Evdal Nuri: Mirë tolerancë fetare, po ajo politike a vepron në shoqëri…?

404
Sigal

Në tre javë tre festa fetare. Në 17 Prill, u festuan Pashkët Katolike. Në 24 kemi ato Ortodokse dhe në 2- Maj Bajrami. Të treja këto më nxitën t’i thërras kujtesës e të hedh në letër, çfarë njohuri kam dhe raporti që ka feja me politikën në Shqipëri. Sot pranohet që mes komuniteteve fetare në Shqipëri ka tolerancë dhe bashkëjetesë.

Ky mesazh i lirë pavarësisht nga bindjet fetare flet se është koha e një zgjedhjeje të qartë mes urrejtjes dhe harmonisë, lirisë, barazisë, vëllazërimit.

 

Papa Gjon Pali i Dytë gjatë vizitës së bërë në Shqipëri theksoi: “Është për t’u marrë si shembull që të tre komunitetet fetare mbajnë njëj raport respekti reciprok dhe të një bashkëpunimi të njerëzishëm. Duhet mësuar arti i dialogut dhe i të dëgjuarit, qoftë edhe kur kjo duket e pamundur. Uroj që Shqipëria të bëhet përherë e më tepër atdheu i dialogut ndërfetar. A ka lëvdatë më të denjë për ju, sesa të tregoheni me gisht nga Evropa dhe mbarë bota, si shembull dialogu, mospërdorimi të dhunës dhe mirëkuptimi fetar të ndërsjelltë? Fetë kanë qenë vazhdimisht në harmoni me njera- tjetrën.”
Kjo harmoni është parë dhe në hapjen e Xhamisë Plumbit në Shkodër. Hafiz Sabri Koçi tha: “Vëllezër myslimanë, katolikë, ortodoksë, mbi të gjitha, vëllezër shqiptarë!” Kjo ishte thirrje për bashkëjetesë e harmoni fetare e atdhetare. Ai vazhdoi: “S’ka krim më të madh se t’i mbyllësh tjetrit derën e shpirtit, derën e ndërgjegjes e të kujtesës të të madhit Zot”. Dom Simon Jubani i dërgoi një letër Hafiz Sabri Koçit ku theksonte: “Kur gjendeshim në burg sëbashku, nuk kemi pas frig me i festue Festat Fetare, biles edhe tuej këmbye vizita te njeri- tjetri për Bajram e Pashkë, nën hundën e atyne që na mbanin në burg për të vetmin krim, se besonim në Zotin dhe reklamonim të drejtat e Njeriut. Me ndihmën e Zotit në vjetin 1990, sëbashku në Shkodër, hapëm Kishën dhe Xhaminë e parë në Republikë, mbas 30 vjetëve.”

2- Politika konfliktuale na ka dëmtuar shumë këto 30- vjet. Si s’ka ndodhur qoftë dhe një herë që opozita t’i thotë pozitës: Po! Këtë e bëre mirë! Ose anasjelltas. Fjala vjen Demokratët 2005-2013 patën arritje ? Po ! U hoqën vizat, u pranuam në N.A.T.O. e tjerë. Kjo s’u vlerësua nga socialistët!  Ose socialistët në këto 9-vite kanë arritje. Asnjë fjalë s’thuhet  për punën e mirë për eliminimin e pasojave të tërmetit, ose në  infrastrukturë . Pra mohohet gjithçka, duke mohuar zhvillimin, që është i pandarshëm në çdo shoqëri. Ne zihemi vetëm për “Politikën”! Por ka dhe nga ata që e dredhin sipas situatave. Herë me socialistët e herë me demokratët dhe herë me L.S I.  Më e keqia, kur ndryshojnë qeveritë,” fillon fshesa” për paraardhësit? Pse gjithë jetën duhet të jetojmë me frikë? Do jem në punë, apo do më heqin? 3- Raporti midis fesë dhe politikës është i gjithanshëm. Ky raport mund të bazohet në themele pozitive, të cilat ndihmojnë në realizimin e mirëqenies dhe lumturisë së njerëzimit në këtë botë, por mund të jetë raport, i cili bazohet në atë që, strukturat politike, ta shfrytëzojnë fenë dhe autoritetet fetare për t’i realizuar interesat e tyre, si mjet për t’i kontrolluar popujt, por dhe mund të jetë raport, i cili bazohet në konfrontim. Shembujt janë të shumtë. Feja do ta ndalojë sundimtarin të bëjë padrejtësi, sepse sundimtari do të jetë i vetëdijshëm se ka kufij, të cilët ai nuk guxon t’i kalojë dhe se ekziston një gjykatë para së cilës ai do të japë llogari për veprimet e tij. Nga ana tjetër, shoqëria e vetëdijshme për detyrat dhe obligimet e saj, nuk do t’i kalojë kufijtë. Në këtë situatë, politika nënkupton qeverisjen e shtetit në një mënyrë që është më e mira për shoqërinë. Imam Gazaliu, për këtë ka thënë: “Feja është themeli, kurse politika është kujdestari i saj. Ajo që nuk ka themel është gërmadhë, kurse ajo që nuk ka kujdestar, është e humbur.” Politika duhet të ruajë fenë dhe të garantojë që vlerat, etika dhe rregulloret e saj të zbatohen në praktikë dhe që drejtësia të vendoset midis njerëzve, ndërsa padrejtësia, plaçkitja, dhuna dhe diktatura të parandalohen. Feja është themel dhe bazë sipas së cilës qeveris edhe pushteti edhe bashkësia. Shpesh feja tek ne është përdorur si mjet për të realizuar qëllimet e saj. Feja ka qenë gjithmonë rregullatori kryesor i ndërtimit të karakterit personal dhe personalitetit shpirtëror të një individi. Respekti dhe dashuria ndaj Zotit ka qenë gjithmonë udhërrëfyes për ata që dëshirojnë ta ndjekin rrugën e tij dhe të shijojnë mëshirën dhe shpërblimin e tij për këtë përkushtim. Këtu nuk përjashtohen edhe interesaxhinjtë që u interesojnë vetëm interesat momentale, materiale dhe ekonomike dhe s’u bëhet vonë për interesat e të tjerëve. Ka njerëz që në mungesë të rregullave fetare, por edhe shtetërore janë të prirur që jetën ta bëjnë vetëm për lumturinë e tyre, mbi fatkeqësinë e të tjerëve me çdo çmim dhe me çdo kusht. Mesazhi që duhet të japë politika është që qytetarët kudo që janë, pavarësisht nga besimi fetar, të mbështesin vlerat e lirisë të shprehjes, barazisë mes njerëzve dhe vëllazërimit të çdo individi. 4- Diktatura s’është pajtuar asnjëherë me predikimet fetare.
Ajo kërkonte që vetëm ideologjia e saj të egzistonte. Kjo solli  që në 1967, të ndërmerrej gjoja “inisiativa” për luftën kundër fesë, që solli prishjen e institucineve fetare. Kjo ishte një goditje e rëndë kundër fesë në vendin tonë. Regjimi komunist i Shqipërisë e shpalli fenë të paligjshme dhe zhvilloi një fushatë të gjatë shtypjeje kundër besimtarëve të krishterë dhe myslimanë, duke burgosur dhe ekzekutuar klerikë e duke përndjekur familjet e tyre, edhe pse disa vazhduan ta praktikonin besimin e tyre në fshehtësi. Feja u ndalua me ligj, ndërsa u mbyllën institucionet . Sigurisht që kjo aventurë solli dëme të mëdha, por megjithatë besimi mbeti i gjallë në shpirtrat e njerëzve për t’u rizgjuar me një fuqi të re në vitet paskomuniste. Edhe pse jetojmë në një mjedis shoqëror të përbashkët, vetëm për bindje politike e vlerësojmë për keq njeri-tjetrin! “Kujdes nga ky se është socialist. Është demokrat i thekur!” Në diktaturë, s’guxoje të rrije me një të deklasuar, se të bëhej mbledhje lagje dhe e pësoje. Vitet e para të demokracisë, ndodhi e kundërta, kishe frikë të shëtisje me një ish –komunist. Kjo më ka rastisur mua! Për bindje politike kemi patur mërira, ndasira, prishje lajmësirash, plagosje dhe vrasje! Ku duket që feja tek ne vazhdimisht na ka bashkuar? Më kujtohet kur ishin Pashkët, babai na sillte vezë të kuqe, kurse për Bajram na vinin të krishterë për vizita. Edhe pse me bindje myslimane, unë jam martuar me ortodokse. Kjo ndarje nuk na ka penguar për një harmoni familjare e fetare. Në familjen time festohet Bajrami e Pashka. Gjendet Kurani dhe Bibla, mbahet Ramazan e Kreshmë , secili në besimin e tij. Vajza pas një vizite që bëri në Izrael, gruas i pruri një varëse me kryqin, kurse mua një pamje të Xhamisë  AL-Aksa që gjendet në Jeruzalem e që renditet e treta në Botë pas asaj të Mekës e Medinës. Midis shokëve të mirë që kam, disa janë të krishterë si, Prof. Dr. Pandeli Çina, Prof. Dr. Arqile Teta, Dr Llambi Konomi, Koçi, Alekoja, Virgjili, Koleci , Rolandi, Dionisi, Pali, e tjerë. Është interesante që festat fetare në Shqipëri, janë kthyer në festat e liderëve politikë. Edhe në këto ditë s’na ndahet politika. Besoj se në këto ditë, s’kemi nevojë për propagandë politike. Vetëm kur vijnë personalitete fetare, politikanët, të majtë e të djathtë, i gjen pranë njeri-tjetrit. Kjo u pa qartë gjatë vizitës të Papa Françeskut. Të gjithë u ulën pranë njeri-tjetrit në “Sheshin Nënë Tereza”. Papa theksoi që rruga e jetës është dialogu. Edhe pse ka vite, kjo porosi e tij s’është zbatuar, por është zbatuar gjuha e urretjes ndaj kundërshtarit politik. Atëhere pse politika nuk shfrytëzon harmoninë fetare në dobi të mirëqenies, harmonisë e besimit…?

Kjo tregon se politikanët tanë, s’besojnë shumë në fe, ndryshe do të na kishin bashkuar, e jo ndarë!