Sikur Skënderbeu të ishte nga Kuçi

552
Sigal

Sikur me të vërtetë, jo Gjoleka, po Skënderbeu të ishte nga Kuçi, do kishte gjetur koqen e belasë. Si dhe shumë të tjerë kallamkusurë nga ky katund. Se ja, ta zëmë, do t’i duhej edhe atij ndonjë dokument nga komuna. Ta zëmë, për të marrë një vizë në Konsullatën Italiane me rastin e një vizite në Vatikan. Edhe Skënderbeut do t’i duhej të zbriste në qendrën e komunës, në Brataj. Pa ku ta dish: do ta gjente, apo nuk do ta gjente aty kryeplakun. Mirë që ndokujt nuk i ka shkuar ndër mënd, që Kuçin ta degdisin në një komunë me Nartën, Panajanë, Roskovecin apo Lapulecin. “Hë mo edhe këta kuçiotët, përtypeshin gjithë mllef nëpër dhëmbë komitetarët e dikurshëm, si shumë po na lodhin! Asnjëherë nuk u kënaqen. Janë mendjemëdhenj, janë kokëfortë…”. E, pak a shumë, po kështu gjykohet “Komitarët” aktual. Në këtë pikë, të themi të drejtën, ka një farë të vërtete! Po sit e mos jesh kokëfortë, kur e sheh, se po të shkelen të drejtat me të dy këmbët? Sidomos, me këmbët e para! Fundi i fundit, çfarë kërkonin nga pushtetarët këta kuçiotët? Këta …….kokëfortë e mendjemëdhenj?! Thjesht, t’u njiheshin të gjithë dëshmorët, pa dallime, ata, te cilët e derdhën gjakun lumë për lirinë e mëmëdheut … kur ca e ca ngroheshin në mangall. Kur ndonjë e ndoca, edhe pse pa shkrepur një kobure, u graduan gjenerale…e……edhe heronj? Po a ka fyerje më të madhe e pisllëk më të ndyrë, se sa të bësh “Pazar” me gjakun e dëshmorëve? E, për fat të keq, këto i kanë bërë kuçiote, jo të huajt, por tuhafe të komiteteve. “Hë mo, boll i kanë dyzet dëshmorë! Fundi, po i bëjmë pesëdhjetë!………çfarë? `Duan njëqind? Jo po njëqindedyzet! Po a mendojnë këta njerëz, se ku do t’i gjej qeveria parat për të paguar gjithë ato pensione? Pa le, janë edhe popull patriot! “Kështu gjykohej dikur nga komitetarët Për Kuçin e për kuçiotët. Tekahytet qanin hallet e qeverisë mbi ato pensione qesharake e minimale, për ata që, në lulen e moshës nuk kursyen as gjakun e moshës.  Ky mentalitet i mbrapsht, për fat te keq, vijon ende. Ndaj edhe me shkoi ne mendje kjo fabul: Po sikur Skënderbeu te ishte nga Kuçi? Pa do t’i vinte koha që populli i Kuçit, do ta propozonte për hero. Pikërisht këtu do te fillonin edhe avazet më të mëdha. Do te ngrihej ndonjë sekretar a deputet në Vlorë dhe do të thoshte: “Çfarë? Skënderbeu hero?! Mirë, o shokë, po nga rrjedh ky Skënderbeu? Ai nuk është me origjinë nga të klasës. Princ e ka patur dhe të atin. Po edhe e ëma Vojsava, a nuk ka qenë princeshë e feudalesh? E, edhe vetë Skënderbeu a nuk është një bej? Po a mundet ne, bij të denjë të partisë të frontin, të dekretojmë një bej për hero? Po luftën e klasave ku do ta degdisim pastaj? Në Anadoll apo në Indonezi?!” Pa do të ngrihej ndonjë nga ata të Frontit Demokratik e të vijonte: “Po do të bëhet kjo, unë do të dorëzoj triskën e Frontit!” Atë pastaj do ta mbërthente miqësisht nga jaka e xhaketës dikush e do t’i thoshte në vërë të veshit, që të mos këpuste broçkulla. Mund të shtonte ndokush: Po daleni more shokë, se ata prodhuan është bukën në vend!” “Punë e madhe, do t’ia kthente tjetri, për vete e prodhuan e jo për çorrajt. Se janë hamës ata…”. Pa po të ishte ndonjë nga rrethanat aktuale, mund të polemizonte kështu: “He mo, se mendjemëdhenj janë….Ja, merreni vetë me mënd: Edhe pse një nga katundet më të mëdha, nuk ka ende një kishë a një xhami, një teqe apo sinagogë, kur këtu është bërë deti kos me faltore? Përse, do thoni ju. Se ja fodulle, kokëforte, zevzeke, pa din e pa iman! Mirë t’u bëhet, se ashtu i do mushka drutë……..”. “Këtë s’e tund as topi, do shtonte një tjetër. Ja, si e gjykoni ju faktin që, në Kuç, nuk ka asnjë vetëvrasje?! Për inat e bëjnë ata. Për inat të qeverisë e bëjnë ata!”, do vijonte. Dikush tjetër edhe mund ta kundërshtonte. E kështu debati do te niste nga e para, duke dobësuar kësisoj është efektin e administratës shtetërore. E kështu tollovia do të vijonte pa fund e pa krye… avazi po ai…janë kokëfortë, s’janë kokëfortë….mendjemëdhenj.… eh, nuk them, trima janë, djalli e mori… edhe besnik janë… po ja që e teprojmë me atë fudullëkun e pretendimet……..Se nuk i thonë derrit-dajko…  Se, siç ka shkruar edhe një kronist osman, në vitin 1412, nga Shuri i Kuçe e ku desh la lëkurën, siç e lanë mbi dymijë ushtarë, “Këta janë te egër e janë gati që të kapen edhe me retë, që kalojnë mbi kryet e tyre……” Ose, siç shkruan i madhi Çajup: “Në ato gryka, në ato male /Edhe zogu shkon ngadalë…….” E kështu, Kuçi gjëmëmadh e zulmëmadh mbeti me gisht në gojë edhe dje e ca më keq sot…..Pa do të kishte të ngjarë qe, Skënderbeu jo hero, por as kryetar kooperative e as brigadier nuk do ta bënin. Por……sikur Skënderbeu te ishte kuçiot vetë Kuçi dhe mbarë krahinat do të zgjidhnin për të malin më të lartë e shkëmbin, më të madh dhe do të skalitnin aty një Përmendore aq vigane, sa te dukej edhe pa dylbi që nga Otrantoja e deri në Kretë… e pse jo, deri në Stamboll!