Ëngjëll Musai: Lamtumira për pionierin e kirurgjisë, Prof. Dr. Flamur Tartari

1429
Sigal

Ëngjëll Musai

Drejtor i Gazetës “Telegraf”

Prof.Dr.Flamur Tartari do të mbetet përjetësisht në zemrat e çdo shqiptari

Dje në mesditë është ndarë papritur nga jeta Prof. Dr. Flamur Tartari, një humanist i vërtetë, mjeshtër i kirurgjisë, pedagog për dekada me radhë në Fakultetin e Mjekësisë dhe përfaqësues i denjë në disa organizma mjekësore vendase dhe shoqata homologe ndërkombëtare. Doktor Flamuri ishte dhe një mik i mirë i shtypit dhe medias në tërësi. I palodhur, dhe i kudogjendshëm si për problemet që kishin pacientët por edhe miqtë dhe shokët, të cilët tek Doktor Flamuri ndjenin dorën e tij të ngrohtë, profesionalizmin dhe fjalët e ëmbla. Jo më kot, në mjekësi shpesh herë thuhet se “fjala shëron ndonjëherë edhe më shumë se ilaçet”. I edukuar me kulturën e shkollës mjekësore dhe me parimet e Hipokratit, Doktor Flamuri ka operuar, trajtuar dhe sjellë në jetë me qindra mijëra pacientë gjatë karrierës së tij mbi 50-vjeçare në kirurgji. Prof. Flamur Tartari do të mbetet një shembull frymëzimi dhe humanizmi për të gjithë personelin mjekësor ku ka punuar, por edhe për qindra dhe mijëra studentë që janë edukuar dhe kanë dalë në jetë si mjekë dhe kirurgë të talentuar. Keqardhje e madhe për ndarjen nga jeta të Prof. Dr. Flamur Tartarit e ndjeu edhe stafi i gazetës “Telegraf”, me të cilin bashkëpunimi ynë ishte i gjithanshëm dhe tepër profesional. Pardje pasdite në orën 18.00 ai ishte në redaksinë e Gazetës “Telegraf” , pasi kishte sjellë historikun e Spitalit të Tiranes ( sot QSUT Nënë Tereza) dhe me shumë merak donte të fliste për themeluesin e spitalit Dr. Osman Jonuzi. Madje ai hodhi edhe disa radhë në lidhje me sugjerimet profesionale për drejtuesit aktualë të shtetit dhe ministrisë së Shëndetësisë, pasi ishte njohur me inaugurimin e fillimit te punimeve te Spitalit të ri në QSUT nga Kryeministri Rama. Madje u vonua disi për shkrimin, pasi e kishte merak që të mos konsiderohej si kritikë, por si një këshillë për të mirën e vetë autoriteteve shëndetësore, kolegëve të tij dhe të mirën e qytetarëve e pacientëve. Pasi e përgatiti, iu rikthye përsëri pasi “kam 50 vjet Kirurg dhe nuk dua te turpërohem”, më tha. Priti edhe sa u faqos, dhe pjesa e parë e shkrimit doli dje në “Telegraf” dhe vazhdon edhe sot. Madje sot e kishim lënë të vinte përsëri për të pirë kafen e pasdites, por ndarja nga jeta e Mjekut humanist, i cili reflektonte vendosmëri dhe kurajë, u ndërpre. Në emër të stafit të gazetës “Telegraf” i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe të afërmve të Prof. Flamurit! Mirënjohje pa kufi për përkushtimin tuaj Prof.Flamur Tartari! I përjetshëm dhe i paharruar kujtimi për Ju, mik i mirë dhe fisnik! Do i mungoni familjes, do na mungoni neve, do i mungoni shoqërisë, por kujtimi për Ju do të mbetet i përjetshëm!