+30 veprime që mund t’i bësh që sot! Do të shohësh përmirësim të ndjeshëm në jetën tënde

27
Sigal

Nëse po kërkon ta nisësh mbarë vitin, me lumturi dhe të kontribuosh më shumë për shëndetin dhe mirëqenien tënde, merr parasysh këtë listë me disa veprime, të cilat do të kenë një ndikim të jashtëzakonshëm në jetën tënde:

Mos vendos alarm në mëngjes – Sipas mjekut Neil Stanley, ekspert i gjumit, vendosja dhe dëgjimi i një alarmi të shqetëson dhe të përball me stresin që në momentin kur nis ditën. Mësoji vetes një orar të caktuar dhe mundohu të zgjohesh natyrshëm.

Dëgjo muzikë klasike – Muzika klasike ka fuqinë të të heqë sadopak stresin dhe të të aktivizojë dopaminën, ose hormonin e lumturisë.

Lëre telefonin larg krevatit – Sa më shumë ta zëvendësosh telefonin me leximin e një libri ose me gjumin, aq më mirë do të ndihesh.

Planifiko – Qëllimet e tua shkruaji në një “kalendar” dhe vizualizoji ato.

Mos pi alkool për një javë – Kjo të ndihmon të kesh një fokus më të qartë dhe ta kuptosh se nëse i vendos vetes qëllime, mund t’ia dalësh.

Bëj një playlistë me këngë të lumtura – Rrugës për punë apo për palestër, do të dëgjosh këngët e tua dhe do të mbërrish kudo me një buzëqeshje në fytyrë.

Meqë ra fjala te buzëqeshja: Zgjohu çdo ditë me një buzëqeshje – Sipas Gaby Roslin, autore e “Spread the Joy”, kjo e bind trurin se ndihet mirë dhe është gati për ta nisur ditën pozitivisht.

Gatuaj dhe merre ushqimin me veten në punë – Kjo të lumturon dy herë: Edhe kur e gatuan, edhe kur e ha.

Të mos bësh veprime që të duken pa sens – Nëse ti mendon se është pa sens, edhe kur të tjerët janë të bindur që ka kuptim, sërish mos e bëj. Dëgjo instinktin tënd.

Dëgjo muzikën tënde në palestër – Të gjithë biem dakord: Askush nuk mund të bëjë deadlifting me “Despacito” në sfond.

Ndiq rregullin e “1-minutëshit” – Nëse është një detyrë që mund ta bësh për 1 minutë, ose më pak, si për shembull: të varësh pallton, të përkëdhelësh një kafshë në rrugë, të lexosh një email etj, bëje dhe do të ndihesh mirë që hoqe qafe një veprim në 1 minutë.

2 minuta dush të ftohtë në mëngjes – Kaitlin Kalk, eksperte e shëndetit mendor thotë se dushi i ftohtë të ndihmon të përballosh ditën, edhe kur ndihesh pa energji.

Kalo kohë në natyre çdo ditë – Sipas Dr. Alex George, advokues i shëndetit mendor: “Ka shumë avantazhe për shëndetin tim mendor dhe fizik dhe bën një efekt domino në të gjithë jetën time”.

Ktheje drekën në vaktin kryesor të ditës – Nëse nuk ke dëshirë që të hash një vakt super të bollshëm në darkë, që me shumë gjasa nuk do të të lejojë të flesh, bëje drekën vaktin kryesor, ku ti merr sa më shumë vitamina dhe proteina.

Përkëdhel kafshët në rrugë – Një qenush apo kotele të afrohet dhe sytë e tyre të trishtë të kërkojnë ashtu pa folur një përkëdhelje. Mos hezito t’ua japësh. Do të të bëjë ty të ndihesh mirë, sigurisht, edhe katërputroshët.

Ndiz qirinj – Nuk ka pse të jetë një darkë romantike apo një ditë speciale. Bëje në ditët e zakonshme, kur do të relaksohesh me një aromë të këndshme.

Bëj yoga me pizhama – Nëse do të zgjohesh dhe të bësh yoga, por thjesht përton të veshësh një set palestre, epo, bëje yoga-n me pizhama. Është kaq e thjeshtë.

Qaj sa herë të kesh nevojë – Nuk ka rëndësi nëse janë lot gëzimi apo trishtimi. Nëse e ndjen të nevojshme, qaj dhe shprehi ndjesitë e tua.

Përdor gua sha para se të flesh – Kujdesi ndaj lëkurës është i nevojshëm, një masazh me gua sha – një kristal i butë dhe i lëmuar që të ndihmon të masazhosh fytyrën – është po aq i nevojshëm.

Beso se të gjithë kanë një anë interesante dhe tërheqëse – Kjo do të të ndihmojë që të mos u mbash mëri njerëzve dhe të paragjykosh më pak.

Bëj një listë me librat që do të lexosh – Kjo të mban gjallë interesin dhe të bën të marrësh sugjerime të shumta vërdallë, nga miqtë apo rrjetet sociale. Të marrësh rekomandime të tilla të ndihmon të njihesh me autorë dhe vepra të cilat ndoshta s’i ke dëgjuar më parë.

Bli në supermarket vetëm gjërat që të duhen – Ti shkon për një kos për shembull dhe thjesht e gjen veten duke marrë 1001 gjëra të tjera. Herën tjetër, na kujto dhe merr vetëm kosin që të duhet. Nëse kjo të ndihmon t’i bësh ballë tundimit, merr vetëm lekë për kosin.

Përqafo mendimin se ka gjëra të pasigurta dhe të çuditshme – Jo çdo gjë do shkojë sipas planit tënd, ose do të ndodhë që ti t’i gjesh një kuptim. Nëse nuk e kupton dot, përpiqu më shumë, por edhe mëso kur duhet të heqësh dorë.

Laj dhëmbët duke qëndruar në një këmbë – Alternoji këmbët çdo natë. Ky veprim mund të të duket qesharak, por në fakt, të forcon kyçet, gjunjët dhe të përmirëson balancën trupore.

Mos thuaj “po” kur do të thuash “jo” – Le të jetë 2024-a viti ku ti mendon për veten dhe dëshirat e tua.

Ha një mëngjes të mirë, me fruta – Kombinoje mëngjesin si të duash, por mos harro frutat. Do e nisësh ditën me më shumë energji se zakonisht.

Nise ditën me afirmime pozitive – Trego mirënjohje për gjërat që ke dhe nise ditën me afirmime pozitive, si për shembull: “Unë jam një person mjaft kreativ”; “Unë ndihem mirë në lëkurën time” etj.

Dremit – Kur ndihesh se nuk ke energji (dhe nuk je jashtë shtëpisë), shko në shtrat dhe dremit pak. Pas 20-40 minutash do të kesh energji për të gjithë ditën.

Çaktivizo një rrjet social që të bombardon me lajme të trishta – Mund të jetë X, Instagram, Facebook, TikTok, cilido aplikacion. Kur e sheh se po ekspozohesh ndaj shumë lajmeve të trishta në botë, mendo edhe për shëndetin tënd.

Bli rroba dhe aksesorë pre-owned– Kujdesu për planetin dhe bëj blerje të zgjuara me aksesorë dhe veshje që kushtojnë më pak se çmimi real dhe ruajnë të njëjtën cilësi.

Kupto që nuk mund t’i kënaqësh të gjithë – Jo dhe thjesht jo. Nuk mund të jetosh sipas pritshmërive dhe dëshirave të të tjerëve dhe sa më shpejt ta kuptosh këtë, aq më mirë do të jetë për ty.

Ndrysho wallpaper-in e telefonit – Vendos diçka që të frymëzon dhe të bën të jesh më produktiv/e dhe i/e frymëzuar.

Jepi vetes këshilla të mira dhe inkurajuese – Praktikisht, jepi vetes të njëjtat këshilla që i jep njerëzve që do shumë.