Gentian Çala: Babagjyshi, parlamenti dhe dhuratat…

540
Sigal

Ishe seanca e fundit e sesionit parlamentar dhe meqë ishte pragu i vitit të ri, Kryetari i Kuvendit thërret Babagjyshin për ti uruar deputetët dhe për tu dhënë një mesazh. Plaku hyri ngadalë dhe u drejtua në një ulëse që i kishin rezervuar, diku pranë rradhës së karrigeve të qeverisë.
– E hapim seancën! – thotë Ruçi dhe fton kryetarët e grupeve që të japin nga një mesazh.
Ngrihet i pari Balla:
– Në emër të PS-së, mendoj se dhuratat duhet ti shpërndahen vetëm grupit parlamentar të mazhorancës dhe disa deputetëve të opozitës së re që na kanë mbështetur.

Nga ana e opozitës së re filloi të bëhej zhurmë. Me zë më të lartë ndihej të fliste Z.Gjuzi:
– Po ç’osht kjo punë këshu, pse more veç për veten tuj?! Po ne që jemi t’partisë konservatore nuk na takon asnji pako. Po t’them ty Z. Kryeministër, boji mo mirë ca punë…
Më pas Z.Murrizi ngriti dorën dhe filloi të fliste nga foltorja:
– Keni 30 vjet që i ndani gjërat vetëm për vete, se këtu të parët kanë bërë namin, kurse ne edhe kur kemi qenë në pushtet, edhe kur nuk jemi, po opozitë mbesim. Ndani dhuratat për të gjithë dhe me mend në kokë, ndryshoni sistemin zgjedhor…- e vazhdoi gjatë e plot patos.

Babagjyshi herë kruante mjekrën e bardhë dhe herë ngrinte syzet që i rrëshqisnin nëpër kurrizin e hundës. Dukej i sikletosur dhe po mendonte se ishte ai shkaku i gjithë atij debati. Po mendimet ia ndërpreu një vajzë, ishte Znj. Hajdari. E ndoqi me vëmendje, por më shumë nuk kuptoi gjë nga ato që tha. Nuk e mori vesh nëse kjo i donte apo jo dhuratat?!

Kryetari Ruçi, po humbte durimin dhe pasi u dha fjalën të gjithëve, ftoi në fund si për ta mbyllur Kryeministrin Rama, mjkekërrzgjatur, disi i vrerosur në fyfyrë, u ngrit dhe filloi të fliste gjërë e gjatë:
– Të nderuar deputetë, përshëndesim Babagjyshin që është i pranishëm sot…Unë mendoj se qeveria e ka bërë punën si duhet, ndaj i meriton dhuratat, madje ministrat duhet të marrin nga tre dhurata. Kurse, fajin pse nuk kemi dhurata për të gjithë e ka opozita e rrugës, se për ju që jeni këtu kam respekt…- u zgjat e u zgjat Kryeministri sa Babagjyshit po i rëndoheshin qepallat dhe po i vinte një dremitje e ëmbël. Befas një zë e zgjoi:
– Babagjysh fjala është për ty!

Plaku u ngrit dhe vuri trastën e kuqe mbi kurriz dhe ju afrua foltores:
– O miq, o të nderuar, kam bërë një rrugë të largët dhe mendova se duke ardhur këtu do të shplodhesha pak, por ju u grindët kaq shumë me fjalë dhe mendova se mos isha unë shkaktari, por kur dëgjova zotërinë e fundit e kuptova se faji nuk ishte i imi, por juaji. – futi dorën në trastë dhe nxorri një si punë hajmalie.
– Këtë e kam për Kryeministrin, uroj që kjo ta qetësojë e ta ndihmojë se mu duk në hall të madh.

Nxorri nga trasta një stilolaps të gdhendur bukur dhe tha:
– Këtë ia dhuroj Znj. Hajdari që të shkruajë para se të flasë.
Nxorri një çibuk dhe drejtoi dorën nga vendi i Z. Gjuzi dhe tha:
– Kjo është dhuratë për ju, se në veri kur ta zgjasin duhanin të thonë mos fol!
Nxorri nga trasta një patkua dhe duke buzëqeshur i thotë Z.Balla:
– Kjo është për ju se do të keni nevojë për pak fat!
Më pas ju drejtua Z. Murrizi duke mbajtur në dorë një çekiç:
– Më mirë thyej gurë o bir dhe mbaj gojën!
Në fund u tha gëzuar vitin e ri dhe filloi të çapitej nga dera, kurse disa nga deputetët filluan të thërrisnin për dhurata, plaku u kthye me qësëndi dhe u tha:
– Të tjerat i kam për ata që kanë mbetur pa shtëpi!