Kozma Gjini: Avokatët e Shtetit dhe shteti pa avokat

603
Sigal

Në klimën e një vakumi organik të institucioneve të larta të Drejtësisë, jo vetëm qëndrojnë pezull një varg dosjesh të njerëzve të thjeshtë, por edhe vendime të rëndësisë së veçantë, siç është edhe e drejta legjitime e sovranit për të vendosur. Shkallët hierarkike të gjyqësorit tonë nuk janë një shpikje shqiptare. Përse janë dashur gjithë këto hallka juridike, gjykatë mbi gjykatë: Nga gjykata e rrethit gjyqësor… deri te ajo kushtetuese? Legjislacioni ynë është një dhe i vetëm, si për të gjithë qytetarët ashtu dhe për administratën. Ligjet, rregullat e mbajnë një shtet në këmbë. Por, janë njerëzit, administrata, nëpunësit, avokatët apo këshilltarët ata që u japin jetë ligjeve e vendimeve. Vërtet ligjet janë të shkruara, por ata që i kanë nëpër duar për t’i zbatuar, nuk kanë të gjithë të njëjtin nivel inteligjence, kulture profesionale e shkallë kualifikimi. Precedent të tillë, si përplasja e tanishme institucionale presidencë-qeveri, ka qenë tejet e ndjeshme në opinionin shoqëror. Aq e prekshme ka qenë e është situata, saqë, jo më kot, studiove televizive hidhej mendimi: të shpallet “Gjendja e jashtëzakonshme!”.

Opinionistë të ndryshëm apo edhe qytetarë, ngërçin institucional e argumentojnë me “kokëfortësinë e kryeministrit” dhe të tjerë me “politizimin e presidentit”. Këto, nuk kanë të bëjnë thjesht me inate shqiptare: “kush është më i fort”. Unë besoj se, as z. Meta e, as z. Rama, nuk është aq trim, sa të dalë hapur në sy të ndërkombëtarëve kundër ligjit. Gjithsesi “bomba” plasi. “Gjemba” ndodhi dhe mjedisi u “infektua”, por të çudit fakti që askush deri tani nuk i ka bërë me faj avokatët e titullarëve. A thua se vet titullarët e paskan bërë edhe rolin e avokatit.(!) (Kjo të kujton shprehjen e kaluar… “Nëse e ka bërë Mehmeti me kokën e vet…!”). Si duket, emocionet e avokatëve e të këshilltarëve të tyre, e ngritën deri në këtë far feje gjendjen e padëshiruar “president-qeveri”. Nuk bëhet kollaj oponencë me titullarin. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë, se stafi i njërit apo i tjetrit, me siguri që ka gabuar. Po, kush? Avokatët e qeverisë thonë “ne kemi të drejtë”. Ata të presidencës qëndrojnë në llogoren e tyre. Po populli, çfarë thotë? “Njëri i bie gozhdës, tjetri patkoit”. Lind pyetja: A lë vend për ekuivok legjislacioni ynë për zgjedhjet? Është e pabesueshme të mendosh se ai që është në roje të ligjit, ta shkelë i pari ligjin.(!) Por, çuditërisht, as njëra e as tjetra palë e avokatëve nuk janë prononcuar në ndonjë studio televizive mbi shkallën e të kuptuarit dhe të zbatuarit të ligjit të zgjedhjeve, (qoftë edhe të justifikonin njëri-tjetrin), përveçse ia kanë varur në qafë shefave të tyre dhe këta… le të vrasin veten. Fajin kush e mban? Faji bëhet qyrk dhe e vuan në kurriz populli. Kujtojmë fabulën…se si përfundoi mbreti që merrte në oborr të paaftët…Pas një rotacioni politik, titullarët bëjnë lëvizjet e punonjësve, duke larguar madje edhe ata që e dinë në majë të gishtave se si funksionon një institucion apo vetë shteti dhe i kanë zëvendësuar me partiakë. Ja ku na çoi kjo praktikë, e tashti populli po flet me vete: “Zgjedhjet do të bëhen më 30 qershor”.“Zgjedhjet do të bëhen më 13 tetor”.

“KQZ hedh poshtë vendimin e Presidencës”. “Gjykata e Durrësit hedh poshtë Sakon për kreun e Bashkisë”. “Po kjo gjykatë, të nesërmen, e aprovon kryebashkiaken e Durrësit”.

“Një subjekt … merr pjesë në zgjedhje jashtë afatit kohor” (!) O zot, çfarë po bëhet kështu? Nga të mbajë ai që përgjëroheni “vendos sovrani?” Dhe kjo lojë kushedi se sa do të zgjasë. Sikur po bëhet konkurrencë, jo për zbatimin e ligjshmërisë, por për shkeljen e ligjit. E dimë të gjithë se kush përfiton nga mjegulla. A tentojmë ne drejt një vendi evropian, që së paku, i ka ngritur disa standarde? Kthehem sërish tek ideja e sipërme: Duke dëgjuar për “divergjencat” Rama-Meta, të shkon mendja tek ata që “fshihen” pas tyre, suita e nëpunësve, avokatët, këshilltarët. Pyesim: Si është shkalla e bashkëpunimit të institucioneve tona për zbatimin e një vendimi me rëndësi të veçantë, siç është ai i zgjedhjeve? Shqipëria ka mjaft konstitucionalistë të vjetër nga ku duhet të mbështeten të rinjtë. Këta janë një vlerë e pamohueshme e jurisprudencës. Qëndrimi i ndërkombëtarëve lidhur me këtë ngërç ka qenë pro dhe kundër. Kreu i institucionit dhe krejt institucioni funksionon mbi bazën e disa kompetencave të detyrueshme për t’u zbatuar. Aq më tepër kur bëhet fjalë për çështje madhore siç është ruajtja e unitetit të popullit. E majta votoi më 30 qershor. E djathta do të votojë më 13 tetor. Është Gjykata Kushtetuese ajo që do të ndajë shapin nga sheqeri e do të vërë pikën mbi “i”. Por, Shqipëria ka një shans të madh përpara që s’duhet ta humbasë: ka çeljen e negociatave me BE më 17-18 tetor.

Pash zotin, gjejeni gjuhën e bashkëpunimit, për hir të shpresës që populli po i mban sytë te Evropa dhe pastaj…lëreni Drejtësinë të bëjë detyrën e saj!

Emocionet e avokatëve e të këshilltarëve të tyre, e ngritën deri në këtë farë feje gjendjen e padëshiruar “president-qeveri”. Nuk bëhet kollaj oponencë me titullarin. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë, se stafi i njërit apo i tjetrit, me siguri që ka gabuar. Po, kush? Avokatët e qeverisë thonë: “Ne kemi të drejtë”. Ata të presidencës qëndrojnë në llogoren e tyre. Po populli, çfarë thotë? “Njëri i bie gozhdës, tjetri patkoit”