Gentian Çala: Rrokullima e pushtetit të Ramës

331
Sigal

Nga Gentian Çala

Shfryrja e Ramës ndaj një Kryebashkiaku si ai i Vlorës, e shoqëruar me batutën e rrudhjes së mbështetjes së tij në Vlorë, tregon qartë se Rama po humbet terren në mbështetje çdo ditë dhe se ai po shkon drejt një humbje të rëndë. Rama nuk po mundet ta fshehë nervozizmin. As e gjithë administrata publike nuk po i del ta mbajë pushtetin, madje as paratë e shpenzuara (nëse do ta tentojë ta bëjë një gjë të tillë) nuk do të mund ta mbajnë në pushtet. Ndërsa kjo po ndodh përditë, artopolantët mediatikë të qeverisë herë ngrenë problemin e zgjedhjeve pa koalicione, e herë tjetër i bien tamburave të koalicioneve të PS-së sa me LSI-në dhe sa me PD-në. Qëllimi është krejtësisht diversiv dhe për të ngatërruar sa më shumë zgjedhësit. Ujku kërkon të fshihet brenda tufës së deleve. Pamundësimi i koalicioneve shihet si një mundësi e pakësimit të mandateve të Opozitës së Bashkuar nga Rama, kurse hedhja e idesë së një koalicioni të PS-së me ndonjërën nga partitë opozitare e bën që të tjerët të besojnë se ai do të jetë Playmaker (ai që drejton lojën). Më vjen keq teksa shoh fryrjen e administratës publike të disa sektorëve, posaçërisht në pushtetin vendor, ku kryesisht të rinjve u ofrohet ndonjë vend pune se “po afrojnë zgjedhjet”. Vende të tilla pune duket se janë mashtrim për shumë prej tyre, pasi me mbarimin e zgjedhjeve do ta shohin sërisht veten të papunë. Disa të tjerë, plotësojnë dokumentacionin për tu punësuar në kompaninë shtetërore të sigurisë private të krijuar nga Rama, enkas për punësim militantësh apo mbështetësish. Të gjithë kanë nevojë për një punë, por dinjiteti duhet të vlejë më shumë se përdorimi. Rama dhe shpura e tij në pushtet po përdor ç’të mundet, por as fitimi i kohës, as vendet e punës, as diversionet, as presionet, as përdorimet nuk mund ta shpëtojnë atë dhe Rilindjen e tij nga humbja. Atëhere kur Rama të jetë i bindur se nuk ka çfarë të bëjë dhe po humbet pushtetin, si fillim, ai ka për të fajësuar dhe larguar disa nga ju (si në rastin e Lelit) dhe më pas, ka për ta braktisur vetë anijen që drejton, duke i lënë vetëm të gjithë ata që e ndjekin apo që i kanë shërbyer. Ai nuk do të sakrifikojë veten për askënd nga ju. Ata që janë më të mprehtë, e kanë kuptuar dhe po ndryshojnë sjellje, të tjerët do të mbyten bashkë me të. Rrokullima ka nisur, nuk mund të ndalet. Rilindja po shpërbëhet në thërrime dhe kjo nuk mund as të pengohet as të shpëtohet. Iluzioni i Ramës për një mandat të tretë është bërë copash nga ai vetë. Faji dhe përgjegjësia ndahet në pjesë të barabarta midis tij dhe atyre që e ndoqën, i pari për nga pushteti që grumbulloi, kurse të dytët, për nga fuqia dhe arroganca që i toleruan atij.