Duhet ta shpëtojmë Shqipërinë nga ky marshim i së keqes

54
 Ndriçim Kulla 
Mund të duket një slogan apokaliptik, i fryrë nga një ndjeshmëri e lartë e situatës, e momentit, që nuk shpreh të vërtetën, real politikën shqiptare. Vetëm se diçka të tillë mund ta mendojë dikush që nuk e ndjek rregullisht ose përkohësisht politikën, që është një njeri që mundohet të shohë punën e vet kudo që jeton e punon, pa u interesuar për asgjë tjetër. Ne thelb, vetëm një apolitik ose nihilist i të gjitha kaheve të politikës, mund të mendojë se demokracia shqiptare ende funksionon.  Goditjet e përhershme që ajo merr sa herë që bëhen zgjedhjet, duket sikur tani janë kthyer tragjikisht  në një rutinë për të cilën nuk kujdeset askush për ta korrigjuar, në një anomali bashkëjetuese me të gjithë sistemin tonë të demokracisë, duke u kthyer në një zakon gati-gati të gjithë-pranuar e të pashmangshëm.
Sigal

Është pikërisht kjo moskokëçarje shokuese e njerëzve, ky dorëzim në emrin dhe në ndërgjegjen e pafuqisë ndaj diçkaje që e pranojnë të gjithë në heshtje, brenda vetes, qofshin këta edhe votues të majtë, simptoma më e dukshme dhe vërtetuese se demokracia shqiptare duke u zvarritur e lënduar dhe duke marrë plagë të thella vit pas viti, më në fund ka arritur të dergjet përdhe  . Nëse nuk arrijnë njerëzit të sigurojnë se vota e tyre nuk manipulohet dhe nuk blihet atëherë ata nuk kanë më zë, nuk kanë më fuqi e të drejta, atëherë edhe ata janë në prag të mbijetesës sociale, sepse pavarësisht se njerëzit dhe individi shqiptar kanë një ndjesi solidariteti të pashembullt, një ind shoqëror i rrallë, përsëri  është raporti i individit me shtetin, raporti i individit me bashkitë, ministritë, me administratën në përgjithësi ai që vihet drejtpërdrejt në rrezik nga shuarja e demokracisë. Ja përse themi se tashmë që demokracia shqiptare është rrënuar, duhet shpëtuar njeriu shqiptar nga pasojat e tmerrshme të kësaj shuarje.

Po përse vallë, përderisa kemi sistem pluralist dhe kryejmë zgjedhje demokratike, arrijmë në përfundimin se produkti i tyre nuk është fare demokratik? Nuk do ta pohonim me gjithë zë diçka të tillë, nëse nuk do të shihnim se vazhdon avazi i përhershëm i vjedhjes së votës me tarafe, para dhe interesa të gjithfarë lloji. Themel-minuese për çdo demokraci është shtrembërimi dhe devijimi brutal i dëshirës së njerëzve nëpër votime, kjo është mese e sigurt. Vetëm se ngjarjet e këtyre dy viteve të fundit i kanë shtuar një peshë vdekjeprurëse demokracisë shqiptare, për faktin tanimë të njohur me argumente dhe procese gjyqësore, se qeveria e sotme e kthyer në regjim synon parësisht, me çdo mjet, të shkatërrojë opozitën, ta reduktojë, ta rrudhë, ta degradojë deri në asht, për ta kthyer në faktor të pavlefshëm e të padobishëm për të kryer dhe për t’i shërbyer demokracisë funksionalisht. Dhe ky nuk është një asgjësim apo dobësim që vjen si pasojë e grindjeve dhe luftës së brendshme në planin opozitar. Një luftë e tillë u inskenua dhe simulua egërsisht nga pushteti i Edi  Ramës për gjithë këto dy vjet, me veglat e veta  të neveritura Lulëzim Basha e Alibeaj, vetëm e vetëm për të minuar dhe degraduar opozitën.

E si për të mos u mjaftuar me kaq, duke parë e përllogaritur qëndresën e paepur të demokratëve, ata guxuan dhe ekzekutuan krimin e kobshëm për ta vrarë demokracinë zgjedhore në mënyrën e vet më të pashembullt. Është pikërisht kjo gjueti shtrigash ndaj opozitës që u mendua shumë e thjeshtë me lobimin dhe dënimin  non-grata të liderit të opozitës, por që pas dështimit, u kthye në një gjueti shtrigash edhe ndaj rezultatit të saj në zgjedhje, dëshmia më e qartë e strategjisë asgjësuese të regjimit. Atij i intereson të shuajë elektoralisht peshën e opozitës me të gjitha mjetet e dukshme dhe të padukshme të   sistemit, në mënyrë që të asgjësojë edhe fuqinë e saj ndikuese dhe vendim-marrëse.

Këtu fillon rreziku i madh i shqiptarëve që nuk e duan dhe kanë votuar kundër regjimit,  sepse dhe ata janë në valën e luftës së klasave, herë herë të ashpër, herë të anashkaluar me heshtje, herë me indiferencë, e herë-herë të mikluar veç për t’u përdorur sa më keq më pas. Kjo është një arsye më shumë për ti rikujtuar qeverisë dhe sidomos kryeministrit Rama, se lufta që ka filluar e që po e vazhdon egërsisht dhe pabesisht me marionetën Basha, për asgjësimin e opozitës, nuk duhet të shtrihet vertikalisht, në të gjithë sistemin-vend, kundra qytetarëve shqiptarë me bindje të djathta dhe që mbi  500 mijë kanë guxuar të mos përulen a të blihen me hilet dhe lajkat e pushtetit të tij. Këta janë qëndrestarët e mëdhenj, këta janë heronjtë e demokracisë së gjallë që janë shtrënguar e do të shtrëngohen me bukën e gojës e të fëmijëve të tyre prej regjimit, për t’u zvogëluar sa më shumë, në mënyrë që frika në bark të regjimit të jetë sa më e vogël. Ndaj ne duhet ta mbrojmë Shqipërinë, nga ky marshim i së keqes mbi bijtë e vet, sepse ndryshe nuk mund shpjegohet arratia e heshtur e njerëzve nga ky vend.