Ramazan Çeka: Shtrohet sofra e Lashtë tradicionale shkodrane

1104
Sigal

 

Agjensia e Spektakleve “Jehona e Shkodrës”, shtron sofrën tradicionale shkodrane.

 

Për ta shtruar këtë sofër festive në këtë vit të vështirë, për t’i dhënë zemër e optimizëm këtij fundviti që në një farë mënyre gjunjëzoi mbarë njerëzimin, kjo Agjensi me shumë aktivitet e histori zgjodhi pikërisht një ambjent të mrekullueshëm që ka fituar reputacion në gjithë vendin, Hotel-Restorant “Tradita Gegë e Toskë” me pronar z.Gjon Gilaj, për të shtruar sofrën e përvitshme tradicionale, sofrën ku shpalosen mikpritja e bujaria shkodrane, kënga e vjetër dhe e re, alegria dhe humori shkodran.

Historikisht shkodranët mund të jenë quajtur pak rebelë e antikonformistë, gjithmonë në marrëdhëniet me rregullat e ligjet, por asnjëherë nuk kanë qenë të tillë për të zbatuar rregulla e ligje me miq e dashamirë, kur ka ardhur puna për të hapur dyert e për të shtruar sofra me raste dasmash e gëzimesh.

Kështu erdhi edhe ky dhjetor. Kjo Agjensi organizatore me producent z.Xhelal Halili e shtroi sofrën tradicionale që pikërisht këtë vit mbushte 20 vjet që nga sofra e parë, por e shtroi edhe duke zbatuar rregullat dhe duke realizuar misionin e saj, mbylljen e një viti vërtetë të vështirë, por me shpresë dhe optimizëm për të ardhmen.

Ky aktivitet u zhvillua në një ditë të ftohtë e të lagësht dhjetori, por ambjenti i Restorantit “Tradita Gegë e Toskë” me oxhakun e madh të ndezur jepte ngrohtësinë dhe gjallërinë që kësaj sofre s’i ka munguar kurrë.

Për të realizuar këtë aktivitet, që në të vërtetë është një ngjarje e shënuar që kulmon në çdo fundviti, organizatorët i kishin besuar libretin e këtij spektakli znj.Linda Doda Kavaja, e cila ishte njëkohësisht edhe moderatore e tij. Ajo doli me një paraqitje impersionuese, duke demonstruar jo vetëm aftësitë e saj si artiste, por edhe veshjen tradicionale të një shkodraneje të vërtetë që të krijonte përshtypjen e një zonje qytetare që pret e respekton miqtë që i kanë ardhur në shtëpi. Këtë atmosferë ajo e bëri edhe më të këndshme kur prezantoi një tjetër zonjë shkodrane që me zërin e saj të mrekullueshëm elektrizoi sallën, gjallëroi pjesëmarrësit, të cilët me gota në duar shkëmbyen dolli dhe përshëndetje ashtu siç e kanë zakon shkodranët, me batuta, këngë e humor. Kjo zonjë ishte këngëtarja Mukades Çanga “Mjeshtre e Madhe”, e cila me këngën “Zanin tem veç ty ta fala” hijeshoi këtë sofër, duke i dhënë asaj emërtimin tradicional “Sofra Shkodrane”. Nën tingujt e kësaj kënge, në tryezat e shtruara çdo gjë ishte shkodranisht. Jashtë binte shi, por brenda sallës tradicionale, ku drurët në oxhak kërcisnin dhe flakët vallzonin poshtë një fërliku të shkuar në hell, nën tingujt e orkestrës sofra u shtrua dhe gjithë pjesëmarrësit me gota në duar uruan njëri-tjetrin për një vit të ri të mbarë.

Ky ishte edicioni i 20-të i “Sofrës Shkodrane” i cili u realizua me shumë sukses nën mbështetjen dhe bashkëpunimin e biznesmenit Agron Çela, ‘Grand Hotel Europa’, si dhe TV1 ‘Channel’, ‘Media Partne’r, ‘Atelie Dyqani i Veshjeve Dhurata Shiroka’, drejtori i TV1 Channel Edmond Ndou, drejtori teknik i televizionit Fatjon Nutaj, kameramanët Saimir Çoku, Gazmir Mehmeti dhe Maison Kavaja. DJ Sadi, Grupin ‘Diamant’, bateristi Bled Kraja.

Nuk kishin si të mungonin në këtë sofër të mëdhe këngëtarët dhe humoristët më të shquar shkodranë, ku mund të përmendim “Mjeshtren e Madhe” Mukades Çanga, këngëtarët Klarisa Filipi, Ben Goçaj, Bardh Spahja, Klinsman Llazani, këngëtarët nga Ulqini Gezim Salaj, Egzona Salaj, Suad Shaptafi, këngëtari nga Gjakova Halil Mala nën drejtimin e moderatores së mrekullueshme Linda Doda Kavaja, por qershia përmbi tortë ishin ata që i sollën gjallërinë dhe humorin kësaj sofre, aktorët e skenës shkodrane gjigandët e humorit, mjeshtrat e mëdhenj: Besnik Çinari, njëkohësisht edhe regjisor i këtij aktiviteti, si dhe Zyliha Miloti dhe Drande Xhai. Gjithashtu në grupin e humorit merrnin pjesë edhe aktorët Muhamet Çekini, Grupi “Gaz e maraz” Gac Kodrina e Qazim Çela, bejtexhinjtë Bujar Zurali, Dilaver Cufi dhe Isuf Çoku, si dhe humoristi brilant i batutave, Fatmir Bashli.

Pavarësisht nga vështirësitë që qyteti i Shkodrës ka përjetuar në këtë situatë pandemie, ashtu si gjithë Shqipëria, ditë më të bukura dhe më optimiste shpresojmë të vinë në vazhdim, pasi ky qytet në raste festash, sofrat gjithmonë i ka shtruar me bujarinë që e ka karakterizuar. Kështu që mendoj se shtrimi këtë radhë i kësaj sofre bujare, e cila këtë vit festoi 20-vjetorin e saj, ka një veçori të lavdërueshme, sepse u shtrua në një lokal me një emër shumë domethënës “Tradita Gegë e Toskë” me pronar z.Gjon Gila, domethënës, sepse ky ambient tregoi se është thellësisht pasqyrë e mikpritjes së qytetit të Shkodrës, por edhe asaj mbarëshqiptare si një evokim i dashurisë së madhe që kanë të gjithë shqiptarët e emigruar, e në mënyrë të veçantë Diaspora jonë që na bën aq krenar.

Ashtu siç e kishin menduar organizatorët, ku natyrisht meritat i takojnë ideatorit prej 20 vitesh të këtij evenimenti z.Xhelal Halili, sofra shkodrane i mirëpriti miqt e saj ashtu siç i ka hije, me tingujt e këngëve të pavdekshme shkodrane. Xhelal Halili është një përsonalitet mjaft i shquar në botën e spektakleve, por njëkohësisht edhe i suksesshëm, jo vetëm në Shkodër, por në të gjitha trevat shqiptare e më gjerë.

Në atmosferen e gjallërinë që u krijua u ngritën dolli, pjesëmarrësit uruan njëri-tjetrin për një vit të mbarë, për begati e lumturi në familjet e gjithsecilit, duke sfiduar kështu edhe pandeminë.Sfondi muzikor me jaret e pavdekshme, me zërin e mrekullueshëm të këngëtarëve, përqafuan dhe përkëdhelën të gjithë tavolinat e shtruara në këtë mbrëmje dhe e kthyen këtë sofër në një dasëm të vërtetë shkodrane.

Gjithsecili këndonte, gjithsecili cakrronte gotën, duke u ndjerë krenar për Shkodrën dhe sofrën e saj. Sofrat bujare nuk shtrohen kurrë vetëm me njerëzit e shtëpisë.Ata pikërisht pse janë bujare dhe mikëpritëse, në vendet e nderit kanë miqtë. E këta nuk ishin pak. Kishin udhëtuar nga larg. Miq dhe artistë, kishin ardhur nga Kosova dhe Ulqini, për të ngritur një dolli në sofrën shkodrane, për t’i treguar Shkodër Loces se gjithmonë e kanë dashur dhe respektuar këtë qytet të mrekullueshëm, këtë qytetari që gjithmonë i ka dhënë Shqipërisë atë që ky vend i quajtur Atdhe ka pas nevojë: kulturën, arsimin, artin, shkencën, sportin dhe gjithçka që i ka paraprirë zhvillimit.

Kjo ndenje, siç i thonë shkodranët, kaloi në një atmosferë jashtëzakonisht të gëzueshme. Ritmet e muzikës, zërat e mrekullueshëm të këngëtarëve, numrat e përzgjedhur të humoristëve shkodranë, surprizat që sollën bejtexhinjtë e mrekullueshëm Bujar Zurali, Dilaver Cufi, Isuf Çoku, si dhe humoristi brilant i batutave Fatmir Bashli, sfiduan akrepat e orës që tanimë nuk kishin asnjë vlerë në lëvizjen e tyre.

Kaq të këndshme e bëri sofrën edhe humoristi “Mjeshtri i Madh” Besnik Çinari, i cili kishte jo vetëm detyrën e vështirë të regjisorit, por edhe atë që di ta bëjë më mirë, humorin e tij të pashtershëm. Besnik Çinari që në fillim bëri një homazh prekës për aktorët dhe këngëtarët që nuk jetojnë më, por dhe përshëndeti e u uroi shërim të shpejtë aktorëve Paulin Preka, Zef Deda dhe këngëtarit Bujar Qamili.

“Sofra Shkodrane” nuk njohu limite kohe, por si një sofër e madhe bujare bashkoi rreth saj të zotët e shtëpisë dhe miqtë e ardhur, duke treguar kështu se është sofra e një shtëpie që festat gjithmonë i feston me vëllezër, miq dhe dashamirë.

“Sofra Shkodrane” tregoi se di ta ruajë traditën e bukur të këtij qyteti të shquar të artit dhe të kulturës, duke performuar live disa nga kryeveprat e kësaj tradite. Duhet të evidentojmë se shkodranët krijues, përfaqësues të muzikës qytetare shkodrane në të kaluarën edhe sot, mbi traditën e këngës popullore kanë krijuar dhe krijojnë edhe këngë të reja, të cilat bëhen pjesë e kësaj pasurie të madhe. Për ta mbajtur të gjallë këtë traditë, për të mbajtur në formë interpretuesit e vjetër dhe për të sjellë zëra të rinj, Agjensia e spektakleve “Jehona e Shkodrës” hodhi hapat e parë për të krijuar edhe ajo vetë një traditë, që tradita e vjetër të mbetet e gjallë, autentike, por edhe e freskuar me krijime të reja që janë pikërisht sot përfaqësues të këtij burimi të pashtershëm.

Sa mirë do të ishte që të shihnim ata që i dhanë jetë këngës shkodrane dhe e ngritën aq lart. Mos i harroni ata, ju që organizoni koncerte kaq të bukura. Prania e tyre ia shton bukurinë këtyre veprimtarive. Shkodra gjithmonë ka patur vlera të tilla që e them me bindje se nuk mund t’i ketë çdo qytet. Kjo është tradita shkodrane, ku të gjithë mblidhen e festojnë së bashku, por kjo është edhe një traditë e organizuar, e cila vit pas viti i sjellë një kënaqësi të madhe qytetarëve të Shkodrës, sepse ngjarje të tilla ata do t’i mbajnë mend për shumë kohë, e aq më bukur, sepse vit pas viti vijnë e marrin pjesë brezat më të ri, të cilët janë ata që do ta mbajnë gjallë këtë traditë.

Të gjithë pjesëmarrësit, artistë e të ftuar, i nderoi me një tjetër sofër bujare Grand Hotel “Europa” ku mikpritësi tani ishte z.Agron Çela dhe nën kujdesin e drejtorit të TV1 Channel z.Edmond Ndou, kamerat e këtij televizioni e regjistruan këtë aktivitet për t’ia transmetuar përmes ekranit të vogël gjithë publikut shkodran e më gjerë.

Siç dihet për arsye të situatës pandemike ishte viti i parë që “Sofra Shkodrane” realizohet pa mysafirë (spektatorë), por këtë festë të bukur do jua sjellin si dhuratë natën e ndërrimit të viteve me dt.31 dhjetor në orën 22:00, ekrani i TV1 ‘Channel’.

Gëzuar edhe nga ana ime dhe për shumë vjet lexuesve të kësaj gazete dhe të gjithë shqiptarëve kudo që janë!