Thoma Mahilaj: “Me klarinetëm time i kam kënduar edhe Kosta Simitisit, ish-Kryeministrit të Greqisë”

797
Sigal

Fama e Thoma Mahilajt prej vitesh i ka kaluar kufijtë e Shqipërisë. I lindur në Rexhepaj-Gorish të Vlorës, por banues në Sarandë, ai konsiderohet si një nga mjeshtrit virtuozë të instrumentit që me tingujt e tij mahnit të madh e të vogël. 48-vjeçari ka qenë i preferuar nga të gjithë këngëtarët e folkut shqiptar nga jugu në veri, por akoma më çudibërës e bën fakti që klarinetën e ka mësuar autodidakt, nuk ka pasur mësues apo usta si i thonë fjalës, vetëm se ka adhuruar shpirtërisht korifejt e këtij instrumenti të muzikës popullore dhe me dëshirë e vullnet ja ka arritur t’ia dalë mbanë.

 – Përshëndetje Thoma, gjithmonë me saze në duar. Kur keni filluar ta mësoni klarinetën?

– Shumë herët, në vitet e fëmijërisë. Niste me të dëgjuar nëpër dasma që bëheshin në fshat e nga të dëgjuarit në Radio-post. Filluam me shokët me kashtat e grurit të improvizonim disa si pipza e kështu me ditë deri sa në vitin 1985 dola para publikut me klarinetën time. Ishin emocione të rralla e të paharrueshme. Korra duartrokitje dhe përgëzime. Nuk e lëshova më nga dora klarinetën dhe sot them se po të bazohesh tek ndjenjat dhe dëshirat e valltarit, patjetër korr suksesin.

– Ku ke qenë këto ditë?

– Po kthehem nga një dasmë nga Lazarati. Në fakt, është e treta këtë muaj që marr pjesë në këta fshat në dasmë, por këtu ka pasur edhe dasma të tjera me orkestra të tjera. Lazarati këndon dhe bën dasma. Gjithçka është lënë pas, është harruar. Jeta pulson dhe shpirti i lazaratasve gëzon dhe bëhen dasma, madje të shumta këtë muaj.

Shkoj 4-5 dasma në muaj.

– Ju jeni një nga klarinistët sarandjotë, që tashmë i keni kaluar kufijtë jo vetëm të Sarandës, por dhe të Shqipërisë…

– Po, është e vërtetë. Kam dhënë koncerte në Greqi, Gjermani, Spanjë, Itali, Zvicër, etj.. Kam 20 vjet që jap koncerte brenda dhe jashtë vendit. Në koncertet e mia jashtë shtetit në të gjitha qytetet kanë qenë të pranishëm kryetarët e bashkisë, madje njëherë edhe ish-Kryeministri i Greqisë Kosta Simitis. Janë vite shumë dhe kam shumë episode.

– Me cilët nga këngëtarët e njohur keni dhënë koncerte?

Me mua kanë kënduar këngëtarët më të njohur të folkut shqiptar si: Aleks Micka, Vito e Blerina Balili, Petrit Lulo, Ylli Baka, Mariola Kaçani, Poni, Eli Fara, e deri tek Bujar Qamili. Të gjithë kanë pasur sukses tek spektatori. Ekzekutoj muzikë nga të gjitha trevat e Shqipërisë.

– Ju ka mbetur ndonjë peng në këto vite të jetës artistike?

– Po! E kam një. Jam kthyer nga rruga, ku isha nisur për në Festivalin Ballkanik të Folkut. Më lajmëruan se babai ndërroi jetë. Nuk kishte rrugë tjetër përveç kthimit dhe nderimit të babait në përcjelljen e tij drejt banesës së fundit. Dua të shtoj se ruaj respektin më të madh për ata klarinetistë që i dhanë kulturës shqiptare, të gjithë papërjashtim. Nuk dua të veçoj asnjë.