Veli Korça, patriot i dorës së parë, firmëtar i Pavarësisë

893
Sigal

Nga 7 delegatët e Korçës, Veli Korça, më i panjohuri deri më sot

Korça ka patur 7 delegatë në Kuvendin e Shpalljes së Pavarësisë: Pandeli Calen, SpiridhonIlon, Dhimitër Beratin, Dhimitër Emanoilin, Thanas Floqin, Dhimitër Zografin dhe Veli Korçën, por deri më sot, vetëm Veli Korça ka mbetur firmëtari më i panjohur. Për të nuk është shkruar qoftë edhe një rresht i vetëm. Më janë dashur mjaft vite për të zbuluar jetën e këtij njeriu të madh dhe diçka kam arritur të bëj,  por megjithatë sërish ka mungesa të njohjes së jetës së tij, veçanërisht pas vitit 1914, kur ai u detyrua të largohej nga Korça. Sot nuk dimë as ku ndodhet varri i tij.  Sigurisht, 50 vitet e diktaturës, personalitete të tilla i lanë krejtësisht në harresë dhe veçanërisht Veli Korçën, ndoshta nga që ai vinte nga një familje e pasur patriotike, por edhe për faktin që Akti i Pavarësisë u falsifikua nga regjimi komunist. Veli Korça është një nga firmëtarët më prestigjiozë të Korçës, me një jetë tejet të pastër patriotike, zotërues i disa gjuhëve të huaja: frënge, turke, greke dhe  maqedonase; kishte përfunduar studimet në universitetin e Stambolli, në  fakultetin e drejtësisë. Ishte bashkëstudent dhe mik i Shahin Kolonjës, i Naim dhe Sami Frashërit, i Said Najdenit, Dr Ibrahim Temos,  Dervish Himës etj. Veli Korça njihet si një nga pjesëtarët më aktiv të shoqërisë së Stambollit. Ai është njeriu që ka shkruar në gjuhën amtare legjislacionin juridik të qeverisë së Ismail Qemalit.   Veli Korça ka lindur në vitin 1867, në një familje të njohur të qytetit të Korçës, e spikatur për ndjenjat patriotike. Mësimet e para i mori në vendlindje, pasi përfundoi Ruzhdien në Korçë, shkollën e mesme e përfundoi në Manastir, ku pati aftësinë të mësonte disa gjuhë. Ka qënë gjithnjë një student i shkëlqyer. Më pas i ati e dërgoi për studime në Stamboll, atje përfundoi studimet në fakultetin e drejtësisë. Duke qenë bashkëstudent më Shahin Kolonjën, u miqësua shpejt me të, (Shahini ishte dy klasë më lart se Korça), por ai e njohu me vëllezërit Frashëri dhe me patriotë të tjerë, të cilët i përmëndëm në fillim të bisedës. Pikërisht në këto kohë, Veli Korça bëhet një nga anëtarët më të njohur të shoqërisë së Stambollit dhe spikat për ndjenjat e tij patriotike Veli Korça i përfundoi studimet në vitin 1893, deri në vitin 1905 punoi si gjykatës në Konjë të Turqisë. Pas këtij viti erdhi si gjykatës në rrethin e Gjirokastrës, ku atje punoi për dy vjet me radhë. Në vitin 1907 u kthye me të njëjtën detyrë në vendlindjen e tij në Korçë, ndërsa një vit më pas, në vitin 1908, para shpalljes së Hyrjetit, iu bashkua çetës së Haki Mborjes, ku tashmë spikat edhe për trimërinë e tij. Edhe pas shpalljes së Kushtetutës, Veli Korça vazhdon të jetë pjesëtar i Shoqërisë Patriotike të Korçës. Veç sa  më sipër, ai bënte pjesë edhe në Pleqësinë e Shoqërisë Patriotike, “Dituria shqip”etj, por duhet theksuar fakti se Veli Korça që kur ishte student dhe në vijim, ëndërronte për një Shqipëri të pavarur dhe bëri shumë për këtë ëndërr të tij. Jo rastësisht ai gjendet në Kuvendin Kombëtar të Pavarësisë si firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Të gjitha përpjekjet e tij bënë që në tetor të vitit 1912 të shkojë në Vlorë, ndërsa në nëntor ai është pjesëmarrës në Kuvendin Kombëtar për Shpalljen e Pavarësisë. Në atë fletë të bardhë, të shkruar nga Luigj Gurakuqi, në shqip dhe turqisht, vunë emrat e tyre 7 delegatët e Korçës, midis tyre edhe Veli Korça, firmëtar dinjitoz i këtij rrethi. Madje fill pas firmosjes së këtij dokumenti, Veli Korça i shkroi letër një kushëririt të tij, ku mes të tjerash e uronte: “Ta gëzojmë Shqipërinë e lirë!”.  Që nga Qeveria e Vlorës, Veli Korça së bashku me Thanas Floqin u caktuan për të shkruar në gjuhën amtare legjislacionin e duhur juridik. Në vitin 1914, Veli Korça u kthye në Korçë, por po të kemi parasysh kohën, jeta e Veli Korçës u bë e vështirë për shkak të ndjekjeve dhe ai u detyrua të largohet nga vendlindja e tij. Sot mund të them se mungojnë mjaft të dhëna për jetën e tij. Megjithatë dëshiroj të them se figura e tij duhet të vlerësohet e të zërë vendin e vet, si patriot i shquar dhe si nënshkrues i Aktit të Pavarësisë. Veli Korça, pa asnjë dyshim, bën pjesë te patriotët përparimtarë të dorës së parë. Ndaj është e domosdoshme që të hiqet shtresa e rëndë e pluhurit që ka mbuluar gjithçka të mirë të këtij personaliteti të madh të Korçës.