Microsoft në bisedime për të blerë TikTok, aplikacionin e videove me pronësi kineze

291
Sigal

Microsoft është në bisedime për të blerë TikTok, aplikacionin e videove me pronësi kineze, sipas një përfaqësuesi të gjigandit të teknologjisë, pasi presidenti Donald Trump tha të premten se po mendonte të ndalonte në mënyrë të efektshme aplikacionin në Shtetet e Bashkuara.

Siç raportojnë mediat e huaja, është e paqartë se sa të përparuara janë bisedimet midis Microsoft dhe TikTok, por çdo marrëveshje mund të ndihmojë në ndryshimin e pronësisë së TikTok, tha personi në fjalë, i cili kërkoi të mbetet anonim.

TikTok është në pronësi të ByteDance, një kompani kineze e internetit, e cila vlerësohet rreth 100 miliardë dollarë.

Zyrtarët e administratës Trump kanë thënë se ata janë të shqetësuar, pasi sipas tyre TikTok paraqet një kërcënim për sigurinë kombëtare.

Kështu, administrata Trump po vlerëson mundësinë nëse do të urdhërojë ByteDance të largohet nga asetet amerikane të fituara në vitin 2017, të cilat u shkrinë më vonë në TikTok.

Bloomberg raportoi të premten se Presidenti është i gatshëm të japë një urdhër që do të detyrojë ByteDance të shesë operacionet e TikTok në SHBA.

Madje, Administrata Trump vlerëson edhe veprime të tjera të mundshme kundër kompanisë, duke përfshirë futjen e ByteDance në “një listë”, nga e cila parandalohen kompanitë e huaja të blejnë produkte dhe shërbime amerikane pa licencë të veçantë.

Siç shkruan më tej NYT, përfaqësuesit e TikTok nuk iu përgjigjën këtyre kërkesave dhe një zëdhënës i Microsoft nuk pranoi të komentojë.