Pulë apo Gjel? – Cilin duhet të zgjidhni për recetat tuaja

687
Sigal

Këto javë të gjithë kanë një synim të vetëm; blerjen e produkteve të nevojshëm për të përgatitur darkën e ndërrimit të viteve.

Turshitë, ullinjtë, perimet e freskëta, mishi, petat e bakllavasë e arrat, të gjitha janë pjesë e listët së blerjeve.

Por mbase më i rëndësishmi është gjeli apo pula e detit. Sipas të dhënave duket se tregtia e gjelave të detit është përqendruar në zonat e Baldushkut, Ndroqit, Pezës, Vaqarrit, Farkës etj.

Duke qenë se është kthyer në një traditë të pandashme për fundvitin, tregtia e tyre është rritur me 40-50%.

Edhe pse në shumë raste familjarët i bien shkurt dhe blejnë gjelin, edhe pula e detit nuk mbetet pas.

Sigurisht që mes tyre ka një ndryshim themelor që nis nga mishi e shkon deri tek recetat ku duhet t’i përdorni.

AgroWeb.org jua bën të lehtë zgjedhjen mes të dyve në këtë artikull, që t’i jepni shijen e duhur festave.

Diferenca e Mishit të Gjelit dhe Pulës së Detit

Gjeli i detit shquhet për qafën e tij të dhjamosur, madje në disa zona të jugut të Shqipërisë, gusha e gjelit e pjekur i jepej mikut të shtëpisë.

Kjo traditë bëhej për të nderuar mikun e familjes.

Por pavarësisht zakoneve krahinore, gjeli i detit ka një sasi më të madhe dhjami.

Diçka e tillë e bën atë perfekt për këdo që preferon që përsheshi, orizi apo patatet e pjekura të dalin të shkrifa.

Nga ana tjetër pula e detit, ka një përmbajtje më të vogël dhjami, duke e bërë mishin e saj më të mbledhur.

Mishi i pulës gjithashtu është edhe më i kuq, krahas atij të gjelit që është pothuaj i bardhë.

Duke qenë se ka pa një sasi të vogël dhjami, mishi i pulës së detit është perfekt për personat që duan diçka më të shëndetshme.

AgroWeb.org gjithashtu ju tregon se mishi i pulës së detit është zgjidhja perfekte nëse doni të përgatisni mesnikun e famshëm me petët e pjekura.

Një tjetër ndryshim mes këtyre dy produkteve është përgatitja e tyre.

Siç e përmendëm, pula e detit ka mish pak më të fortë ndaj dhe mund të kërkoj kohë pak më të gjatë gatimi.