Rubrika Paparaci/ Poezi nga Ismail H. Xhaferri: “Diku”

447
Ismail H. Xhaferri

Diku….
Diku jeta rjedh e qetë,
Dikë brenga shpesh e zë,
Diku çel një rreze shprese,
Diku humb e s’kthehet më.
Diku mali flak qeleshen,
Diku bora nis të shkrijë
Dhe në rrjedhën e një përroi,
Shoh pranverën që të vijë.
Diku troku i një kali
Që rend rrugëve me rrëmbim,
Presin vajzat të martohen,
Djemtë larguar në mërgim.
Diku mbin një manushaqe
Pranë një plisi të rrëzuar,
Manushaqet dhe dëbora,
Rrinë së bashku përqafuar.
Diku shkon një vajzë e bukur,
Vajzë e brishtë dhe lozonjare,
“Lidhe qenin ti moj qene”,
Të vij sonte në dritare.
Diku flakërin një ëndërr,
Pranë zemrës mu tek gjiri,
Diku tjetër ëndrra zgjat,
Aq sa flakë e një qiriri.
Diku zbret një këngë malli,
Këngë dhimbjeje e zhuritur,
Për ata që pleqëria,
Shkon në portë për tu trokitur.
Diku dega e hardhisë,
Rritet zgjatet prej harbimit,
Kapton gardhin e oborrit,
Përqafon lisin e fqinjit.
Diku strehëzës së shtëpisë,
Dallandyshet venë e vijnë,
Them me vete t’iu hap portën,
Që në dhomë brenda të hyjnë.
Diku lulëzon lofata,
Në rrugicë pranë portës tënde,
Ç’më ngjajnë lulet nëpër degë,
Porsi buzëqeshje nëne.
Diku pyllit gjethe vjeshte,
Bien tokës me përtesë,
Si ca letra dashurie,
Që nuk patën kurrë adresë.
Diku rrjedh një lumë i kaltër,
Valët lehtas mërmërijnë,
Gjithë shelgjet anë bregut,
Zgjatin duart ujë pijnë.
Diku jeta rrjedh e qetë,
Dikë brenga shpesh e zë,
Diku çel një rreze shpresë,
Diku humb e s’kthehet më.