Shpallet Logo fituese e 70-të vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë

517
Sigal

Për kujtimin e 70 vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë, Ministria e Kulturës, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Galeria Kombëtare e Arteve organizuan Konkursin Kombëtar për ideimin dhe krijimin e një logoje të veçantë dhe unike, krijuar enkas për këtë ngjarje. Kjo logo do të shoqërojë të gjitha aktivitetet, botimet dhe festimet që do të mbahen për këtë përvjetor gjatë vazhdimit të vitit. Nga organizatorët u mendua që fokusi të përqendrohej tek këndvështrimi dhe qasja artistike që i bën një gjeneratë e re shqiptarësh kësaj ngjarje, duke pasur si qëllim të njëkohshëm sensibilizimin e këtij brezi ndaj historisë tonë dhe nxitjen e tij për pjesëmarrje direkte në zhvillimet artistike. Për këtë arsye u mendua që forma më e mirë do ishte shpallja e një Konkursi Kombëtar, ku do të përshiheshin nxënës të shkollave të mesme, studentë të artit dhe artistë të rinj nga e gjithë Shqipëria. Konkursi pati dy faza seleksionimi ku në fazën përfundimtare juria shqyrtoi rreth 20 punime. Vendimi unanim i Komisionit përzgjedhës për fituesin e Konkursit të Logos së 70 vjetorit të çlirimit të Shqipërisë është për z. Marijan Kamshi, student në Universitetin e Arteve për grafikë – 21 vjeç. Logoja bashkon qartë, me harmoni dhe elegancë tre elemente: numrin 70, përkrenaren e Skënderbeut në profil dhe tekstin “70 Vjetori i Çlirimit të Shqipërisë”.