Vitiola Shkurti/ Profil i piktorit pogradecar Gjergji Lako

1289
Sigal

Kur piktura nxjerr motivet e Pogradecit të padukshëm

Për të nuk ka frymëzim më të madh sesa qyteti i tij. E sidomos kur flitet për një qytet si Pogradeci, që ka qenë muza e shumë artistëve të mëdhenj. Edhe pse ka lindur në Korçë, në 4 prill të 1949-ës, qëndrimi atje ka zgjatur vetëm dy muajt e parë të jetës, sepse u zhvendos drejt Pogradecit, qytetit që do të kthehej në frymëzimin e përhershëm artistik. Pothuajse të gjitha pikturat e tij flasin në gjuhën e Pogradecit. Qyteti me mal e me liqen, mbuluar nga gjelbërimet e harlisura, me ujëra të kulluar e një mori ngjyrash e bukurish, ofron një pikë shikimi shumë të favorshme për një piktor. Liqeni me varka në sfond, e lagjet e vjetra me oborret karakteristike të qytetit, janë pjesë e pandashme e peizazheve të tij.

Artin e bukur të pikturës e ka filluar që në moshë të vogël. Dëshira për të pikturuar nis që në klasën e parë fillore. “Vizatimi im i parë ka qenë një varkë duke lundruar në liqen. Çdo fëmijë pogradecar ka një raport të ngushtë me liqenin”, thotë duke buzëqeshur. E konsideron veten me fat që ka kaluar një fëmijëri në qytetin piktoresk, sepse ajo madhështi e qytetit nuk mund të rikthehet më. “Qyteti vishej nga një lloj misticizmi, sa human aq edhe magjik, ku në dimër sikur errej më shpejt e netët ishin të gjata. Kjo kohë kaq e qetë dhe vetmitare, më nxiste që në njëfarë mënyre të komunikoja me qytetin e heshtur, ndaj zgjodha pikturën”, tregon ai. Këto ishin vetëm fillimet e një rruge drejt suksesit. Gjergji vendos të ndjekë studimet e shkollës së mesme në Liceun Artistik “Jordan Misja”, në Tiranë. Në vitin 1972 mbaron Institutin e Lartë të Arteve me rezultate maksimale dhe diplomohet në degën piktor-grafist. Në vitet që pasuan, punon si pedagog i pikturës dhe grafikës, në liceun e Tiranës. Gjergji është piktor i njohur në shkallë kombëtare, pjesëmarrës dhe protagonist në mjaft ekspozita para dhe pas viteve ’90, brenda Shqipërisë dhe jashtë saj. Nga pjesëmarrja në aktivitetet kombëtare, është vlerësuar me disa çmime: çmimi i tretë peizazh, në 1973; çmimi i dytë portret, në 1978 dhe çmimi i dytë në grafikë peizazh në 1979.

Në vitin 1979 rikthehet në Pogradec dhe që atëherë nuk ka lënë më qytetin. “U riktheva me shumë dëshirë, duke ruajtur kujtimet më të mira për qytetin. Është e habitshme, por njeriu shkon ku shkon dhe kthehet aty nga ku ka nisur”, thotë Gjergji.

Në vitet e rinisë natyra ishte studioja e tij e preferuar. Atje qëndronte me orë të tëra duke u motivuar nga ajo çka shihte. Me mjete fare të thjeshta ky piktor arrin të përcjellë shumë emocion në motivet e vendit të tij. Ndaj s’kishte sesi të titullohej ndryshe ekspozita e vitit 2002, përveçse “Takim me natyrën”. Pesëdhjetë punime, që në tërësinë e tyre trajtojnë lidhjen e fortë të njeriut me mjedisin. Tablotë, me një dinamikë ngjyrash ku mbizotëruese janë e kaltra e tonet e saj, janë realizuar me një përkujdesje të veçantë.

Sot, atij i mungon shumë qyteti i dikurshëm. Në pamundësi për ta kthyer kohën pas, zgjedh të kthejë në kohë motivet e së shkuarës dhe ti paraqesë në pikturat e së tashmes. Kështu krijon qytetin ireal, fantastik, të magjishëm e me plot mistere. Një element që spikat nëpër tablotë e tij është një shpend i zonës, “shtërgu” i cili alternohet dhe me figura të tjera të idealizuara. Në piktura pothuajse mungon figura e njeriut, e cila zëvendësohet me zogj të përmasave gjigante. Teksa vështron imazhin e qytetit, atë ditë pranvere, në fytyrë i krijohet një buzëqeshje e trishtë. Shikimin e ka të përhumbur, sikur shikon përtej atij peizazhi. “Pogradeci nuk është më ai i dikurshmi, si në poezitë e Lasgushit e tregimet e Mitrushit. Tanimë është një qytet i zakonshëm me liqen”, kështu shprehet piktori i talentuar dhe i vjen keq për këtë fakt. Jo se Pogradeci nuk është më i bukur, por strukturalisht qyteti ka ndryshuar shumë. “Është për të qeshur, por mua më duket sikur edhe ajri në qytet ka ndryshuar. Nuk është ai ajër që të ngopte me frymë. Ndërtesat e ulëta janë zëvendësuar me pallate shumëkatëshe që s’duhet të ishin pjesë e qytetit. Edhe dielli sikur nuk shkëlqen si më parë”, thotë me keqardhje. “Tani zor se mund të kapësh ato imazhe të dikurshme. Ai përshkrim që i bëri Lasgushi qytetit në vargjet: “Liqeri ndaj fundesh u përflak, posi me zjarr e me flori” padyshim që është i përjetuar.” Megjithatë, ai nuk e ndërron Pogradecin tij me asnjë vend në botë. “ Njeriun e bën vendi, dhe mua më bëri piktor Pogradeci”, thotë me krenari.

Qëndrimi i gjatë në natyrë, tanimë ndodh rrallë. Preferon të mbyllet në studion e tij, për të risjellë në kujtesë motivet e largëta. “Më qëllon shpesh që nga natyra nuk shpreh dot pasionet e kohës, më mungon koha e shkuar dhe frymëzimi që më sillte ajo kohë, ndaj krijoj imazhe të së shkuarës që nuk janë më, pra imazhe sureale”, shpjegon Gjergji. Salvador Dali është modeli më i mirë i piktorëve surealistë për të. Kjo lidhet edhe me faktin se Dalia është mjeshtri i pikturës  që vjen nga Mesdheu, pjesë e të cilit jemi dhe ne.

 I rritur mes gojëdhënash e tregimesh të moçme nga ato të Mitrushit, nuk ka sesi tablove t’i mungojnë personazhe nga mitologjia, të lidhura drejtpërdrejt me traditën popullore. Tablo të tilla si “Muzg”, “Vegim”, “Vajza dhe mjelma” përshfaqin figura mitologjike që komunikohen përmes një gjuhe sureale.

Lidhur me surealizmin si stil të preferuar, organizon në vitin 2004 një ekspozitë titulluar “Mes reales dhe ireales”. Këtë ekspozitë e konsideron moment të rëndësishëm të jetës artistike, po ashtu edhe personale, pasi mbushi plot 55 vjeç. “Me qëllim simbolik, vendosa në ekspozitë 55 punime, për të cilat mu deshën 17 vjet punë. Çdo punim e trajtova me përkujdesje dhe dashuri dhe tek secili u mundova të pasqyroj atë Pogradecin e kujtimeve të mia, i cili s’më ka ikur nga koka akoma”, shton duke qeshur. Tablo plot me dritë dhe kolorit të ngrohtë si “Vdekja e Nositit”, “Pogradeci i vjetër”, “Shtërgu i fundit”, “Nositët” përmbajnë në vetvete lirikën lasgushiane.

Vitet e fundit Gjergji ka qenë pjesëmarrës në shumë koloni arti që organizohen në qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe me gjerë. Këto koloni kanë si synim të mbledhin piktorë jo vetëm shqiptarë, por edhe të huaj që të komunikojnë me njëri-tjetrin dhe të paraqesin veprat e tyre në ekspozitë. Së fundmi ka qenë pjesëmarrës në koloninë e zhvilluar në Pogradec, ku ka dorëzuar dy piktura që janë vlerësuar shumë nga piktorët e huaj.

Aktualisht Gjergji punon si mësues vizatimi në shkollën 8-vjeçare “Gjokë Shqiptari”, pjesë e së cilës ka qenë dikur edhe në fëmijëri, si nxënës i saj. I pëlqen t’u mësojë fëmijëve artin e bukur të pikturës ashtu si vetë e ka mësuar dikur nga mësuesit e tij. Për të është shumë e rëndësishme liria e krijimit, ndaj tematika që trajton vërtitet rreth mallit, nostalgjisë dhe emocionit të së shkuarës. Përjetimet fëmijërore hodhën bazat emocionale, duke e shndërruar, sot Gjergjin në “një piktor me fëmijëri”. Gjergji Lako krijimtarinë e tij ia dedikon Pogradecit. Ky artist kërkon t’i japë jetë me kompozim, atij qyteti që nuk ekziston më, por që e ruan ende të freskët në kujtesë. Ai pikturon ato motivet e Pogradecit të padukshëm, që vetëm mendja e një piktori arrin t’i shohë.