Sigal

Nga Frank SHKRELI*

Të martën, qeveria amerikane dhe qeveria italiane lëshuan një deklaratë të përbashkët me rastin e atij që cilësohet si Dialog Strategjik midis Shteteve të Bashkuara dhe Italisë. Në tekstin e deklaratës thuhet se, me anë të këtij dialogu, “Shtetet e Bashkuara dhe Italia përforcuan më tej angazhimin e tyre ndaj marrëdhënieve dypalëshe, në takimin e parë të Dialogut Strategjik Amerikano-Italian, mbajtur nga 19-20 Nëntor, 2018, në Washington. Presidenti Trump dhe Kryeministri Giuseppe Conte, fillimisht, kishin propozuar zhvillimin e dialogut në takimin e tyre në Shtëpinë e Bardhë, më 30 Korrik të këtij viti, me qëllim për t’u përqendruar në mënyrë më të fokusuar mbi përmirësimin e sigurisë dhe të përpjekjeve për stabilizim në Rajonin e Detit Mesdhe”, thuhet në deklaratën e përbashkët amerikano-italiane. Sipas njoftimit, takimi prej dy ditësh është kryesuar bashkërisht nga Zëvendës Sekretari Amerikan për Çështje Politike, David Hale dhe Zëvendës nën-Sekretari për Politikën Mbrojtëse, David Trachtenberg, ndërsa nga pala italiane, Sebastiano Cardi, Drejtori i Përgjithshëm për Çështje Politike dhe të Mbrojtjes dhe Shef i Kabinetit të Ministrit të Mbrojtjes të Italisë, Admiralit Gianfranco Annunziata. Thuhet se në këtë takim morën pjesë gjithashtu edhe përfaqësues entesh të tjera qeveritare nga Shtetet e Bashkuara dhe Italia.

Në deklaratë theksohet se, gjatë sesioneve plenare të bisedimeve prej dy ditësh midis palëve, përfaqësuesit e “Shteteve të Bashkuara dhe Italisë, zhvilluan diskutime mbi katër fusha specifike të partneritetit: Për të ritheksuar objektivin për një Libi stabël dhe të bashkuar, dhe njëkohësisht për të siguruar mbështetjen ndërkombëtare për ndërmjetësim të Kombeve të Bashkuara në atë vend; që efektivisht të luftohen kërcënimet terroriste në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara, në bashkërendim me Aleatët tanë dhe me partnerët e koalicionit; që të punohet për përmirësimin e sigurisë energjetike në Evropë dhe për diversifikimin e burimeve të saj dhe në përgjithësi për të zhvilluar dhe për të investuar në përpjekjet e përbashkëta dhe shumëpalëshe, për të çuar përpara sigurinë dhe bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes në mbarë rajonin e Mesdheut”, theksohet në deklaratën e përbashkët amerikano-italiane, të kenë qenë çështjet kryesore që janë biseduar në Dialogun Strategjik italiano-amerikan. Deklarata e përbashkët nënvizon se në mbyllje të Dialogut Strategjik, Washingtoni dhe Roma ritheksuan rëndësinë e angazhimit të tyre të vazhdueshëm për thellimin e mëtejshëm të partneritetit midis Shteteve të Bashkuara dhe Italisë.

Ishte gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë midis Presidentit Trump dhe Kryeministrit të Italisë, Giuseppe Conte, korrikun që kaloi, kur dy udhëheqësit njoftuan vendosjen e Dialogut Strategjik midis dy vendeve. “Jam i kënaqur të njoftoj fillimin e një Dialogu të ri Strategjik midis Italisë dhe Shteteve të Bashkuara, i cili do të çojë përpara bashkëpunimin midis nesh mbi një numër çështjesh, përfshirë përpjekjet e përbashkëta të sigurisë në Mesdhe, ku ne njohim rolin udhëheqës të Italisë në stabilizimin e gjendjes në Libi dhe në Afrikën veriore”, ka thënë me atë rast, Presidenti Trump. Ndonëse të dy udhëheqësit theksuan me atë rast edhe lidhjet e ngushta historike dhe kulturore midis dy vendeve, ishin çështjet e sigurisë, të politikës së jashtme dhe të mbrojtjes, ato që dominuan takimin midis dy udhëheqësve më të lartë të Italisë dhe Shteteve të Bashkuara në korrik dhe siç duket ishin gjithnjë çështjet kryesore që dominuan edhe Dialogun Strategjik, që posa mori fund në Washington. Gjatë atij takimi, ekspertët dhe analistët, theksuan politikat e përbashkëta midis Presidentit Trump dhe Kryeministrit Italian Giuseppe Conte, sidomos në lidhje me imigracionin dhe tregtinë, madje duke e cilësuar udhëheqësin italian, si “Njeriun e Trumpit në Evropë.” Ekspertët theksojnë, se lidhjet e veçanta ose të privilegjuara, në qoftë se mund të cilësohen si të tilla tani, midis Italisë dhe Shteteve të Bashkuara, kanë një precendencë historike.

Ishte pas “Krizës së Suezit” të vitit 1956, kur Italia ishte i vetmi vend evropian që votoi në mbështetje të rezolutës së paraqitur nga Shtetet e Bashkuara, me të cilën Washingtoni dënonte fuqitë invaduese të territorit egjiptian – Francën, Britaninë e Madhe dhe Izraelin – si dhe përpjekjet e tyre për të rivendosur kontrollin perëndimor mbi Kanalin Suez. Duket se Dialogu Strategjik midis Italisë dhe Shteteve të Bashkuara mund të ketë shqetësuar disa në Evropë. Gazeta e përditshme kombëtare gjermane “Die Welt”, komentonte takimin Trump-Conte të korrikut që kaloi në Washinton si, “Lindja e një boshti të ri Washington-Romë, si kundërpeshë ndaj boshtit të vjetër Berlin-Paris…Ky është një partneritet kundër dominimit të Gjermanisë dhe Francës, të Kancelares Angela Merkel dhe Emmanuel Macron”, ka shkruar Die Welt pas atij takimi korrikun e kaluar. Ndërkaq, të dielën që kaloi, Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në një fjalim që mbajti në parlamentin gjerman bëri thirrje për një aleancë të re Franko-Gjermane për të përballuar sfidat e ardhshme në Evropë, raporton media gjermane. Ai u tha ligjvënësve gjermanë se është në dorë të Gjermanisë dhe Francës për të ndërtuar një Evropë moderne, efikase, dhe demokratike, e denjë për të ardhmen.

Ai u ka thënë gjermanëve se Gjermania dhe Franca kanë mbijetuar një periudhë 200-vjeçare “luftërash të pamëshirshme”, për të vendosur një “paqe të përhershme” dhe për të “çimentuar një gur themel të fortë bashkëpunimi në të gjitha fushat” midis dy vendeve fqinje, ka deklaruar Presidenti francez, në fjalimin e tij, të dielën që kaloi, në Bundestagun gjerman. Ai i bëri thirrje Evropës që të marrë përgjegjësinë për mbrojtjen dhe sigurinë e vet, duke paralajmëruar gjithashtu që të mos lejojë që kontinenti evropian të kthehet në një fushëbetejë të fuqive të mëdha…”dhe njëkohësisht të mos pranojë një rol të dytë nënshtrues në politikën ndërkombëtare”, ka porositur Emmanuel Macron. Sipas një fraze popullore kineze, mund të themi se me të vërtetë, “jetojmë në kohë interesante”, që në kuptimin e fjalës, mund të jetë një periudhë e rrezikshme dhe mos sigurie në botë. Por mbetet për t’u parë, në kuptimin tjetër të kësaj fraze, nëse periudha e sotme historike do të jetë një kohë shpërthimi energjish krijuese dhe pozitive për njerëzit në Evropë dhe në mbarë botën – ndoshta si asnjëherë tjetër në histori – apo një periudhë rreziqesh të reja. Sidoqoftë, shpresojmë për një shpërthim energjish të reja pozitive, sidomos në marrëdhëniet midis vendeve aleate perëndimore, por të gjitha këto lëvizje dhe deklarata të kohëve të fundit në lidhje me marrëdhëniet midis Evropës dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe midis disa shteteve të mëdha evropiane – dashtë e pa dashtë – ka mundësi të sjellin ndërlikime të padëshirueshme politiko-ushtarake, qoftë edhe të përkohshme, në nivel ndërkombëtar, jo vetëm në kontinentin evropian, por edhe më gjerë.