Shoqëria e përgjimit, përse privatësia është iluzion

669
Vija ndarëse mes privates dhe publikes është po aq poroze sa një fije letër. Cifti që kryen tradhëti bashkëshortore tek hyn tinëz në një hotel: a po i ndjek ndokush? Adoleshentë që lënë shkollën për të shkuar në një qendër tregtare: A do të përplasen aty me një shoqe të mamasë? Motoristi vetmitar që tund në ajër kitarën në semafor: a do të kthejë kokën në anën tjetër shoferi që ndodhet në korsinë ngjitur me të? Ashtu si fëmijët në një moshë të vogël që mendojnë se po të mbyllin sytë do të bëhen të padukshëm, ne supozojmë që askush nuk i dëgjon apo sheh momentet tanë privatë, dhe kemi të drejtë – deri kur dikush na sheh apo dëgjon
Privacia është kryesisht një iluzion. Një iluzion i dobishëm, nuk ka asnjë dyshim, një që na lejon të jetojmë pa u paralizuar prej vetëdijes. Iluzioni i privatësisë na jep hapësirë që të jemi tërësisht humanë, duke ndarë intimitete dhe riskuar të gabojmë. Por ndërkohë, vija ndarëse mes privates dhe publikes është po aq poroze sa një fije letër. Cifti që kryen tradhëti bashkëshortore që hyn tinëz në një hotel: a po i ndjek ndokush? Adoleshentë që lënë shkollën për të shkuar në një qendër tregtare: A do të përplasen aty me një grua të njohur të mamasë? Motoristi vetmitar që tund në ajër kitarën në semafor: a do të kthejë kokën në anën tjetër shoferi që ndodhet në korsinë ngjitur me të? Ashtu si fëmijët në një moshë të vogël që mendojnë se po të mbyllin sytë do të bëhen të padukshëm, ne supozojmë që askush nuk i dëgjon apo sheh momentet tanë privatë, dhe kemi të drejtë – deri kur dikush na sheh apo dëgjon.
Kjo ka qenë e vërtetë shumë kohë përpara se Agjencia Kombëtare e Sigurisë (NSA) të fillonte të mblidhte të dhëna të telefonave dhe internetit nga kompanitë e teknologjisë dhe komunikimit dhe shumë kohë përpara se Kongresi të votonte sërish me një avantazh të ngushtë prej 12 votash vazhdimin e këtij programi. Ishte e vërtetë shumë kohë përpara se një gjykatë ushtarake të shpallte ushtarin Bradley Manning fajtor për spiunazh për rolin e tij në cështjen Wikileaks – por e liroi me akuzën e ndihmës për armikun – në 30 korrik. Cilësia iluzive e privacisë është një temë e përsëritur e letërsisë që e ka origjinën që në kohën e Biblës së Hebrenjve. Mendoni të bukurën Batsheba, e cila zhvishet për të bërë një banjë në librin e dytë të Samuelit, një tekst i lashtë, por që ndesh në vështrimin plot epsh të Mbretit David, i cili e sheh që nga maja e catisë.
Apo Hamletin, biseda private e të cilit me të ëmën dëgjohet prej Poloniusit, që rri fshehur prapa perdeve. Regjisori i madh Alfred Hitchcock ishte i magjepsur pas sekreteve që nuk mund të rrinin të fshehur dhe realizoi një kryevepër, “Dritarja e pasme”, nisur nga premisa që jetë të tëra (dhe vdekje) dalin hapur prapa dritareve të pambuluara të qyteteve anonimë, thjeshtë në pritje të vëzhguesit që t’i dekriptojë.
Por zbulimi i programeve të mbledhjes masive të informacionit prej NASA-s nga një punonjës privat me kontratë, Eduard Snouden, e ka bërë të qartë se ngjitja e teknologjisë e ka shkërmoqur edhe iluzionin e privacisë. Pothuajse brenda natës, dhe me shumë pak reflektim, SHBA dhe shtete të tjerë kanë bërë që peshorja të anojë nga ana e atyre që vëzhgojnë. Po hedh rrënjë një shoqëri e mbikëqyrjes. Videokamerat rregjistrojnë vazhdimisht prej shtyllave të ndricimit dhe vitrinave të dyqaneve. Satelitët dhe avionët me telekomandë cajnë qiejt. Telefonat celularë ofrojnë informacione pa fund në lidhje me përdoruesit e tyre. Kamerat e targave dhe të korsive të shpejtësisë gjurmojnë lëvizjen e makinave duke mbajtur të dhëna të detajuara mbi shpejtësinë dhe vendndodhjen e tyre. Ndërkohë, mbi autostradën e informacionit, cdo ndalesë nga cdo udhëtar vihet re dhe rregjistrohet prej ofruesve të internetit si Google, Verizon dhe Comcast. Shitësit me pakicë skanojnë, kujtojnë dhe analizojnë cdo blerje të cdo konsumatori. Televizorët inteligjentë e dinë se cfarë ne shohim – shumë shpejt do të kenë sy për të parë ne që i shohim – dhe matësit inteligjentë do të dinë nëse kemi fikur dritat.
Dhe ato pak barriera teknike që kanë mbetur po bien njëra pas tjetrës përpara forcës së jashtëzakonshme të magjisë dixhitale binare që është edhe motorri i ndryshimeve revolucionarizues. Deri kohët e fundit, ka patur limite të fortë fizikë për numrin e fotografive që mund të laheshin, videokasetave që mund të rregjistroheshin, të dhënave të kompanive celulare që mund të shtypeshin apo fotokopjoheshin dhe futeshin në kuti – e jo më të analizoheshin. Tani, vetë ideja e limiteve po shkrihet, po zhduket.
Në vitin 1980 (jo dhe aq shumë kohë më parë; Barack Obama ishte në kolegj) IBM nxorri drive-n e vet të disqeve 3380, e para pajisje në gjendje të depozitonte më shumë se një gigabyte të dhëna. Ishte pak a shumë madhësia dhe pesha e një frigoriferi dhe kushtonte afro 100 mijë dollarë. Sot, një flash drive që kushton një mijë herë më pak mund të depozitojë 50 herë më shumë të dhëna dhe mund ta mbash edhe në mbajtësen e celësave. Sasia e të dhënave që mund të depozitohet është pothuaj e pafundme. Në një seri artikujsh në blogun e tij disa vite më parë, profesori i shkencave kompjuterike në Princeton, Eduard Felten shpjegoi se kjo rritje e jashtëzakonshme në kapacitetin depozitues do të shtyjë pashmangshmërisht agjencitë e shërbimeve sekretë të mbledhin të gjithë të dhënat e disponueshme – cdo gjë – thjeshtë sepse është më e lehtë dhe më pak e kushtueshme se sa të mendojnë se cfarë duhet të analizojnë dhe cfarë të injorojnë. “Nëse depozitimi është falas dhe koha e analistëve kushton, atëherë strategjia e minimizimit të kostos është që të depozitohet gjithcka dhe të renditet e analizohet më vonë”, shkruante ai.
Pikërisht kjo ka ndodhur. Dhe në të njëjtën kohët, logaritmët kompjuterikë gjithnjë e m ëtë sofistikuar e bëjnë të mundur shoshitjen dhe analizimin e sasive gjithnjë e më të mëdha të të dhënave, duke ngritur dilema sociale dhe etike që nuk mund të injorohen.
E ardhmja është këtu. Pothuajse cdo gjë që do të ndodhë tani e tutje ka jo vetëm potencialin që të shihet nga ndonjë “Mbret David” nervoz apo të dëgjohet nga ndonjë Poloniues që rri e përgjon, por edhe të depozitohet përjetësisht. Agjencitë qeveritare, dhe korporatat private që punojnë për to, mbledhin dhe depozitojnë miliarda rregjistrime cdo ditë, dhe janë të uritura për më shumë; jo vetëm telefonata dhe faqe interneti, por edhe emaile, tekste, shkarkime, të dhëna mjekësore, fatura shitjesh, bilance bankarë, numra kartash krediti dhe itinerarë udhëtimi.
E gjithë bota e pa një “qoshe” të kësaj të ardhmeje në muajin prill, kur shpërthyen dy bomba në vijën e finishit të Maratonës së Bostonit. Skena ishte një kaos i vërtetë. Ata që kishin vënë bombat ishin zhdukur. Megjithatë brenda pak orësh, fytyrat e tyre ishin shfaqur në ekrane televizivë në të gjithë botën. U zbulua se cdo lëvizje e ligë që ata kishin bërë teksa transportonin pakot e tyre vdekjeprurëse në Boylston Street ishte skanuar dhe rregjistruar prej kamerave të vëzhgimit. Kapja e tyre e shpejtë ishte një triumf për policinë dhe agjencitë e zbatimit të ligit, por la pas dhe një vetëdijësim shqetësues: cdokush tjetër që ecte në ata trotuarë të Bostonit ishte vëzhguar dhe rregjistruar.
Pastaj, vetëm pak javë pas ngjarjes së Bostonit, Snoudeni doli që nga dhomëza e tij për të na paralajmëruar se përgjimi shkon shumë përtej syrit të palodhur të kamerave. Cdo telefonatë e bërë, cdo faqe interneti e vizituar – miliarda pika të dhënash, si pika shiu në një muson – mblidhet cdo ditë dhe depozitohet për një analizë të mundshme prej qeverisë së SHBA. E mbani mend kohën kur i ratë në fshehtësi telefonit të motrës? Kur kërkuat në Google emrin e të dashurës së kolegjit? Ditën kur bëtë atë gjë për të cilën jeni penduar kaq thellë – ajo gjë që e mendonit se ishte shumë private – një kërkim në internet, një telefonatë, një email? Të gjitha janë aty. Në fakt, qeveria e SHBA me NSA si agjencinë udhëheqëse, në këtë moment është duke ndërtuar impiantin më të madh të depozitimit të të dhënave në Utah. Më shumë se një milionë metra katrorë, hapësirë e mjaftueshme për të ruajtur gjithcka, për momentin.
Qeveria e quan materialin që grumbullon metadata, në vend që ta quajë plotësisht “data”. Dallimi, mund të duket, është ndryshimi mes mullarit dhe gjilpërave që fshihen brenda tij. Askush nuk interesohet për kashtën; as nuk e prekin teksa kërkojnë gjilpërën. Ndoshta një analogji më e mirë do të ishte një katalog në librarinë e Kongresit, që mban 35 milionë libra dhe botime të tjerë, shumicën e të cilëve nuk i hap askush. Përse kaq shumë? Sepse është më e lehtë që botuesit të dërgojnë gjithcka, se sa të zgjedhësh se cilët duhen ruajtur. (Dhe kush e di se cfarë, në atë rezervë të madhe, mund të duhet një ditë?) Sidoqoftë, qeveria garanton që sa kohë që njerëzit nuk kryejnë veprime që rrezikojnë sigurinë kombëtare, telefonatat dhe kërkimet e tyre në internet kanë për qeverinë po aq interes sa edhe një vëllim i vjetër për agronominë e Bolivisë.
Në të gjithë spektrin politik, amerikanët janë skeptikë për gjethen e fikut që i kanë vënë emrin metadata. Sipas një sondazhi të 26 korrikut, vetëm një nga pesë të vëzhguarit beson se qeveria nuk i fut hundët në telefonatat dhe emailet privatë. Po kjo pakicë beson në pretendimet e qeverisë se përdor të dhënat nga vëzhgimi vetëm për qëllime antiterrorizëm. Në fakt, më shumë prej të pyeturve besojnë se qeveria amerikane po ndërhyn padrejtësisht në komunikimet e tyre, se sa besojnë në shpjegimet e Uncle Sam. Nuk ka dyshim që skeptikët e kanë vënë re që qeveria është e përbërë nga njerëz dhe që njerëzit janë të prirur të keqpërdorin informacionin kur nxiten prej lakmisë, kuriozitetit, apo dëshirës për pushtet. Skandali aktual i IRS, ku rregullat e agjencië mund të jenë “përthyer” për qëllime politike, mund të jetë një shembull me vend. Diku në sasinë e madhe të të dhënave të NSA mund të ketë të informacione që u përkasin armiqve politikë, fqinjëve të pakëndshëm, ish bashkëshortëve, llogarive bankare të njerëz të famshëm – dhe nuk do shumë imagjinatë për të parë tundimin e zyrave apo individëve të korruptuar që të hedhin një sy.
Cfarë mund t’i ndalojë? Në një fjalim të kohëve të fundit në Institutin Brookins, Robert Litt, kryekëshilltar i Drejtorit të National Intelligence, u përpoq që t’i japë një përgjigje kësaj pyetjeje. Ai argumentoi se janë marrë masa të forta për të ruajtur privacinë e amerikanëve teksa të dhënat e tyre mblidhen prej qeverisë. Programet e Vëzhgimit administrohen nga Dega Ekzekutive, mbikëqyren nga Kongresi si dhe supervizohen prej Gjyqësorit, përmes gjykatës supersekrete FISA. Fakti që këto “check and balances” ndodhin prapa dyerve të mbyllura nuk i bën më pak të rrezikshëm, tha Litt.
Marrim rastin specifik të një terroristi të huaj, që dihet se ka komunikuar me telefon me nënshtetas amerikanë. Litt bëri një përsëritje të mërzitshme të masave mbrojtëse që detektivët e qeverisë duhet të zbatojnë teksa këqyrin të dhënat e mbledhura. “Ne lejojmë vetëm një numër të kufizuar analistësh të trainuar posacërisht për të kërkuar në këto baza të dhënash”, shpjegoi ai, dhe “edhe ata analistë të trainuar lejohen që të kërkojnë në këto baza të dhënash vetëm kur ka një dyshim të arsyeshëm dhe të artikulueshëm se një numër i caktuar telefoni është i lidhur me organizata të caktuara terroriste jashtë vendit”. Vec kësaj, gjykata e FISA duhet të certifikojë se lidhja terroriste është e bazuar në një dyshim të fortë e të vlefshëm, mbështetur prej informacioneve “të dokumentuar me shkrim dhe të miratuar nga një supervizor”. Edhe pas gjithë kësaj, analistët “lejohen që të përdorin këtë informacion vetëm në mënyrë të kufizuar, për të gjetur një rrjet numrash telefoni që telefonojnë numra të tjerë”, vazhdoi Litt. Dhe së fundi, analistët nuk i dinë emrat dhe nuk dinë të thonë se kujt i përkasin numrat.
Që prej zbulimeve të bërë nga Snouden, janë propozuar masa të tjera mbrojtjeje. Ndoshta qeveria duhet të punësojë një ekip avoketërish të aftë që të argumentojnë kundër agjentëve të qeverisë përpara gjykatës së fshehtë – që të garantojnë se gjykatësit do të dëgjojnë argumenta të fortë kundër përgjimeve. Një tjetër sugjerim është që të deklasifikohen proces-verbalet e seancave të FISA-s deri në atë masë që është e mundur, me qëllim që publiku të kuptojë më mirë se cfarë po ndodh. Edhe pa ata hapa shtesë, shumica e amerikanëve e mbështesin marrëveshjen aktuale, edhe pse nuk i besojnë tërësisht shpjegimeve të qeverisë. Sipas një sondazhi të ditëve të fundit të kryer nga Uashington Post / ABC, pasi kanë bluajtur të lajmet e Snouden, shumica e amerikanëve besojnë se është më e rëndësishme të investigohen plotësisht rreziqet nga terrorizmi se sa të mbrohet privacia personale.
Ndërkohë që shtrirja e vëzhgimit sot është shumë më e gjerë se sa në të kaluarën, amerikanët janë mësuar prej kohësh me limitet ndaj privacië. Gjykata e Lartë ka marrë vendim se informacioni i dhënë me dëshirë tek palë të treta nuk është më sekret, as nuk duhett ë presim që privacia të mbulojë veprimet tanë në hapësira publike apo informacionet tanë përmes valëve publike të përcjelljes. Qeveria mund të interceptojë sinjale radio dhe lejohet që të lexojë cfarë është shkruar jashtë postës tënde. Eshtë vetëm një hap – sigurisht, një hap i madh – nga ata parime, tek këta që qëndrojnë në themel të aksionit të sotëm të mbledhjes masive të të dhënave. Kreu i një emaili nuk ndryshon nga pjesa e jashtme e një zarfi, ndërsa sinjali i n jë tableti drejt ofruesit të internetit pa kabëll nuk ndryshon shumë nga përcjellja e një sinjali nga një radio në tjetrën.
Gjithashtu kemi mësuar të shkëmbejmë elementë të privacisë me gjithfarësoj të mirash të supozuara. Google gjurmon kërkimet që ne bëjmë në internet me qëllim që të na ofrojë reklamat që na interesojnë. Telefonat celularë rregjistrojnë vendndodhjen me qëllim që të na ndihmojnë më mirë për të na orientuar në kinemanë, restorantin, apo kishën më të afërt. Farmacitë rregjistrojnë blerjet që ne bëjmë për të na dhënë kupona për vizitat në të ardhmen. E kështu me radhë. Ne duam që pajisjet që ne zotërojmë të na njohin deri në intimitet – duam që termostati të dijë se kur kemi ftohtë, duam që toast-i të dijë si të na e thekë bukën, duam që motorri i kërkimit online të dijë se cfarë po kërkojmë edhe kur e shkruajmë gabim. Deri tani, kemi qenë gati të paguajmë për gjithë këto me humbjen e privacisë.
Gjë që na sjell në një udhëkryq të cuditshëm. Sa më shumë teknologjia vë në rrezik privacinë tonë, aq më pak duket se e vlerësojmë ne këtë gjë. Postojmë foto familjare në faqe të mediave sociale dhe ua dërgojmë numrat e kartës së kreditit njerëzve që janë totalisht të huaj për ne. Pyesim në faqe interneti që nuk i kemi vizituar asnjëherë, që të na japin këshilla se si të trajtojmë sëmundje të sikletshme apo të kërkojmë aty partnerë. Por qeveria është ndryshe, sic e pranoi Litt në fjalimin e tij të kohëve të fundit, sepse “qeveria ka pushtetin që të auditojë ë dhënat tona të taksimit, të na ndjekë penalisht dhe burgosë, të na japë apo mohojë licenca për të bërë biznes si dhe shumë gjëra të tjera. Dhe ka një shqetësim krejtësisht të kuptueshëm se qeveria mund të abuzojë me këtë pushtet”, tha ai.
Vitet e fundit, mbrojtësit e privacisë kanë bindur Gjykatën e Lartë që të kërkojë mandate kërkimi përpara se policia të përdorë pajisje GPS për të pikasur makina të dyshuarish apo të skanojë shtëpitë nga jashtë duke përdorur pajisje me rreze infra të kuqe apo nga ato që pikasin rritjen e marijuanës. Hapa të tillë duken të vegjël, krahasuar me rritjen e shpejtë të fuqisë përgjuese dhe vëzhguese si dhe historinë e zymtë të qeverisë së prirur për të vëzhguar nga shumë afër shtetasit e vet. Qëllimet e admirueshëm të sigurisë publike dhe sigurisë kombëtare janë shfrytëzuar shumë herë prej regjimeve përgjues në të gjithë botën, në përpjekje për të spiunuar kritikët e tyre si dhe shtypur disidencën. Amerikanët mjaftojnë të lexojnë Ligjin e të Drejtave për të parë se dyshimi për ndërhyrjen e qeverisë është një e drejtë e kombit që në lindje. Teksa mjetet e përgjimit rriten në numër dhe fuqi, kjo nuk është koha për të pushuar së qënuri dyshues.
Ndoshta ka ngushëllim në magjinë e microchip-it. Teknologjia i bën të gjithë sekretet më të vështirë për t’u ruajtur – jo vetëm sekretet personalë, por edhe ata të qeverisë. Herë pas here, gjatë viteve të fundit, gabimet, metodat dhe bëmat e qeverive janë nxjerrë zbuluar prej punonjësve të nieleve të ulët, të bindur se ajo që po shohin është egabuar. Që nga fotografitë e burgut Abu Ghraib deri tek orteku i dokumentave të Wikileaks e deri tek zbulimet e Snouden, sasi të mëdha të dhënash janë hedhur në thumb drive apo në disqe – e më pas në pak caste janë përhapur në të gjithë globin. Ndonëse ata që i nxjerrin zbuluar mund të ndiqen penalisht, faktet që ata zbulojnë nuk mund të rimerren apo fshihen sërish.
Në fund, kjo mund të rezultojë si mbrojtja më e fortë ndaj ngjitjes së shtetit të vëzhgimit. Të njëjtat mjete që fuqizojnë atë vetë, fuqizojnë edhe ata që protestojnë kundër tij. Privacia nuk është iluzioni i vetëm në epokën e re të të dhënave masive; iluzion është edhe sekreti qeveritar. Vëllai i Madh po të vëzhgon, por edhe ai vetë është i vëzhguar.
Sigal