumani, Maqedoni etj. E shtata, lidhja e procesit mësimor me prodhimin. Në MESDHETAR janë të angazhuar biznesmenë që japin leksione dhe që lidhin teorinë me praktikën, janë të përfshirë personalitete që kanë zyra Kontabiliteti që angazhojnë studentët të njohin praktikisht sesi mbahet një Bilanc Kontabël në mënyrë që kur të përfundojnë studimet të mos kenë problem për praktikë. E teta, lidhja midis procesit të mësimdhënies me kërkimin shkencor. Kjo dukuri është e veçantë në këtë Universitet sepse pedagogët punimet shkencore që botojnë jashtë vendit ua interpretojnë edhe studentëve në auditor, ku të ftuar janë edhe pedagogë të tjerë. Kështu problemet e politikave monetare, të papunësisë, të rritjes ekonomike, të inflacionit, të financave nuk trajtohen thjesht teorikisht por realizohen praktikisht me shembuj nga ekonomia shqiptare. Ky interpretim dhe zbatim i punimeve shkencore në leksion ju bëri përshtypje edhe grupit anglez të akreditimit. Duke folur për varfërinë, për papunësinë në Shqipëri leksioni bëhet më tërheqës dhe më interesant për studentët. Në këtë mënyrë rritet edhe pjesmarrja e tyre në leksione. E nënta, një pjesë e teksteve të Universitetit janë produkt i pedagogëve të Fakultetit Ekonomik. Janë tekste me të dhëna tërësisht shqiptare dhe jo vetëm përpunime teorike. Në MESDHETAR, bëhet lënda ANALIZA DHE VLERËSIMI EKONOMIK I PROJEKTEVE, (me tekstin e pedagogëve të UMSH) i cili nuk bëhet në asnjë universitet tjetër. Universitetet e tjerë bëjnë Menaxhimin e Projekteve dhe analizën e tyre e bëjnë si kapitull më vete. Ata bëjnë lëndën Investimet. Kjo lëndë nuk ka të bëjë me investimet në projekte të botës reale por ka të bëjë me investimet në fushën e instrumenteve financiare. Në MESDHETAR, jepet lënda e Ekonomksit Konkurrencial (me Dispensë të pedagogëve të UMSH), që nuk bëhet në asnjë Universitet tjetër. Kjo lëndë ju bëri përshtypje edhe Grupeve të Akreditimit. Pikërisht në këtë lëndë studiohen edhe Institucionet Financiare jo Bankare, Kompanitë e Sigurimeve, Fondet e Pensioneve, Fondet e Investimeve, Autoriteti Konkurrencës, Enti Rregullator i Energjisë, i Ujit, i Komunikimeve Elektronike etj. Në Mesdhetar jepet Marketingu Bankar (i vetmi tekst në gjuhën shqipe që është hartuar nga pedagogët e Mesdhetarit). Lëndët e lidhura me Bankat i japin vetë autorët e teksteve që janë pedagogë të UMSH-së. Në MESDHETAR jepet lënda e Makroekonomisë së Ndërmjetme jo duke u mbështetur te Donbrush-Fisher por në tekstin e pedagogëve të UMSH-së ku flitet për ekonomitë e vogla të hapura siç është rasti i ekonomisë Shqiptare). Kjo nuk bëhet në ndonjë universitet tjetër. Në MESDHETAR jepet lënda e TRASHËGIMISË KULTURORE që bëhet vetëm në pak universitete(me leksione të pedagogëve të UMSH-së). Një pjesë e teksteve të UMSH-së përdoren edhe nga Universitete të tjera brenda dhe jashtë vendit. Cilësia e tyre është për tu lakmuar sepse janë të vetmet në Shqipëri që kanë të dhëna nga ekonomia shqiptare dhe nuk merren thjesht me probleme teorike. Kjo i bën lëndët tërheqëse dhe studentët që të afrohen në leksione dhe në seminare. E dhjeta, MESDHETARI ka kontrata bashkëpunimi për praktikat mësimore me dhjetëra institucione shtetërore e private, që nga Ministritë, Banka Qendrore dhe banka të nivelit të dytë, Kontrollin e Lartë të Shtetit, Institucionet Financiare Jo Bankare si AMF,AK, ERE, ERU, dhjetëra firma private etj, etj. E njëmbëdhjeta, te MESDHETARI nuk ka lëndë “bomba” si matematika që në universitetet e tjera është problem. Në UMSH lënda e Matematikës shikohet si lëndë ndihmëse në shërbim të lëndëve të tjera si Mikroekonomi, Makroekonomi, Drejtim Financiar, Financat e Korporatave, Teknika Bankare, Modelet Matematike të rritjes ekonomike etj. Matematika nuk është problem për asnjë nga studentët e MESDHETARIT. Problem janë lëndët teknike për të cilët ata kanë ardhur të aftësohen. Është kjo edhe njëra nga arsyet që një pjesë e mirë e transfertave janë pikërisht në lëndët që bëhen “gogol” nga vetë pedagogët dhe jo se janë të tilla. E dymbëdhjeta, UMSH-ja lejon dhe stimulon pedagogët dhe studentët e saj të vazhdojnë kualifikimet në universitetet jashtë vendit si në universitetet Franceze, Gjermane, Çeke, Zvicerane, Rumune etj. Kjo rrit shkallën e kualifikimit dhe përgatitjes profesionale të tyre në mënyrë që atë eksperiencë t’ua përcjellin kolegëve dhe studentëve të tjerë. E trembëdhjeta, ambientet e MESDHETARIT nuk i konkurron dot asnjë nga Universitetet shqiptare brenda dhe jashtë territorit. Janë moderne me të gjitha pajisjet përkatëse dhe infrastrukturën e nevojshme. E katërmbëdhjeta, studentët nuk shihen si subjekte për ti mbetur në klasë por si kolegë dhe bashkëpunëtorë të ardhshëm, si e ardhmja e shoqërisë sonë, për tu dhënë dije, me moton “ studenti është i pari, studenti është e ardhmja”, janë studentët pa jemi ne” etj. Këto janë sekretet që studentët regjistrohen te MESDHETARI. Në këtë mënyrë ata tërheqin të afërmit e tyre, bashkëmoshatarët e tyre, gjitonët e tyre. Eksperienca në UMSH këtë ka treguar. Në këtë aspekt, punonjësit e Marketingut në MESDHETAR bëhen vetë studentët e tij. Janë arsyet që unë rendita më sipër. Arsye të tjera të stisura, qëllimkeqe që përgojojnë MESDHETARIN bëhen thjeshtë nga xhelozia. Edhe këtë vit akademik regjistrimet kanë filluar. MESDHETARI pret një numër studentësh shumë më të madh se viti i kaluar. Kjo pjesëmarrje, ky respekt dhe besim që tregohet për UMSH-në na vë para përgjegjësisë. Jam i sigurt se ne, si gjithnjë do ta justifikojmë me punë besimin e tyre.