Prof. Zyhdi Dervishi: Mehmet Deliu me një libër autobiografik, por me vlera të shumëfishta për shoqërinë shqiptare

91
Sigal

Populli shqiptar është populli më martir i Europës edhe për faktin se ai është i vetmi në këtë kontinent që është penguar në forma të ndryshme, deri maksimalisht të dhunshme, të shkruajë gjuhën e vet. Edhe pengesa të tilla malinje, disa shekullore kanë ndikuar që shqiptarët të kenë një fond shumë të varfër librash autobiografikë. Madje, pjesa më e madhe e librave të tillë vuajnë nga sëmundje të tilla si subjektivizmi i skajshëm, trajtimi i “unit” si epiqendër e shoqërisë, perceptime fare të ngushta, individualiste të çështjeve të ndryshme të zhvillimit të shoqërisë, pasaktësitë dhe deformimet e qëllimshme të fakteve të ndryshme politike sociale, historike, kulturore etj. Libri autobiografik i shkruar nga Mehmet Ismail Zyhra Deliu “Dashuritë e jetës sime” i ka tejkaluar suksesshëm mangësi e shmangie të tilla problematike. Titulli i këtij libri është fare modest, çka shpreh në mënyrë të përqendruar modestinë dhe fisnikërinë brilante të autorit, shpreh karakterin e tij të dritshëm e solid si diamanti. Në faqet e këtij libri janë pasqyruar me realizëm, me vërtetësi dhe me emocionalitet të fisëm arritjet dhe vështirësitë vetjake dhe të familjarëve, sfidat profesionale, ideopolitike dhe psikosociale, me të cilat është ndeshur në veprimtarinë e tij afro 50-vjeçare ushtaraku, drejtuesi politik, veprimtari, drejtuesi i organizatave të familjarëve të dëshmorëve dhe pasardhësve të luftëtarëve të Luftës së Madhe Kundërfashiste Nacional Çlirimtare të popullit shqiptar etj. Mehmet Deliu është lindur e rritur në një familje të madhe, me shumë motra e vëllezër, është shoqërizuar veçanërisht nën ndikimin e babait të mirënjohur në rrethin e Krujës për humor spontan, të natyrshëm, të të gjithë niveleve dhe të përshtatur për njerëzit e të gjithë grup-moshave dhe formimeve të ndryshme arsimore. Është provuar shkencërisht se në sistemet totalitare humori që qarkullon jashtë kanaleve zyrtare të komunikimit funksionon si antidot për të neutralizuar helmin e mendimeve dhe të veprimeve ekstremiste që dëmtonin të tjerët. I pajisur me një gen të tillë psikokulturor, Mehmet Deliu, megjithëse ka ushtruar detyra delikate, ku një pakujdesi e vogël mund të dëmtonte shumë të tjerët, sidomos vartësit, gjithmonë është pozicionuar me maksimumin e korrektësisë në dobi të të tjerëve, shpesh duke sakrifikuar edhe interesat vetjake.

Kryesisht për këto arsye Mehmet Deliu, me veprimtarinë e tij të shumanshme i ka dhënë më shumë shoqërisë shqiptare, por pa lakmuar grada ushtarake dhe statuse më të larta nëpunësie. Në gjithë veprimtarinë e tij ai është orientuar nga shpirti empatik. Në libër ai përgjithëson edhe këtë aspekt të përvojës së tij: “Nëse ligjet, rregullat dhe teknikat e punës me dokumente mund të mësohen nga çdo nëpunës, mungesa e empatisë, nëse nuk ekziston, është vështirë të krijohet, sidomos në moshë madhore. Empatia është aftësia për të kuptuar ndjenjat dhe perspektivat e tjetrit dhe për të treguar dhembshuri ndaj tyre, është një nga blloqet ndërtuese të marrëdhënieve të shëndetshme. Kur jemi në gjendje të vihemi në vendin e një personi tjetër dhe ta shohim jetën nga këndvështrimi i tyre, atëherë ne jemi më të pajisur me aftësinë për t’u lidhur me të tjerët me një ndjenjë më të fuqishme njerëzore. Duke u mbështetur në këtë bujari dhe duke mësuar se si të jemi më empatikë, ne kultivojmë një qëndrim të hapur dhe e trajnojmë mendjen tonë që të jetë më pak gjykuese dhe shpirtin tonë më të ndjeshëm dhe kjo ndjeshmëri ndikon pozitivisht në ndërtimin e marrëdhënieve të buta dhe afruese me të tjerët. Empatia nuk kërkon që ne të kemi kaluar të njëjtën gjë si një person tjetër, thjesht që të kuptojmë e të ndjejmë me të njëjtën dhimbje shqetësimin e tjetrit.”(f. 426-427). Duke shfletuar këtë libër lexuesi diagnostikon botën shpirtërore të një galerie të pasur personazhesh të skenës së jetës, me të cilët ka bashkëpunuar ose është përballur Mehmet Deliu. Ndjenja e empatisë e ka ndihmuar Mehmet Deliun të pozicionohet me zgjuarësi dhe kurajo në anën e ushtarakëve dhe aviatorëve, të cilët për motive të ndryshme, shpesh nga intriga dashakeqëse të eprorëve egoistë, ishin shenjuar të goditeshin nga “tehu i ndryshkur” i luftës së klasave, që vazhdoi deri në fund të viteve 1980. Për këtë autori, ndër të tjera, shkruan: “Zëvendësi im luftarak, mbante flamurin e sulmit që kolegu i tij të përjashtohej nga Partia. Anëtarësia e organizatës ishte numër tek, nga diskutimet votat u ndanë në mënyrë të barabartë. Vota ime si Sekretar Organizate ishte përcaktuese dhe vendimtare, nëse do të dënohej apo do të mbrohej shoku ynë. Të gjithë anëtarët dhe i deleguari ndiqnin me vëmendje diskutimin tim dhe qëndrimin ndaj dy propozimeve të bëra, sidomos mbylljen e diskutimit me këto mendime: -Puna, djersa, kontributi tridhjetëvjeçar i një njeriu, i cili ka patur vetëm rezultate në rritje dhe vetë jeta e tij e nderuar, nuk mund të krahasohen e të hidhen poshtë, jo për një kile mbeturina, por as për një tonelatë të tillë, prandaj shpreh keqardhjen që ne diskutojmë gjëra të tilla dhe unë jam kundër çdo lloj mase.

Pjesa pozitive dhe vetë i deleguari u çuan në këmbë dhe duartrokitën, ndërsa kolegu i akuzuar që shpëtoi pa masë ndëshkimore, u përlot nga gëzimi. Ai shpëtoi, por mua më quajtën oportunist-nga pjesa ekstremiste. Kur ndryshoi sistemi këta ekstremistë të vijës së ashpër të Partisë së Punës, e braktisën të parët atë, duke e quajtur veten të viktimizuar” (f. 213). Zhvendosjet e shumë shqiptarëve në spektrin politik pas vitit 1990 iu nënshtruan ligjit të lavjerrësit: Kur lavjerrësi i pozicionuar në skajin e majtë lihet i lirë, ai shkon në skajin e djathtë. Kalime të tilla nga njëri skaj në tjetrin në jetën politike u shfaqën në pamje të shëmtuara në shoqërinë shqiptare nga viti 1991 deri në vitin 2024. Në faqet e këtij libri Mehmet Deliu shtjellon argumente kritike me profile humanizuese edhe për këtë dukuri. Mehmet Deliu i mbronte vartësit me shumë kujdes, duke i këshilluar dhe ndihmuar, por nuk merrte asnjëherë masa ndëshkuese ndaj tyre. Këtë profil të personalitetit të tij e kanë vënë në dukje pas vitit 1990 disa kolegë, veçanërisht ndër ata që ishin kualifikuar si me “njolla në biografinë politike”. Mehmet Deliu dhe bashkëshortja e tij Deshire Meta janë lindur e shoqërizuar në familje tipike shqiptare tradicionale, me shumë vëllezër e motra. Në faqet e këtij libri argumentohet e përshkruhet se familje të tilla, që përjetojnë më shumë gëzime dhe hidhërime se familjet me më pak anëtarë, i përgatisin më mirë fëmijët për të përballuar më me dinjitet vështirësitë, sfidat e jetës, për të qenë më altruistë në marrëdhëniet me të tjerët, sidomos me ata që ndodhen në situata më të rënduara në shumëçka. Fëmijëve të tillë u kalitet më shumë edhe shpirti guximtar. Denisi, djali i parë i Mehmet Deliut, aktualisht deputet në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, është angazhuar dy herë, për afro 13 muaj, në misione paqëruajtëse në përbërje të ushtrisë amerikane në rajone të Afganistanit, kur shkalla e rrezikshmërisë ka qenë më e lartë. Në komunikim me baba Mehmetin për këtë çështje, refuzimit të arsyeshëm të tij, Denisi i përgjigjet: “….dua të shkoj me shokët…. Nuk mund të ndahem prej tyre. As ju dhe as unë nuk jemi frikacakë. Risku është për burra.” (f. 341). Denisi do të rikthehej në një mision paqeruajtës, ku pak kohë më parë ushtarakët shqiptarë kishin humbur një shok, një dëshmor. Është tronditës në këtë libër përshkrimi i një situate të përjetuar nga familja e madhe Deliu, e cila përjetoi njëkohësisht mort të rëndë (largimi nga kjo jetë e Ismailit) dhe dasëm (martesën e mbesës). Autori shkruan: “Qëkur ishte në spital babai më porosiste që të merresha me përgatitjen e dasmës së vajzës, sepse çfarëdo që të ndodhë, ajo meriton respektin e vet. Dy ditë para më thotë: – Bëhu i fortë, se mund të ndodhin të dyja në një ditë. Mos vraponi të gjithë pas meje, por bëjini respektin e merituar Ledës, sepse martesa është ditë e shënuar. Megjithë hidhërimin që na shkaktoi vdekja e babait, pa neglizhuar nderimin që meritonte ai, ku vetëm në ceremoninë mortore morën pjesë rreth tre mijë njerëz, ne u përpoqëm të bënim një ceremoni….. përcjellje për Ledën. Por dhimbja për humbjen e babait, e mbyste gëzimin që ndjenim për martesën e Ledës, megjithatë unë me Deshirën shkuam në shtëpinë e Sabri Bakut si përfaqësues të familjes së Ledës dhe, siç ishte rregulli, hapëm dasmën atje, që të paktën, ata ta bënin dasmën normalisht (f.295). Dasma të tilla përcjellin në mënyrë të veçantë mesazhin e mbijetesës së popullit shqiptar të përballur me sfida të rënda, të shumëanshme në rrjedhën e historisë. Nga faqja e parë deri tek e fundit, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë, ky libër përcjell mesazhin se familjet shqiptare me shumë fëmijë, kanë qenë, janë dhe do të jenë pasuria më e madhe e popullit shqiptar, garancia kryesore e mbijetesës së popullit shqiptar me fizionominë e tij origjinale në shumëçka, përballë trysnisë në rritje të prirjeve globalizuese ose përbotëzuese. Rritja numerike e popullit shqiptar, duke përdorur me racionalizëm të gjithë burimet dhe mundësitë shtetërore e private, është në dobi të Europës e më gjerë, sepse populli shqiptar asnjëherë në rrjedhën e historisë nuk u ka shkaktuar dëme popujve të tjerë, por vetëm i ka ndihmuar ata në forma të ndryshme, madje duke u vetësakrifikuar në shumçka. Përvoja e vendeve më të urbanizuara provon se libra të tillë japin ndihmesë të veçantë për të shkruar historinë sociale dhe psikokulturore të popullit.