Shaban Geclila: Nga mësuesit nuk njihej fjala mitmarrje

680
Sigal

INTERVISTA/ Flet ish- mësuesi Shaban Geclila: Mësuesit në monizëm respektoheshin në kulm

Mbi 40 vjet mësues ai ka një nostalgji për profesionin e tij. Në vitin 1956 kur filloi punën si mësues e deri në vitin 1993 ai ka një eksperiencë të rrallë që pak mësues e kanë patur. Vitet e fillimit ishin shumë të vështira, plot mungesa, por nxënësit ishin të etur për dije, për shkollim. Për mësuesin në atë kohë kishte një respekt të madh dhe nuk njihej si emër mitmarrja. Një ditë të veçantë për fshatrat e zonës së Dragobisë ai quan ditën kur erdhi Enver Hoxha në qershor 1970.

 Ku keni filluar punën si mësues?

Në fashitin Leniq, Komuna e Bytyçit afër minierës së kromit Kam. Bëhet fjalë për vitin 1956.

Çfarë shkolle mbarove në atë kohë?

Mbarova shkollën pedagogjike me bazë fillore në Tiranë. Unë atëherë isha në moshën 18 vjeç.

Sa nxënës kishte shkolla e atij fshati në atë kohë?

Shkolla kishte afërisht 16 nxënës me katër klasa kolektive.  Unë isha mësuesi i vetëm në fshat. Pra jepja të gjitha lëndët dhe çdo gjë në shkollë e kryeja unë. Ishin vite shumë të vështira, ishin vite që kishin një prapambetje të madhe si ekonomike ashtu edhe arsimore.

Sa fshatra kishte atëherë komuna?

Kishte disa fshatra, por që mund t’i quaje lagje të një fshati, pasi kishte një fshat 10 ose 15 shtëpi ndaj nuk mund të quhej fshat.

 Sa vjet vazhdove të japësh mësim këtu?

 Në këtë fshat unë dhashë mësim vetëm një vit, pastaj u transferova në shkollën e fshatit Shëngjergj-Berishë fshat, që i takon komunës së mësipërme Komuna e Bytyçit. Pra ishte viti 1957, në këtë fshat u hap për herë të parë shkolla pasi deri në atë kohë nxënësit shkonin në një fshat tjetër për mësim Rodogosh. Fshati Shëngjergj është mbuluar nga liqeni i Kukësit. Edhe këtu kisha klasa kolektive.

 Si ishin të pajisur klasat?

Si mos më keq. Ishin vitet e para kundër analfabetizmit. Shkolla ishte një dhomë e vjetër me një copë dërrasë të zezë. Fëmijët vinin të pangrënë por kishin zell për të mësuar. Kishin shumë dëshirë. Bëja çudi sa të dashuruar ishin me librat. Ishin libra që kalonin dorë më dorë pasi jo të gjithë kishin libra. Vështirësitë ishin evidente kudo.

 Në këtë kohë a kërkoje të vazhdoje studimet e larta?

Po. Kërkoja vazhdimisht derisa në vitin 1960 më doli e drejta e studimit për Institutin pedagogjik në Shkodër. Kjo ishte ëndrra ime. Ishte një dëshirë e madhe. Institutin e vazhdova dy vjet.

Si ishte kërkesa e llogarisë në atë kohë në Institut?

Ishte shumë e madhe. Kishim pedagogë korrekt dhe shumë të përgatitur. Ata kishin studiuar jashtë. Kërkesa e llogarisë ishte në maksimum, por edhe dëshira jonë për mësim ishte shumë e madhe. Mbarova për gjuhë letërsi. Atëherë në nuk linim roman apo libër jashtëshkollor pa lexuar. Kishim një etje të madhe për dije sa nuk mund ta tregoj. Kërkesat në mësime për çdo vit shtoheshin. Ne më shumë rrinim mbi libra.

 Ku u caktuat pas mbarimit të Institutit?

 U caktova në fshatin tim Pac, Bytyç në shkollën 8-vjeçare. Ishte viti 1962. Pra fillova të jepja mësim në fshatin tim këto dy lëndë. Në vitin 1967 shkova ushtar deri ën vitin 1970. Tre vjet ushtar në Laç në ndërlidhje si centralist.

Kur u kthyet nga ushtria, ku ju caktuan si mësues?

Më caktuan në Dragobi, ku punova 5 muaj dhe në vitin 1971 kam shkuar mësues në Kam, në një shkollë 8-vjeçare. Ky fshat ishte afër me fshatin, ku kam qenë për herë të parë. Këtu ndenja dy vjet.

Kushtet e shkollës ishin përmirësuar mjaft. Klasat ishin të mira, dërrasat e zeza të mira, librat shumë të mira. Mësuesit më të përgatitur. Pastaj u transferova në fshatin Zogaj, në shkollën 8-vjeçare, ku punova 8 vjet deri në vitin 1980. Pastaj u riktheva prapë në fshatin Kam  ku punova për 13 vjet deri në vitin 1993 që dola në pension.

 Si ka qenë vitet e fundit mësimdhënia?

Dua të them se brezi im ishte shumë  kërkues. Ne nuk shkonim kurrë në shkollë pa ditar. Unë i kam ende ato ditarë.

 Manush Myftiu dhe deri tek Skënder Gjinushi. Ministra pa hesap, por që kanë ditur se çfarë të bëjnë. Pra, kam ndërruar shumë ministra, por do të veçoja  Thoma Delianën, por edhe Tefta Camin.

 A vlerësohej mësuesi atëherë?

Vlerësohej shumë madje. Kur ne shkonim në fshatrat nga ishim, kujdeseshin për strehim, ushqim, por mbi të gjitha internoheshin vetë fshatarët. Na mbanin në pëllëmbë të dorës. Kishin shumë respekt. Athere mësuesi vlerësohej më shumë se të gjithë intelektualët.

 Kur ka ardhur Enver Hoxha në Tropojë, a e takove?

Enver Hoxha ka ardhur në Tropojë në qershor të vitit 1970. Atëherë unë isha mësues në Dragobi. Përgatitëm nxënësit për të dhënë koncert. Bëmë përgatitje disa ditore. Në Dragobi ai bëri një takim me të gjithë popullin. Kishte entuziazëm. Nxënësit fluturonin.

 Kush të ka bërë më shumë përshtypje nga fjalimi i tij?

Më shumë më ka bërë përshtypje për fjalët e mira që tha për popullin e Dragobisë si popull trim dhe duhet të jenë punëtor, siç janë kuksianët dhe dibranët. Këtu në Dragobi theksoi është mirë që të ndërtohet një rezervuar, sepse kalon Valbona  kalon përmes fshatit.  Ky rezervuar të jetë i veçantë për kultivimin e peshkut. Të bëhet një rezervuar specifik. Kur mbaroi ai fjalën ne duartrokitëm furishëm. Atëherë nuk diheshin shumë gjëra dhe Enveri dukej kollos.

 Po Sekretarët e Parë a vinin nëpër fshatra?

Po vinin, por më shpesh vinte Ali Kruja. Por di atë që nuk kanë bërë keq.

 Kush ka qenë problemi yt më i madh në sistemin komunist?

Problemi më i madh ka qenë transferimi. Jam transferuar shpesh, shumë shpesh.

Por mund të them që më kanë trajtuar mirë.

Po sot si të duket mësimdhënia?

Por sot kemi dëgjuar për mitmarrje, për dëftesa fallco. Ku kishte të tilla gjëra atëherë. As që mendohej që nxënësit të jepnin para. Të merrej vesh kjo, një zot e dinte ç’të gjente. Sot as nxënësi nuk e respekton mësuesin. Pra ka shumë negativitete. Edhe mësuesit marrin lekë, por edhe nxënësit nuk respektojnë mësuesit.

 Tashmë në Tiranë, e ndjen që të mungon Bytyçi?

Se di, por tashmë aty nuk ka punë, pasi janë mbyll minierat, janë mbyll ndërmarrjet, fabrikat. Nevoja të bën të ikësh.