Agron Duka si dhëndër i dasmës!

286
Sigal

 

Nga Agim Xhafka

Nuk e njoh fare Agron Dukën, as e kam takuar ndonjëherë dhe as kam rastisur të ndodhem pranë tij. Por nga larg e nga pak qëndrime të shfaqura, pata krijuar një ndjesi pozitive. Deri sa nisi fushata zgjedhore. Më pas u kuptua që do ishte ndryshe brenda grupit opozitar, qysh kur deklaroi se në zonën e Shijakut po lëvrinin banditët e ai do tërhiqej nga gara në se shteti nuk do i bënte zap.

M’u duk fiks si ata ushtarët “trima” që u nisën për të mbrojtur atdheun e sa hypën në makinën ushtarake pyetën zëdridhur komandantin, kush do na mbrojë ne, o zotëri?

E kjo parandjenjë më doli e saktë. Jo, sot kur Agron Duka uron qeverinë e bandave, por që në mëngjes të 26 prillit kur nr. 2 i zonës së Durrësit kishte fituar mandatin, ama në kuti kishte veç një grusht votash për të. Ngaqë nuk e donin? Ngaqë nuk pati mbështetje nga PD? Ngaqë ishte në zonë të panjohur? Apo ngaqë u shtri e fjeti gjumë një muaj komplet. U mbars mali, polli një…mi.

Dhe si për ta plotësuar këtë gravurë me plot njolla të zeza sot ky i mandatuar nga PD, me aq vota sa kujtdo i vjen turp t’i deklarojë, del publikisht dhe uron fitoren e Edi Ramës.

Një fitore ndertuar mbi plot pikëpyetje më e pakta dhe mbi shumë e shumë grabitje, shkelje ligji dhe përdorim të burimeve të shtetit ngado e kurdo.

Toni i falenderimit ishte kaq i lartë sa tani i mandatuari Agron Duka, pandeh se është dhëndri i dasmës, protagonisti i sebepit. Harroi që partiçka e tij kurrë nuk do e kishte bërë deputet, e sot e kësaj dite Agroni do pinte ndonjë gotë me Patozin apo do luante me të ndonjë dorë me letra.

Si për mos mjaftuar kaq hidhet dhe te e kaluara e thotë se Basha e pati menduar keq lënien e mandateve dhe gabim i madh mosmarrja pjesë në zgjedhjet lokale. Pra, Lulëzimi duhet të ikë.

Nëse kthehem sërish te ajo ndjesia e mirë që kam pasur për këtë njeri prisja që Agron Duka:

1-Të mos e pranonte mandatin e deputetit. I takon PD-së të thosh se unë kam mbledhur ca qindarka vota e me aq nuk bëhem dot përfaqësues i popullit. Ja ku e keni, gëzojeni!

2-Të falenderojë Lul Bashën për nr. 2 që i dhuroi në Durrës e t’i kërkojë ndjesë që nuk i solli vota siç i premtoi burrërisht e solemnisht.

3-Pastaj le të falenderojë sa të dojë Edi Ramën, Tualet Ramën, Gramoz Ramën dhe Kunat Ramën e të kërkojë prej tyre ç’të dojë. Që nga kuti vezësh e deri në ushqim pulash…