Pse Shekspiri i “vrau” Romeon dhe Zhulietën?

896
Tragjedia e Shekspirit“Romeo dhe Zhulieta” bazohet në dashurinë e dy të rinjve nga qyteti i Veronës. Kjo dashuri nisi ashtu si pa të keq në një festë. Ishte dashuri me “shikim të parë” dhe çdo takim tjetër të rinjtë e përjetonin me të njëjtin intensitet ndjenjash dhe pasionesh sikur të ishte herë e parë. Romeo dhe Zhulieta ishin të pa mësuar dhe të pa edukuar për diçka të tillë, andaj mrekullohen nga kjo ndjenjë e pa njohur, që i gjallëron dhe i mbush me jetë. Duket sikur ata e jetojnë cdo moment sikur të ishte i pari.
Pasioni dhe gjallëria që ndjejnë duket sikur buron nga një lum që nuk shterron kurrë. Kjo ndjenjë dashurie është aq e fortë, saqë ngadhënjen mbi prestigjin, nderin, familjen, zakonin dhe hakmarrjen e një shoqërie puritane. Por në atë kohë këto norma të shoqërisë mbroheshin dhe respektoheshin me çdo kusht. Ndërsa për dy të rinjtë ky zakon ndaj këtyre normave zbehet deri sa arrin të thyhet. Ashtu sikur të ishte thyer një kuti xhami që brenda saj mban diçka të vlefshme për ta. Por, ajo gjë e gjetur brenda kësaj kutie ishte shumë e vështirë të mbrohet nga këta dy të rijnë, ngase familjet e tyre ishin në një konflikt hakmarrës të pandalshëm. Andaj, ndërhyrja e dashurisë si një fuqi e re e cila rrezikon të rrëzojë gjithë atë themel normativ që kishte ndërtuar vet shoqëria, do të ishte diçka e pakapshme dhe absurde.
Shoqëritë i kanë normat e veta që njerëzit për mirëqenien e tyre i zbatojnë ato. Megjithatë ka shumë nga ata që janë në zbatim të këtyre normave pa bërë asnjë pyetje se pse janë të tilla apo, pse duhet të jenë të tilla. Pyetjet duhen shtruar që të arrijmë të kuptojmë se këto norma shoqërore dikur nuk kanë qenë fare, por me kalimin e kohës janë vendosur për të “mirën” e secilit. Por, pas një periudhe kohore të bashkëjetesës me këto norma ato ditën të bëhen të mirëqena e hyjnore deri në atë pikë sa që, marrëzia mund të shkojë deri në sakrificë të jetëve për ti mbrojtur këto norma. Tani mbrojtja e normave të vjetruara (të kthyera në dogma) bëhet kontradiktë në vete duke u bërë shkak konfliktesh dhe kaosi ku në të vërtet ato janë aty për të bërë të kundërtën. Apo thënë më qartë ato duhet të jenë për të vendosur rregull dhe harmoni.
Kjo pjekje dogmatike e normave shoqërore paraqitet në këtë dramë, kur dy familjet e mëdha për hir të nderit nuk e ndalin as hakmarrjen dhe lëre rregullat tjera që mund të kapërdihen më lehtë. Nga përsëritja e hakmarrjes mes dy familjeve, bije preh dhe vetë Romeo me përfshirjen e tij të pavullnetshme e që vret kushëririn e Zhuljetës, gjë e cila e qon në dëbim të tij nga Verona. Bindjet e tilla ndaj normave shoqërore, me dogmatizëm, paraqitet edhe tek prindërit e Zhulietës. Kur për hir të prestigjit që e kishin për qëllim shtyhen deri në fejesën e vajzës së tyre, pavarësisht se a do ti pëlqejë a jo ky vendim prindëror asaj. Vullneti i saj bije preh nga mendim i prindërve, duke insistuar që ta cojnë Zhuljeten në kurorëzimin e saj martesor me dikë që as që dëshiron ta njohë fare. E si mund të mendohet një zemër kaq e butë e Zhulietës të gjejë guximin për ballafaqim me normat shoqërore që i përfaqëson babai i saj, dhe ti tregoj babës se burri që i ka marr zemrën dhe që e dashuron është armiku më i madh i familjes dhe që quhet Romeo. Në dialogun mes Romeos dhe Zhulietës vërehet harresa e pafalshme e shoqërisë për ti parë njerëzit apo individët përtej emrave dhe mbiemrave e për ti ndjerë nën lëkuren dhe tingujt e rrahjeve të zemrës. Ishte kjo kërkesa e Zhulietes, kur i thotë Romeos ta harrojë emrin e tij për të. Romeo këtu paraqiste rregullin.
Siç u trajtua më lartë shihet që rregulli shoqëror është i ndërtuar nga arsyeja, që është një e drejtë në vete, e që këta dy të rijnë e sfidojnë me një të drejtë tjetër, që është dashuria. Kjo tragjedi përveç që paraqet luftën mes të resë dhe të vjetrës, ajo paraqet edhe luftën mes “zemrës” dhe arsyes. Romeo dhe Zhulieta kanë të drejtën e gjithë botës që të dashurohen përtej çdo norme shoqërore, por edhe shoqëria ka po aq të drejtë të kundërshtoj çdo gjë që bie në kundërshtim me të. Për shkak të forcës momentale e vjetra triumfoi, por e reja si ndryshim vetëm sa po bëhej gati të vinte.
Kjo forcë e re me emrin dashuri, tek Romeo dhe Zhuljetë nuhatet si “një pasion dehës”, që i magjepsi aq shumë, sa dhe bota u ndalet rreth tyre për një çast që vazhdon të mbetet vetëm një çast. Dashuria siç shihet në këtë dramë nuk është ta mendosh, të bësh një plan por është të jepesh tërësisht si qenie në një çast të vetëm. Romeo aq shumë u realizua në momentet e veçanta me Zhuljetën, sa që shijoj çastin në pakufishmëritë e të gjitha skajeve. Kjo urtësi është si “molla e ndaluar” që po e shijove apo i bëre prekje kaq të thellë jetës, nuk do mund të bësh më shkëputje pa u bërë copë-copë. Ja të shkretit Romeo dhe Zhulietë, tani gjenden përball një udhëkryqi të madh, ku në njërën anë ju flet zemra që tundohet nga kjo urtësi për të dëshiruar, e në anë tjetër janë kërkesat e familjes së tyre të ndërtuara nga zakoni e që janë mësuar ti ruajnë me fanatizëm.
Ky udhëkryq i madh i ndan këto dy gjëra me pole të kundërta që do ti mësojë një herë e mirë të bëjnë zgjedhjet e tyre. Një mësim i tillë nuk është e lehtë për askënd, ngase këtu zhvillohet një konflikt mes dy të drejtave; domosdoshmëria që vie nga rendi shoqëror duke e ndjerë si diçka që duhet bërë, dhe domosdoshmëria tjetër që vie nga brendësia e tyre si dëshirë e padiskutueshme.
Shekspiri përveç që na transmeton ndjenjën e dashurisë mes këtyre dy të rinjve ai përdor edhe vdekjen e tyre për të na thënë se dashuria është një rrugë që i’a vlen të ndiqet nga të gjithë, e që ja vlen edhe të vdesësh për të. Ndërsa ne dorë-hiqemi nga kjo gjë, me arsyetimin që ndodh vetëm në “përralla”. A thua e tillë është dashuria, apo ndoshta ka diçka të vërtet që fshihet pas kësaj fjale përrallore. Nëse do e marrim dëshirën si burim i dashurisë dhe ta trajtojmë sipas Spinozes- “Dëshira është thelbi i vërtet i njeriut”.
Më vonë këtë e përvetëson dhe Schopenhaueri si “vullnet të verbët” ku ai nuk mjaftohet ta trajtojë vetëm si esencë të njeriut por këtë e sheh edhe tek të gjitha gjërat që ekzistojnë. Në një farë forme, dashuria mes cifteve është manifestim më “i drejtpërdrejtë” i vullnetit në hapësirë dhe kohë. Këtë ai nuk e sheh si diçka individuale por si diçka që i përket species e cila na flet në mënyrë të pa kuptimtë për mendjen. Schopenhaueri ka pozicion negativ për ndikimin e vullnetit dhe dashurisë duke e parë si mashtrim i përjetshëm i natyrës, megjithatë pranohet influenca dhe shtytja nga kjo forcë e panjohur që na bëhet vazhdimisht. Madje te Schopenhaueri forca tërheqëse e një dashnori mund të shihet e njëjtë me forcën tërheqëse mes planetëve. Ky krahasim kozmologjik i një ndjenje njerëzore siç është dashuria, të con tek mendimi parasokratik. Më vjen ndërmend Parmenidi tani nga parasokratiket ku edhe ky vullnetin apo siç thotë ai “Erosi” e sheh si motorin kryesor që e lëvizë botën dhe me anë të cilin fillon çdo gjë.
Me gjasë sa herë përmendet emri Romeo dhe Zhulietë, ne gjithë e lidhim me dashurinë e vërtet, e pak nga ne do marrim mundin t’ia shtëllojmë vetvetes, se çka është kjo dashuri e vërtet. Ndërsa sa më përket mua, dashuria e vërtet e Shekspirit është një moment që na rrit emocionalisht dhe shpirtërisht pavarësisht të kaluarës dhe të ardhmes, një moment që është “real” e në kohë dhe që krijon raport të drejtpërdrejtë me të tashmen. Por që në porosinë shekspiriane, ky raport me të tashmen, bëhet ndërmjet dy individëve. E këtu duhet shtruar mesazhin me kujdes që mos të kuptohet porosia kaq ngushtë duke përjashtuar dimensionet e tjera të “dashurisë”. Sepse dashuria është pohimi i jetës, ngase nuk mund të jetë asgjë pa raportin me gjërat apo “tjetrin”, dhe që arrihet vetëm atëherë kur vetdisohemi për këtë raport që bëhet përmes çasteve të pa numërta.
Si duket dashuria duhet të ketë prioritetin e saj në jetë para çdo norme apo rregulli shoqëror. Ngase edhe vetë këto rregulla që janë ndërtuar nga arsyeja, janë pikërisht për të na lehtësuar jetën e jo për të na pamundësuar realizimin e saj. Ja pse Shekspiri e vrau pasionin në momentin e duhur që ti kujtonte botës se kishim harruar të magjepsemi nga jeta.
Sigal