Prof. Spiro J. Shetuni/ Kapedani i muzikës tradicionale shqiptare

681
Ishte data 1 shtator 1973. Ne, studentët e Fakultetit të Muzikës të ish-Institutit të Lartë të Arteve të Shqipërisë (sot Universiteti i Arteve), u mblodhëm të gjithë në një klasë të madhe në katin e dytë të godinës kryesore. Atë ditë, do të niseshim me autobuz për të shkuar ne aksion në hekurudhën Elbasan-Pogradec, Sektori Qukës (Librazhd). Nën-drejtori i Institutit, kompozitori i mirënjohur, Feim Ibrahimi, na dha disa këshilla qe na vlenin për rrugën që do merrnim atë ditë. Kur mbledhja ishte duke mbaruar, rastësisht, sytë më vajtën tek një student, të cilin s’e njihja. Ai qëndronte në këmbë, midis studentëve të shumtë e të zhurmshëm, që ishin ulur nëpër banga. Ishte i hollë, trupgjatë, me ballë të madh, me flokë të gjata e të krehura me kujdes. Duke kundruar studentët, herë-herë vinte buzën në gaz. Ishte, po ashtu, shumë i terhequr. Mendova se ndoshta një sjellje e tillë vinte ngaqë ai sapo do të fillonte studimet, të cilat, siç dihet, shoqërohen gjithmonë me stres të madh. Mësova se studenti i ri vinte nga qyteti i Vlorës. Vite më parë, ai kishte mbaruar për flaut Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë si një nxënës i shkëlqyer. Po ashtu, kishte punuar disa vite me radhë si mësues muzike në disa shkolla të rrethit të Vlorës, e veçanërisht në Himare ku kishte lënë gjurmë. Tashmë do të studionte për dirigjent kori. Ky student i ri i panjohur, do të bëhej për mua një udhëheqës i vërtetë shpirtëror, një edukator i madh, një mik i rrallë, si në ditë me diell, ashtu edhe në ditë me stuhi! Quhej Haxhi Dalipi. 
Nxënësi i Ramadan Sokolit
I arsimuar fillimisht si instrumentist, nxënës i prof. Ramadan Sokolit dhe më vonë si dirigjent, Artisti i Merituar, Haxhi Dalipi (1941-2006) i lindur në Gjirokastër në një familje qytetare në lagjen “Palorto”, gjatë jetës së tij artistike e shkencore, u afirmua në një radhë aspektesh, për të merituar plotësisht tituj të ndryshëm profesionalë si: dirigjent, kompozitor, pedagog, studiues, arkitekt i festivaleve folklorike, udhëheqës artistik, mik i muzicienëve të rinj, kapedan i muzikës tradicionale labe dhe mbarë muzikës tradicionale shqiptare.
Si dirigjent, H. Dalipi intepretoi vazhdimisht, sidomos në qytetin e Vlorës, vepra muzikore të kompozitorëve të mëdhenj shqiptarë, ashtu sikurse edhe të kompozitorëve të mëdhenj ndërkombëtarë para-klasikë, klasikë, romantikë, modernë. 
Si kompozitor, H.Dalipi krijoi vepra muzikore të gjinive të ndryshme, si: këngë, valle simfonike, suita, rapsodi, opereta për fëmijë, etj. 
Si pedagog, H.Dalipi arsimoi dhe edukoi sa e sa nxënës të Shkollës së Mesme Artistike “Naim Frashëri” (Vlorë) dhe sa e sa studentë të Akademisë së Arteve të Shqipërisë (sot Universiteti i Arteve Tiranë). Disa ndër ish-nxënësit e tij, si: Fatmir Hysi, Thanas Çaçi, Themistokli Dhrami, etj., më vonë, u bënë vetë pedagogë, dirigjentë e instrumentistë të mirë-njohur. 
Si studiues, H. Dalipi hulumtoi muzikën tradicionale labe e myzeqare—këngët, vallet, pjesët muzikore instrumentore, të shumë fshatrave e zonave etnografike të Labërisë e Myzeqesë. 
Si arkitekt i festivaleve folklorike,H. Dalipi bëri të mundur që grupet popullore të rrethit të Vlorës të nderoheshin vazhdimisht me çmime në festivale, takime e konkurse: lokale, kombëtare, ndërkombëtare. Si udhëheqës artistik, H.Dalipi luftoi për të ngritur vazhdimisht sa më lart nivelin krijues e interpretues, si të Asamblit Artistik “Labëria” (Vlorë), ashtu edhe të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore të Shqipërisë (Tiranë). 
Si mik i muzicienëve të rinj, H. Dalipi gjente vazhdimisht kohë për t’i këshilluar ata, për t’i drejtuar, për t’i frymëzuar, etj. Si kapedan i muzikës tradicionale labe dhe mbarë muzikës tradicionale shqiptare, teorikisht, Dalipi ishte njeriu me njohuri dhe dije të thella, kurse, praktikisht—njeriu që synonte dhe arrinte vetëm suksese të shquara.
Duke qenë, në të njëjtën kohë, energjik e entusiast, i vrullshëm e prodhimtar, krenar e modest, Dalipi u përfshi thellë në profesionin e tij si muzicien. I arsimuar fillimisht si instrumentist, dhe, më vonë si dirigjent, Ai shfaqi gjatë tërë jetës së tij interesa artistike e shkencore dramatikisht të gjera. Kështu, siç vërejtëm, arriti të bëhet dirigjent, kompozitor, pedagog, studiues, arkitekt i festivaleve folklorike, udhëheqës artistik, mik i muzicienëve të rinj, kapedan i muzikës tradicionale labe dhe mbarë muzikës tradicionale shqiptare. Me veprimtarinë e tij aq të madhe interpretuese, krijuese e hulumtuese, veprimtari e cila rrezaton në rrafsh kombëtar e ndërkombëar,Haxhi Dalipi mbetet pa dyshim një figurë e ndritur në historinë e muzikës shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX.
Sigal