Elona CASLLI: Mandati i tretë jemi ne!

288
Sigal

Nga Elona CASLLI

Kohët e fundit gjithmonë e më dendur ka filluar të artikulohet hipoteza e një mandati të tretë për qeverinë e Rivdekjes Kombëtare. Kreu i kësaj Rivdekjeje e rinënvizon këtë fakt duke harruar se jo të gjithë shqiptarët janë medoemos ushtarët e tij.
Kreu i Rivdekjes Kombëtare duhet të mësojë të shohë përtej pëlqimeve dhe komenteve në profilin e tij në Facebook, pasi këto të fundit nuk janë gjë tjetër veçse një shpurë skllevërish vullnetarë dhe kur të vetëshpallet fitues i mandatit të tretë, t’u shpjegojë shqiptarëve se ç’ka bërë për dy mandate, që kërkon mandatin e tretë.

Dëshira për një mandat të tretë nuk është argument për ta fituar këtë të fundit.

Duke e lënë Kreun e Rivdekjes në delirin e tij të dhimbshëm, kisha një mesazh për këdo që bën pyetjen: A do ta marrë ai mandatin e tretë?!

Mandati i tretë nuk është ai. Mandati i tretë jemi ne.
Nëse në ditën e zgjedhjeve, ti do të qëndrosh në shtëpi me idenë se një votë e jotja nuk do të ndryshojë asgjë, atëherë ai e merr mandatin e tretë.

Nëse në ditën e zgjedhjeve, do të pohosh me krenari se ke vite që nuk voton dhe nuk do të votosh as këtë vit, atëherë ai e merr mandatin e tretë.

Nëse në ditën e zgjedhjeve, nuk do të risjellësh ndërmend numrin e frikshëm të shqiptarëve që kanë lënë vendin për të mos u rikthyer më, atëherë ai e fiton mandatin e tretë.
Nëse në ditën e zgjedhjeve, do të harrosh bandën e horrave, trafikantëve, vrasësve dhe përdhunuesve që u futën në parlament, atëherë ai e merr mandatin e tretë.

Nëse në ditën e zgjedhjeve, nuk të kanë mjaftuar dy mandate rivdekjeje si argument për të votuar kundër tij, atëherë ai e merr mandatin e tretë.

Si qytetarë kemi në dorë veçse votën. Dhe këtë herë çdo shqiptar që nuk dëshiron më zgjatimin e kësaj marrëzie kombëtare për një herë të tretë, nuk ia lejon dot vetes të drejtën për të mos votuar.

Vota në këtë situatë tragjike është detyrë, jo zgjedhje.

Ne kemi detyrën të votojmë. Ruajtja e votës i takon strukturave opozitare.

Mandati i tretë jemi ne. Mandati i tretë nuk është ai.

Post Scriptum- « Parimorët » që nuk përkrahin askënd veç “ moralit” , jam e bindur se i kanë idetë e qarta dhe i zbatojnë detyrat kudo dhe kurdo. Vota e tyre do të jetë plumb për armikun.