Sulçe Çelaj: Për shtatë vjet me radhë Mehmet Shehu na dërgonte urime me telegram për secilin mësues në Kalivaç

665
Sigal

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf”,  ish mësuesi Sulçe Çelaj: Transferimin tim nga Tepelena për në Vlorë, ma bëri direkt Enver Hoxha, pas një letre që i dërgova

-Ke lidhur dhe kaluar adoleshencën në Përrua të Madh…?!

-Ai ishte fati im. Dhe i mirë madje. Asnjë nuk e njeh, por e njoh unë. Atje linda, u rrita, u përplasa me vuajtjet e viteve të para të pas çlirimit, me fukarallëkun e pjesës dërrmuese të bashkëmoshatarëve të mi. I faleminderit babait tim të merakshëm që më rriti me shumë përkulje dhe dashuri, më nxiti dëshirën për t’u bërë djalë i mirë dhe njeri i mire me shkollë.

Përmende fjalën shkollë?
-Bashkë me qumështin e gjirit të nënës, kisha marrë edhe dashurinë e madhe për shkollë pa e ditur se çfarë ishte ajo. Nëna ime shpesh më thoshte ‘të keqen nëna, mëso se ashtu bëhesh i mençur, të duan të gjithë njerëzit, ata pa shkollë me dhi do të venë. Unë i trembesha shumë kësaj…
-Diçka më shumë për rrugën e shkollimit.
– Po! Me çantën e leshtë me lule qilimi në mes, me libra e lapsa e pena  të humbura kushedi sa herë, me shishen me dhallë dhe një copë bukë misri në çantë, bëja kilometrazhin e përditshëm. Pyjet e Shamete-Bregu i Bobe, e më tej, anasjelltas. Me krenari e them se kam pasur mësues që i quaj  edhe sot e kësaj dite më të mirët në Botë. Gani Muço Karteri. Në klasë të parë dija që ditën e parë të numëroja deri në 100. Mësuesi gojëmjaltë më vuri në bankë me një djalë nga Terbaçi, Nure Abazaj. Na vuri në garë. Në klasë të katërt më bënë komandant çete sepse në të katër klasat nuk kisha nxjerrë asnjë katër, të gjithë pesa. Pastaj në shtatëvjevçare  në majë të bregut të Alie Ramice. Edukata dhe aftësia profesionale që kalita ishin meritë e prindërve të mi, por edhe atyre mësuesve që rrallë i ndesh sot: Sabihane Baholli, Adlie Çifti, Ndriçim Ganaj nga Elbasani. Edhe konkurrencën e pata të fortë me shokë të mirë si Asqeri Malaj, Fuat Kokallaj, Elez Elezaj, Fanaol Muçaj…Mësova shumë, një kuriozitet por edhe paradoks për kohën e sotme. Libri i parë që na u dha për të lexuar ishte “Garda e re” e Aleksandër Fadajevit. Shkoi në Vlorë enkas babai, ma bleu dhe e  lexova, por asgjë nuk kuptova. Përmendësh recitova vetëm monologun e Oleg Koshevoit…
Dhe ju kujtoj; Ditë për ditë rreth 15 km vajtje –ardhje në këmbë dhe me një dru (kapaçe) për zjarr në dorë. E si mund të lë pa përmendur shokët e mi që kurrë nuk u ndamë në atë rrugë të gjatë, Bashkimin, Niaziun, Fejziun, Menon…
– Dhe erdhi një ditë që u nise për mësues..?
-Po. Nuk e dinë këta të sotmit se çfarë është mësuesi. E dinë por jo në madhështinë e tij. Kujtoj Aristotelin” Zoti e zbriti njeriun nga qielli në tokë” dhe mësuesi e zbriti njeriun nga toka në qiell. Apo pedagogun e madh rus që thotë: Në ka profesion më të bukur në këtë diell, ai pa dyshim është profesioni i mësuesisë” dhe më tej Nëna! Pas nënës, i dyti mësuesi prind dhe edukator…! Prandaj aplikova për mësues dhe me një muaj vonesë më 4 tetor 1957 fitova bursën për në shkollën pedagogjike katërvjeçare “Jani Minga” në Vlorë. Ish-shkollë e mesme por i pajiste nxënësit me pedagogji universitare.. I pari…babai që më çeli këtë rrugë. Po si? Trokiti në atë fund shtatori  në një derë. Brenda e priti një burrë, mesoburrë. Ish inxhinier Kristo Papajani, atëherë kryetar i Komitetit. U çudit Kryetari dhe…Xha Kamber, pushteti mendon për të gjithë, mot do të kërkosh prapë. Dhe po nuk vajti në shkollë pushteti popullor i ka dhënë  tokë dhe mundësi  të punojë atje në fshat. Ndërsa babai im, pa ditur se si  do të tingëllonte ia kthen “ Ky pushtet të rruat ty, o djalë. Me laps ishe në kohën e zogut, me laps edhe tani. Unë me një parmendë dhe me një hosten në atë kohë atë do t’ia lë edhe  djalit. Ja që ky pushtet mendon për ju të pasurit e të shkolluarit e fatit dhe… Në derë e përjashta duke sharë me gjuhën e ëmbël të tijë. Për tri ditë. më katër tetor, erdhi telegram në Velçe “Sulçia fitoi bursë. Niseni urgjent në shkollën pedagogjike”. Ko. Ekz.
I dyti: Korçari dhe mësuesi i apasionuar pas arkeologjisë Llambi Durolli. E ku ti gjente babai të gjithë ato pajisje me veshmbathje që i  kërkoi drejtori i konviktit tek ish-shtatë pallatet. Safet Kofina, njeriu më  autoritar që kam njohur. Llambi dhe Ollga më veshën dhe më përshtatën kostumin e Piros, këpucët e Piros, më dhanë një valixhe që rron  edhe sot e kësaj  dite. Më veshën me të gjitha rrobat e mira dhe të domosdoshme që më kërkoheshin. Mirënjohje atij shpirtmadhi përjetë!
– Nga ato që njoh unë ke një hartë interesante gjeografike si mësues…
-Atje ku i duhesha atdheut. Dhe nuk jam pishman: në Isvorë të   Tepelenës dhe në Kalivaç të Tepelenës, në Nivicë të  Tepelenës. Në Bashajk të Volës, në Romës të Vlorës, në Gumenicë të  Vlorës dhe në  Mavrovë , në Kotë,…Prit, nuk kam mbaruar kam akoma. Më caktuan në Iball të Pukës. Bëra ndërrim me një shok shkodran. Mandej mësues në Fushëkuqe të Krujës. Doni më shoku gazetar? Kam kryer shërbimin  ushtarak në Fier në Rep 5806, KIMBD. Kam kryer stazhin e të ftuarit në PPSH në Elbasan, punëtor në Uzinën e Çelikut…
-Dhe do të veçoje, më të bukurën…
– Po, pa mëdyshje  viti i parë në shkollën fillore, klasa e dytë dhe  e katërt në Izvor. Isha mësues, isha djalë i çdo shtëpie, isha aktivisti ndofta i pari për ato shumë probleme sociale, isha  një shok një  vëlla, një prind për nxënësit, kur ende vetë isha nxënës para  gjithë atij fshati aq familjar e të dashur.
-Më të vështirën…
-Ahaa, momenti më i vështirë imi ka qenë mësues në Fushëkuqe. Njerëz malësorë të lartë, të besës e të gjendur. Por fajin ma kishte vetja dhe familja. Mu sëmurën  rëndë babai dhe nëna. Vetëm ata kisha në shtëpi, me atë përroin e madh ku edhe infermieri donte dy ditë të  lajmërohej … U jam mirënjohës shokëve që më mbyllnin  shtigje, Hajries, Ndues, Luigjit, Tomes, Mirandit..,.Shkoja dhe  kthehesha në Velçe çdo 15 ditë. Ose do të transferohesha, ose do të braktisja punën. Prindërit gëzonin që kishin djalë. Dhe ende ti shpinin dhe ti shtronin në spital bashkëfshatarët?!. Jo. Prandaj, një ditë në ditët e vështira 1970-71, ditë prilli, pas dhjetëra e dhjetëra kërkesave dhe letrave në  Kryeministri, MA, në Kom. Partisë Vlorë, në atë  Ekzek, ne …askush nuk u bë me mua, braktisa me lot sy nga një farë mase profesionin tim, për të cilin edhe 10 herë të lindja, 10 herë  do të ndiqja të njëjtën rrugë. Por e braktisa me mendjen time…
-Më të suksesshme…
-Patjetër në Vlorën time Labe në Kotë, në atë qendër  punëtorësh që ka qenë lokalitet, rreth deri në qytezë e më shumë  se 5 mijë banorëve . E fillova punën në Kote si nëndrejtor në shkollën e Mesme të Bashkuar me një 1978 me mbi një mijë nxënës dhe me 52 mësues… Aty ne mësuam dhe mësova, dhe  aty më  vlerësuan dhe vlerësova. Aty gjeta shoqen  time të jetës, një mësuese e shkollës së lartë të Partisë dhe i shoh si mësime të mëdha ato që kam marrë  nga porofesorët Servet Pëllumbi, Sotir Manushi,nga Mënyr Çomaj, dhe nga sa e sa të tjerë që sot ose nuk rrojnë ose  qëndrojnë stoik në filozofitë e tyre. Prandaj edhe në Kote pata  dhe arrita suksese të mëdha për 27 vite mësues, nëndrejtor dhe drejtor
-Si e gjithë jeta e nëpunësve të asaj kohe ka pasur peripeci, ndëshkim, dëshpërim… A mund të komentosh?
-Saktë … Si mund ta kërkosh jetën mëndafsh…!!! Si mund të quaj ndëshkim se shkova mësues në Tepelenë, në Pukë,në Krujë . …. Atdheu më dha, Atdheut do t’ia ktheja. Çudi me pretendimet e sotme “O në qytet, o rashë e vdiqa” Këta s’mund të quhen mësues, këta janë mësimdhënës rrogëtare oraresh.. As  oraresh, madje. Vështirësi?! Deshe të thoshe… Patjetër. A ka jetë më të bukur e më të kuptimshe se sa kur lufton me vështirësi, kalitesh dhe fiton mbi to?! S’ka më bukur. Bota s’është vaj.
-Të kam dëgjuar shpesh në ndonjë muhabet për të kaluarën se flet për Beqir Ballukun, për Kadri Azbiun, për… deri edhe për Enver Hoxhën… Ndonjë detaj jetësor….
-Po. Në Kalivaç të Tepelenës, takova për herë të parë dhe të fundit  Mehmet Shehun… Momente të paharruara. Për shtatë vjet me radhë ai burrë shteti për çdo Vit të Ri nuk harronte urime me telegram për secilin mësues. Dhe vit për vit me përmbajtje  të re! Ishte njohje e thjeshtë por që ai diti ta vlerësonte. Kishte ardhur për vizitë dhe na takoi..
Në Janar 1974 në Terbaç në vallen e xha Myrte Gumenicës, hyri krah për krah me mua Kadri  Hazbiu. Këndoi e kërceu bashkë me ne. Pyeti se kush e kishte bërë këngën “ Do kujtoj plagët e mia.  Çerdhe, çerdhe lufte Labëria… dhe
-Ti, mësuesi velçot, në darkë do të vish në majë të Mavroves tek Xhakua, Selaudin Dauti. Ashtu bëra. Shkova, por si i vogël u ula në karrige në fund të shtëpisë. I ulur nën qoshe, Kadriu u  ngrit në këmbë nga ajo këmbëkryqje dhe erdhi e më mori për  krahu “ ti e ke vendin atje”, ku isha unë. Ti je Velçot. Unë jam  zoti i Shtëpisë. Gabimi i Xhakos ky…… “Unë e gjeta vendin dhe ai  shkoi në insistimin tim atje ku ishte… Me Beqir Ballukun isha sekretar në sekretarinë sekrete në Rep.5806 Fier. Loja e madhe 15 ditore. Shtabi në Margëlliç, Ministri Beqiri, tre-katër të tjerë dhe unë e marinari Zyhdi Alibali në pallatin e sapo bërë në këtë kateret, për ballë turizmit në Fier. Kishim një dhomë e një paradhomë më vete, bashkë me shefin e shifrës Bejo Zhupa. Kalonte në mëngjes ministri dhe kthehej në darkë. Porosiste për çdo ditë ushqimin për ne të dy. Na shihte pa gjumë. Na urdhëronte sikur të ishim direkt vartës të tij të pushonim…
Në drekën e konkluzioneve pas 15 ditësh në Manastir krerët kryesore. E si mund të shkonim ne, ushtar. Menjëherë kishte urdhëruar  shoqëruesin dhe shoferin e tij dhe erdhën e na morën. Më pyeti për Saliko Sulon dhe mirësinë e mori për velçotë…!
Për Enver Hoxhën?! Nuk e kam takuar asnjëherë në jetën  time, por kam dy kujtime që nuk mund ti lë pa i thënë, transferimin tim pas katër vjetësh nga Tepelena për në Vlorë, ma bëri direkt ai, përgjigjen e një letre time.. dhe së dyti, pas braktisjes në vitin 1971, pas 8 muaj pa punë përmes Kom. të Partisë Vlorë, dy ditë para Kongresit të 6-ë të PPSH unë rifilloj  jetën  arsimore në Vlorë me urdhër direkt të Enver Hoxhës. Kam  lexuar një për një shënimin e tij në krye të faqes së dytë, diagonal që i shkruante Petro Dodes (Një nga drejtuesit më me nivel që ka pasur Vlora bashkë me Sihat Tozon). “Sh. Petro! edhe herë të  tjera ju keni tërhequr vëmendjen për zvarritjen, zgjidhjen e kërkesave dhe ankesave të popullit…! Thirreni menjëherë këtë  mësuesin dhe  jepni emërimin  menjëherë, i kërkoni  falje dhe  më  njoftoni urgjentisht…!
Enver Hoxha

I gjithë  shkrimi në  bojë  tush, dhe  rifillova punën  për tu ndarë prej  saj si mësues.

– A konstatoni deformim në arsimin e  brezit të  ri?
– Më ka mbetur në mendje një batutë filmi “ dhe bomba plasi… E ku do të pëlcasë  më parë e zeza bombë?! Lazarati  me një  aksion u çmontua. Drejtësia do të  çmontohet sepse burgjet e kurdisjes dhe të ç’ kurdisjes i ka  ligjvënësi. Por kush do të jetë që do të jetë ai që do të çmontojë bombën e madhe të arsimit!? Ç’është  bërë për arsimin dhe për kulturën e këtij  kombi  që nga rilindësit dhe  deri  sot,… është ç’ bërë dhe është dërrmuar. Mendoni, pas 10-15 vitesh dhe tani do të  dalë Presidenti, ministri, drejtori, analisti, shkencëtari, matematikani, gjuhëtari…
Medet e ardhmja e fëmijëve  tanë në duar të  kujt do të  bjerë!. Bëjnë shumëzimet me celular, nuk  lexohet asnjë lloj shkrimi, të ndyhen tabelat e zhgarravitura nëpër rrugë. Bëhen nxënësit dhe  studentët e sotëm anglezë, francezë, italianë, rusë… deri  edhe kinezë pa qenë më parë shqiptarë. Po nuk  janë o e dashur media, i dashur “Telegraf”, ëndrrat e Rilindjes këto.

-Je në pension? Ju botoni?
– Kam  botuar 6 libra. Kam të shtatin në dorë. Mundohem  të  hedh dritë për ato e tek ato që në errësirë janë lënë,
Se ç’ vlerë  kanë … Le ta gjykojnë të pasmit..
– Shkruajnë shumë, shkruajnë të  gjithë….
– Nuk  shoh asnjë të keqe. Shosha do të mbajë lart dhe  do të  hedhë  poshtë krundet.

Nga Ahmet Demaj