Mimoza Erebara: Peshq dhe pula

546
Sigal

PESHQ  DHE  PULA

Të ndryshosh konceptet e forcave politike pjesmarrëse në zhvillim e ndryshimet e pritshme, natyrisht që nuk është e lehtë. Së pari, sepse nuk kemi të bëjmë thjesht me një koncept të jashtëm, por më së shumti  me një ndryshim të brendshëm, ndryshim mendor. Ndryshim këndvështrimi. Dhe dihet që këto “kthesa” mendore nuk vijnë as vetvetiu dhe as lehtë. Kombe të ndryshëm i kalojnë në mënyra të ndryshme. Mënyra që përfshijnë, qoftë kohën fizike që u duhet për të bërë këtë transformim, qoftë edhe mënyrën se si e realizojnë. Koha që patën shqiptarët për të realizuar këtë ndryshim këndvështrimi jetësor nga pikëpamja teorike, duket mëse e mjaftueshme, sa për të filluar seriozisht. Por po t’i referohemi  realitetit, atëherë përballemi me një tabllo krejt tjetër. Kemi një elektorat që e ka të vështirë, në mos të pamundur të realizojë pikërisht këtë transformim, pa të cilin ai as që e kupton që është i humbur. Padyshim që politika shqiptare është e tejmbushur me divergjenca konceptuale, që në thelbin e vet kanë thjesht interesa ekonomike të mirëfillta. Këto divergjenca nuk është e vështirë t’i dallosh, mjafton të ndjekësh retorikën e përdorur në fushatë. Që tek njeriu i thjeshtë përkthehet: a kam bukë për fëmijët, çdo ditë, a kam shërbim mjekësor, a kam arsimim, a kam rrugë, drita, ujë…Pjesa tjetër  mbetet “një gjuhë e huaj”, e pakuptueshme për të, dhe në rastin më të mirë, pra edhe kur e kupton, nuk është i interesuar të ndjekë frazat elokuente, të zgjedhura me kujdes, të studiuara deri në imtësi, zbërthimet e thella të krizës ekonomike botërore. Brenda këtij elektorati fle mendimi se “paraja të ndryshon”, pra ku janë paratë, kush ka para, kush jep para, ai është i fuqishëm dhe i sigurt për jetesën e tij dhe të fëmijëve të tij. “Paratë të ndryshojnë krejt mënyrën e të konceptuarit të jetës dhe të shtojnë spektrin e interesave” -thotë Margaret Theçër, ish-kryeministrja Britanike. Por elektorati shqiptar edhe pse nuk e njeh në pjesën më dërrmuese të tij Zonjën e Hekurt të Anglisë, në mënyrë krejt instiktive e ka kuptuar brenda vetes këtë fakt, që anashkalohet me aq spërdredhje elegante frazash nëpër fjalime. Kaq shumë latohen idetë, (KUR KA!), saqë për pjesën më të madhe me të vërtetë, bëhen të pakuptueshme. E njëjta situatë  duket edhe në rastin e organizimit të vetë kësaj fushate.(Duhet pranuar që kjo fushtatë ka filluar de facto, megjithëse zyrtarisht jemi ende larg në kohë) Nga të gjitha kampet politike pjesmarrëse kësaj rradhe i mëshohet fort krijimit të një imazhi të ri, të moderuar politikani, i cili sapo t’i fitojë votat, si me shkop magjik do e sikterrisë krizën dhe gjithë paudhësitë e saj tutje, dhe ata, votuesit, do të jetojnë të lumtur e të gëzuar!.Në këtë mënyrë politikanët dhe populli do të hypin një nga një shkallët e zhvillimit dhe të ndryshimit, në duart e tyre do të shkëlqejnë paratë, ato që e bëjnë këtë ndryshim. E që “lënda e parë” e kësaj industrie miliardash të besojë fundin, i përsërisin vazhdimisht si refren se fundi, dihet, është vetëm në fund, pa u thënë kurrë se ku dhe kur. Kjo padyshim  krijon një situatë, që për momentin anashkalohet me indeferentizëm. Cila është kjo? -Gjuha që përdoret në të tilla raste. Në pamje të parë duket se çdo gjë shkon vaj dhe është në rregull. Fjalëtarë që flasin, flasin, flasin… nga ana tjetër njerëz që dëgjojnë. Por deri këtu ama. Dëgjojnë dhe nuk kuptojnë. Sepse fjalëtarët, kopertinat e imazhit të ri, harrojnë se kujt niveli, kujt tradite i drejtohen kur flasin. Me të tyren, dhe me gjithë parametrat ndërkombëtarë të teorisë politike  të përbotshme, rezulton se janë me të vërtetë shumë mirë. Janë në të njëjtën shkallë  me çdo të përngjashëm tjetër nëpër botë. Por e gjithë kjo shkon kot. Është njëlloj sikur të  jesh peshk dhe të përgatisësh një fjalim “par exellent”, fjalim i cili do të linte me gojë hapur çdo balenë dhe do bënte peshkaqenët të qanin me lot e të pendoheshin se përse i kishin ngrënë! Por nëse këtë fjalim, peshku do ta mbante në qymez, pulat as do ta ngrinin kokën nga kokrrat e misrit dhe gjeli do të këndonte më qejf të tij, si gjithmonë, pa kuptuar  as edhe një gjë nga gjithë ajo bukuri oratorie.

NOA