Pa reformat për rritjen e produktivitetit, miliardat antikrizë dështojnë

423
Sigal

Pa reformat për rritjen e produktivitetit dhe punësimit,

miliardat e paketave antikrizë dështojnë.

Prof. Dr. Arben Malaj – ish -Ministër i Financave

Bojken Gjoleka  – Phd.  Universiteti Utrehtit, Holandë.

 

“Ky [depresioni global] mbetet një rrezik

por ai mund të zvogëlohet përmes politikave të duhura të qeverisë

dhe modifikimeve të sjelljes së shëndetshme nga individët,”

El-Erian, ish-zëvendësdrejtor i FMN-së.

Bota ka kaluar shumë kriza financiare të cilat janë një pikënisje e mirë për të studiuar dhe  mësuar se ku u gabua në parandalimin, manaxhimin dhe kapërcimn e tyre. Depresioni i  madh 1929-1933 dhe kriza financiare globale 2008, po përdoren si referenca studimore krahasuese.

Ekziston një mirëkuptim se politikat monetare ekspansioniste, vetëm nuk mund të rivendosin rritjen ekonomike botërore.

Reformat strukturore që mbështesin rritjen e produktivitetit dhe punësimit  konsiderohen më efektive se politikat monetare dhe fiskale.  Ato veprojnë edhe në periudhat e krizave edhe gjatë kushteve të pafavorshme makro-ekonomike mjafton që të përzgjidhen dhe  prioritarizohen me kujdes dhe implementohen me sukses.

Studiuesit qartësojnë se rreziku më i madh me të cilin përballet ekonomia globale në 2020 përballë krizës së covid-19,  është përsëritje e gabimeve gjatë krizave financiare globale.

Gabimi më i madh është “dështimi për të siguruar rritje ekonomike të lartë, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme”.

Në kulmin e krizës së covid-19,  në kushtet e një pandemie botërore që ka tkurrur ekonomitë e pothuaj çdo shteti, rënia drastike e kërkesës aggregate,  rrezikon të dërgojë ekonominë globale në një recesion të thellë, i cili do të prodhojë më shumë papunësi dhe varfëri. Në përllogaritjet e para, FMN dhe ILO parashikonin se covid-19, do të krijonte një ushtri të papunësh prej rreth 300 milionë vetë.

Aktualisht në fokus janë debatet për përbërjen dhe madhësinë e  paketave  disa  trilionë dollarë.

Fokusimi tek masat shtrënguese konsiderohet një gabim  i përsëritur, pasi harrohet  këshilla John Keynes në 1937, se  “koha për të aplikuar masa ekonomike shtrënguese (austerity measures) nuk është në kohë krize, por në kohë boom-i ekonomik”.  Nobelistët Stiglitz dhe Krugman janë  kritikë për programet antikrizë,  që u fokusuan kryesisht tek ulja e deficitit dhe borxhit, në vend të krijimit të vendeve të punës.

Studiuesit këshillojnë  se për të minimizuar efektet negative të krizave të rënda, politikë-bërësit duhet të përdorin me mençuri politikat monetare, fiskale dhe sidomos reformat strukturore me fokus rritjen e produktivitetit dhe punësimit.

Në shumë vende në krizë politikat monetare jokonvencionale dhe politikat fiskale  ekspansioniste i kanë harxhuar “municionet e tyre kejnisianiste” që në kohë paqe.  Disa vende kanë pak, ose zero  “hapësirë fiskale”, për të ushqyer kërkesën aggregate, e goditur nga rënia e saj për shkak të rënies së konsumit dhe investimit privat. Njëkohësisht “sjelljet e shëndetshme të individëve” të cilat ndikohen nga pritshmëritë, duhet të jenë pjesë e rëndësishme e strategjive antikrizë.

Në kushtet kur konsumi dhe investimi privat kanë rënë më shumë se paratë e e injektuara në ekonomi, studiuesit këshillojnë, se paratë e paketave antikrizë  rrezikojnë të mos mbërrijnë në ekonominë reale.

Deficitet dhe borxhet e larta  dëmtojnë pritshmëritë për të sotmen dhe të ardhme, ndërsa pritshmëritë e përkeqësuara, reduktojnë  burimet e rritjes së kërkesës aggregate, duke  vështirësuar daljen nga kriza.

Kjo imponon që në vend të luftës për të rritur miliardat e injektuara në ekonomi, duhen reforma strukturore në  tregjet e punës, mallrave dhe shërbimeve, të cilat në një cikël pozitiv të pritshmërive ushqejnë konsumin dhe investimet që sëbashku janë burimet më të mëdha  të rritjes ekonomike.

Vlerësohet se zvogëlimi i pasigurisë së politikave përmes strategjive të mirëkuptuara të reformës , mund të parandalojë përkeqësimin e besimit në mes të biznesit dhe konsumatorëve.

Disa studime të OECD-së  sugjerojnë se prioritizimi i reformave strukturore  me fokus rritjen e produktivitetit mund të sjellë edhe përmirësime afatshkurtra edhe në kontekstin makro- të përkeqësuar nga krizat globale.

Këshillohet që qeveritë edhe gjatë periudhave të krizave globale të fokusohen tek draftimi dhe implementimi i reformave strukturore.  Përfitimet nga reformat që rritin ritmet  e rritjes mund të tejkalojnë kostot e përkohshme pasi kërkesa rritet edhe nga  parashikimi i  përfitimeve të ardhshme që sjellin reformat strukturore.

Disa shembuj konkrete të reformave strukturore të vlefshme edhe për vendin tonë janë:

  1. Heqja e çdo barriere tarifore dhe jo tarifore që lehtëson prodhuesit të rritin produktivitetin e kompanive të tyre. Rritja e produktivitetit do të rritë aftësinë konkuruese, do të rritë kapapacitet prodhuese dhe shitëse, duke rritur investimet dhe punësimin. Rritja e produktiviteti  do të përmirësojë edhe aftësinë për të amortizuar goditjet/krizat e jashtme.
  2. Reduktimi barrierave rregullatore, reduktimi kohës dhe kostove për të hyrë, promovuar dhe dalë nga tregjet e punës  sidomos në sektorin e shërbimeve rrit punësimin dhe mbështet rritjen e produktvitetit. Ky shqetësim është real për realitetin shqiptar, ku grupe interesi në profesione që “licensohen”, kanë ndërtuar barriera penguese për hyrjen në këto tregje, duke penguar vet-punësimin.
  3. Rritja e aksesit dhe ulja e kostove të shërbimeve financiare e bankare nxit investimin dhe punësimin edhe në tregje konkuruese.
  4. Reforma strukturore për të rritur dhe ruajtur stabilitetin e financave publike. Sjelljet e individëve për konsum dhe investimin ndikohen edhe nga mesazhet që përcjell stabiliteti apo pa qëndrueshmëria e financave publike.

Sipas OECD-së 2016, kohët e fundit politikë-bërësit të shqetësuar për kostot afatshkurtra të reformave strukturore,  kanë ulur ritmin  e tyre.

Shtetarët përballë krizave globale që po bëhen më të shpeshta dhe më të rënda, nuk duhet që pavarësisht kostove negative aftëshkurtra,  të ulin ritmin e reformave strukturore me fokus rritjen e produktivitetit dhe punësimit.  Këto reformat duhet të përzgjidhen me kujdes dhe të fillojnë edhe gjatë periudhave të krizave.

Pa reformat strukturore, miliardat e paketave shpëtuese, do të rezultojnë të pafuqishme për ringritjen e ekonomisë dhe rritjen e saj të shëndetshme.

Plotësimi, detajimi dhe prioritarizimi  i  reformave strukturore  dhe elementëve përbërës të tyre, duhet të mbrohen nga liderët populistë që orientohen gjithnjë e më shumë në qeverisjet e tyre nga përfitimet afatëshkurtra elektorale e personale.

Populizmi rrezikon që duke mos kryer reformat strukturore të synojë të rrit gjithnjë e më shumë paketat antikrizë, të cilat pa këto reforma do të rritin borxhet dhe do të  përkeqësojnë pritshmëritë për të ardhmen cka ul konsumin dhe investimin dhe zgjat e rëndon krizën.

Pa pritshmëri pozitive që ndikojnë sjelljen e individëve dhe biznesit, është e pamundur të parandalojmë dhe minizojmë goditjet e rënda sociale të  krizave që duket se do të jenë më të shpeshta.

Vetëm  me reforma dhe politika aktive mund t’i bëjmë krizat të manaxhueshme, afatë-shkurtra dhe me kosto më të lehta për të papunët, të varfërit dhe taksapaguesit.