Hyqmet Zane: Evropa dhe “gjykatat speciale” që kanë dënuar shqiptarët

587
Sigal

Sjellja e nxituar dhe e tensionuar e gjykatës speciale evropiane në lidhje me dënimin e krimeve kundër njerëzimit, siç edhe e ka motivimin e ekzistencës së saj, për fat të keq, kur vjen fjala për shqiptarët, duket sheshit që ka një drejtim të njëanshëm. Historikisht kjo Evropë me të ashtuquajturat gjykata të ndryshme në një shekull ka manifestuar një sjellje aspak në shërbim të të drejtave njerëzore ndaj kombit shqiptar që ka përjetuar gjenocide gjatë dekadave të jetës një shekullore në këtë Evropë. Nëse 106 vjet më parë Konferenca e Londrës vendosi copëtimin e kombit shqiptar si plotësim mideje të oreksit për kërkesat e fqinjëve ballkanikë. Çuditërisht kjo sjellje ka shoqëruar filozofinë evropiane!

Mjafton të kujtojmë marrëveshjen favorizuese për Greqinë që Fuqitë e Mëdha i dhuruan 12 ishujt e detit Jon me Protokollin e Firences më 17 dhjetor 1913, kur ato ishin territori i kombit shqiptar. Pas masakrave të Përroit të Selanit në Çamëri më vrasjen e 72 burrave në fund të marsit 1913 në kohën që vazhdonin punimet e Konferencës së Londrës, protokolli i Firences do të ishte prologu i copëtimit të trojeve shqiptare. Cila gjykatë speciale e hetoi dhe ta dënonte këtë maskaradë evropiane?

Dhe kështu një pas një me Traktatin e Fshehtë të Londrës, me favoret ndaj fqinjëve serbë e grekë për copëtimin e Shqipërisë që u denoncua nga Presidenti Amerikan i kohës Woodrow Wilson, por edhe Jalta më 1945 dhe mandej një pas një me qëndrimin heshtës ndaj krimeve greke me masakra të hapura të stilit çnjerëzor, por edhe ndaj Kosovës më 1999 dhe që vazhdon sot me sjellje aspak favorizuese ndaj shqiptarëve për sovranitetin e Pavarësisë së Kosovës dhe sot të sjelljes ndaj Ramush Haradinajt si kërkesë e serbëve për të justifikuar krimet e tyre gjenocidiste, nuk janë pak që do të duhej një gjykatë mbi gjykatat aktuale për të dhënë drejtësi supreme.

Interesante dhe me shumë enigma kjo çështja e thirrjes së Kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinajt në Gjykatën Speciale të Hagës për krimet e luftës. Them kështu sepse kjo Gjykatë e famshme do gjykojë krimet e luftës dhe gjen pikërisht një burrë shteti të Kosovës që, për t’i bërë presion për qëndrimet e tij burrërore në qeverisjen e atij vendi. I krijon të tilla precedent. Ndërkohë që krimet çnjerëzore që bënë serbët në Kosovë apo në Bosnjë, janë ende të pandëshkuara drejtësisht dhe gjaku i derdhur ende nuk është tharë. Nuk mund ta gjykoj unë se cili është motivi i vërtetë, që besoj se është një aleancë e madhe për shkak të zonave të influencës në Ballkan dhe pikërisht në Kosovë, një gjë duhet ta them se padrejtësia e herëpashershme kanë shijen e keqe të asaj që mendohet se Gjykatat e ndryshme evropiane mund të japin ndonjëherë drejtësi ndaj shqiptarëve çuditërisht. Për këtë rast dhe nën këtë këndvështrim, veç të tjerave që ndodhën në një shekull do të doja të kujtoja një fakt se 75 vjet më parë, një shtet që sot është anëtar i BE si Greqia, ka kryer krime kundër njerëzimit duke vrarë e masakruar me metodat më çnjerëzore rreth 3 mijë burra, gra, fëmijë dhe pleq, deri edhe duke u nxjerrë fëmijën nga barku nënave shtatëzëna ose duke kryer akte të turpshme.

U ngritën komisione ndërkombëtare, u morën në pyetje dëshmitarë okularë që dëshmuan tmerre të llahtarshme, një nënë u tregoi anëtarëve të komisionit skalpin e kokës së të birit, atë që mundi të shpëtojë nga tmerri i djegies së tij nga grekët, u premtua për drejtësi, por deri këtu, se asgjë tjetër nuk u bë aq më tepër që qeverisja komuniste që erdhi në fuqi pas 1944-ës, nuk e kishte interesin për të kërkuar të drejta të tilla, veç asaj që bëri në Konferencën e Paqes në Paris që ishte e para dhe e fundit kërkesë e diktatorit shqiptar për të drejtat e çamëve. Asnjëherë nuk u bë një gjyq special për këto krime kundër njerëzimit gjatë Luftës II Botërore të ndodhura në krahinën shqiptare të Çamërisë që ndodhet në territorin e Greqisë.

Kurrsesi nuk mund të thuhet se ato krime i gjykoi një Gjykatë tjetër si ajo e Nurenbergut që gjykoi krimet e nazizmit, por kurrë nuk u gjykuan krimet e bëra në vende të tilla si në Çamëri, a thua se banorët e kësaj krahine shqipfolëse ishin jashtëtokësorë dhe nuk njihej nga këta në tokë. E drejta ndërkombëtare e do që të jetë e paanshme dhe e drejtë si për shtete të mëdhenj, edhe për shtete të vogla dhe krahina si ajo e Çamërisë. I ashtuquajturi gjenocid në Armeni, më duket si një slogan më shume se sa një realitet, por që përmendet dhe stërpërmednet kudo ku kanë lobing, vetëm e vetëm se popullata e këtij vendi është e krishterë dhe antimyslimane..

Po aq të rëndësishme, të tmerrshme dhe me pasoja të rënda gjymtuese janë krimet që kanë bërë komunistët në Shqipëri duke vrarë e prerë, duke krijuar skena torturash të tilla që kanë lënë nam në opinionin shqiptar dhe atë botëror. Po asnjëherë nuk u gjykuan drejt këta kriminelë. Kam bindjen tjetër se kjo Evropë ka humbur sensin e së drejtës dhe ka marrë pamjen e një fasade që as brezit nuk ia ndryshojnë dot imazhin.
Përse kaq padrejtësi dhe njëanshmëri në nga një Gjykatë të Hagës apo të Strasburgut të quajtura evropiane që pretendon se do japë drejtësi? Edhe një seri ambasadorësh evropianë dhe ndonjë amerikan kanë manifestuar njëanshmëri dhe kanë mbajtur qëndrime aspak logjike në ndihmë të popullit shqiptar që sot po përjeton një rilindje të diktaturës me qeverisjen aspak në shërbim të popullit por të një kaste oligarkësh mafiozë.

Sido që të jetë, edhe pse betohen në Bibël e Ungjill, edhe pse nuk lënë liturgji pa kryer, për të manifestuar drejtësi edhe shpirtërisht, por ama është e ditur se ka një Zot që ka drejtësinë e vet në këto punë dhe nuk mund t’ia ulë kokën një burri shteti si Ramush Haradinajt, nuk ka gjykatë që të bëjë heshtjen ndaj krimeve të bëra nga grekët 75 vjet më parë në Çamëri, nuk mund të ketë mosndëshkim për ata që, në emër të komunizmit, bënë vepra çnjerëzore në këtë vend.

Dhe mendo, kur nuk jep drejtësi Haga, kur ngrihen Gjykata me motive padrejtësie ?! Mendo pastaj që mund të bëhet drejtësi me të ashtuquajturin “veting” në Shqipëri nga një njeri me petk kryeministror që, veç fjalën drejtësi nuk e njeh, se ai bën padrejtësi dhe krime të çfarëdollojshme mbi këtë popull. Edhe pse Evropa apo edhe SHBA mbështesin reformën në drejtësi që vërtet është domosdoshmëri, përsëri në Shqipëri shihet qartë që forca e “Fuqive të Mëdha” zbehet para dëshirës idiote të një njeriu që mendon dhe sillet si diktator.

Ndoshta do të na shërbente që mençurinë e burrave të kombit ta kishim si orientim real dhe jo për të mbushur fjalimet inatçore si trimëri e mendjeve që edhe fjalën e kanë plumb, kur në fakt duhet ta kenë udhëheqje dhe mençuri. Mit’hat Frashëri e ka të qartë kur shprehet se “Mos pandehni se me trimëri mund të bëjmë ndonjë punë të madhe. Trimëria e shqiptarëve nuk e shpëtoi dot as Nishin, as Vranjën, as Leskovcën, që i rrëmbeu Serbia, as Tivarin e Ulqinin që i gllabëroi Mali i Zi, as Çamërinë që e mori Greqia. Shqiptarit aq sa i duhet buka, i duhet dituria e nacionalizma. Për të rrojtur si komb, duhet të luftojmë për t’u bërë e për t’u njohur si komb”.

Ndërgjegjja njerëzore gjithnjë do të gjykojë me drejtësi, por njerëzit që vendosen në gjykata të tilla të ashtuquajtura speciale do të veprojnë me subjektivizëm në dhënien e vendimeve, ashtu siç do tua diktojnë Ata, Fuqitë, Lobingjet dhe paratë që derdhen në llogaritë e tyre personale. Se edhe Papa i Vatikanit pas 500 vjetësh e ca pranoi, që ndaj Galileo Galileit ishte bërë padrejtësi dhe kërkoi falje, vetëm e vetëm se ai thoshte “Epur si muove” (Prap se prapë rrotullohet). Mos ndoshta do të përsëritet historia?!

Edhe një seri ambasadorësh evropianë dhe ndonjë amerikan kanë manifestuar njëanshmëri dhe kanë mbajtur qëndrime aspak logjike në ndihmë të popullit shqiptar që sot po përjeton një rilindje të diktaturës me qeverisjen aspak në shërbim të popullit por të një kaste oligarkësh mafiozë